1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Antisemitizmi në rritje shqetëson komunitetet hebraike në Evropë

25 Nëntor 2026

Udhëheqja e Konferencës së Rabinëve Evropianë takohet në Strasburg. Diskutimet karakterizohen nga shqetësim i thellë, por edhe nga një shkëndijë shprese.

Pinchas Goldschmidt, nga Konferenca Europiane e Rabinëve dhe  Manfred Weber (CSU), kreu i Grupit Parlamentar të PPE
Diskutim në Konferencën Europiane të RabinëveFotografi: Christoph Strack/DW

Kryerabini i Brukselit Albert Guigui, e përshkruan gjendjen aktuale si "një atmosferë frike dhe paniku në komunitetin hebraik”. Sipas tij, shumë familje po shqyrtojnë mundësinë e emigrimit në Izrael, Panama ose në vende të tjera.

Kush fiton kur mbizotëron frika?

"Kjo është situata në Belgjikë, ashtu si edhe në shumicën e vendeve evropiane. Urrejtja ndaj hebrenjve nuk është problem i një vendi të vetëm”, thotë për DW 82-vjeçari Guigui. Pas sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor 2023 dhe luftës në Gazaqë pasoi, ai thotë se antisemitizmi ka shënuar një rritje të ndjeshme. Megjithatë, Guigui paralajmëron se nëse frika mbizotëron, atëherë fituesit e vërtetë do të ishin terroristët.

Guigui është një nga rreth 50 rabinët kryesorë nga e gjithë Evropa që janë mbledhur këto ditë në Strasburg. Bordi drejtues i Konferencës së Rabinëve Evropianë (CER), organizata ombrellë që përfaqëson rreth 700 rabinë ortodoksë në Evropë, po zhvillon punimet atje. Pothuajse secili prej 50 pjesëmarrësve mund të fliste për shqetësimet që lidhen me rritjen e antisemitizmit.

"Qoftë në Londër, Paris, Berlin, Frankfurt apo Nju Jork, problemet janë të njëjta kudo”, thotë një pjesëmarrës gjerman.

Konferenca e rabinëveFotografi: Christoph Strack/DW

Problem jo vetëm në metropole

A është urrejtja ndaj hebrenjve një problem i kufizuar vetëm në qytetet e mëdha? Duket se jo. Maurice Dahan, dentist në pension i lindur në Marok dhe president i Konsistorit Hebraik për departamentin Bas-Rhin në Francë, thekson se "çdo komunitet hebraik” përballet me sfidën e antisemitizmit. Sipas tij, "situata këtu nuk është më e mirë se në Paris, Londër apo Berlin”.

Të mos përkulesh, pavarësisht Holokaustit

Dahan thekson se komuniteti hebraik nuk do të përkulet, por do të qëndrojë i fortë. Hebrenjtë kanë jetuar në rajonet përgjatë lumit Rin për 900 deri në 1.000 vjet, në disa raste edhe më gjatë. Për ta, ky rajon mbetet shtëpi, edhe pas Holokaustit dhe vrasjes së miliona hebrenjve evropianë nga Gjermania naziste.

Dahan i bëri këto komente gjatë pritjes së një grupi rabinësh evropianë në Sinagogën e Paqes (Synagogue de la Paix), një nga ndërtesat më të mëdha fetare hebraike në Francë. E ndërtuar ndërmjet viteve 1954 dhe 1958, ajo u ngrit pasi sinagoga e mëparshme u dogj dhe u shkatërrua nga nazistët pas pushtimit të Strasburgut në vitin 1940.

Sot, një stacion tramvaji me emrin "Ancienne Synagogue” (Sinagoga e Vjetër) kujton vendndodhjen e objektit të dikurshëm. Aty ndodhet edhe një model metalik i sinagogës së vjetër dhe një mur memorial ku janë gdhendur emrat e hebrenjve të Strasburgut që humbën jetën gjatë Holokaustit.

Në mur gjendet edhe emri i rabinit René Hirschler (1905–1945), i cili shërbeu si rabin kryesor i Strasburgut gjatë periudhës naziste. Ai ndihmoi shumë anëtarë të komunitetit hebraik të mbijetonin duke u strehuar në pjesë të tjera të Francës, veçanërisht në Limoges. Hirschler ishte pjesë e lëvizjes franceze të rezistencës dhe u arrestua nga nazistët në vitin 1943. Ai vdiq në mars të vitit 1945 në kompleksin e kampit të përqendrimit Mauthausen, ndërsa bashkëshortja e tij u vra një vit më herët në Auschwitz-Birkenau.

Strasburgu si simbol i Evropës

Pjesëmarrësit në Konferencën e Rabinëve Evropianë u mblodhën për darkë në sallën "Salle René Hirschler” të Komunitetit Hebraik të Strasburgut. Ata folën jo vetëm me sfidat aktuale, por edhe me kujtesën historike të një epoke të mbushur me tragjedi, guxim dhe qëndresë.

Udhëheqja e CER-it zgjodhi me vetëdije Strasburgun për zhvillimin e takimit, pasi qyteti konsiderohet simbol i vetë idesë evropiane. "Hebrenjtë në Evropë nuk janë mysafirë. Ata janë ndër etërit themelues të Evropës”, deklaroi në hapje rabini Pinchas Goldschmidt.

Mbështetje për këtë mesazh shprehën edhe politikanë nga Unioni CDU/CSU, përfshirë Manfred Weber, kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian. "Mund të mbështeteni tek ne”, tha ai.

StrasburgFotografi: Christoph Strack/DW

Dialogu ndërfetar si përgjigje ndaj urrejtjes

Goldschmidt ka drejtuar CER-in për 15 vjet. Në Strasburg, bordi drejtues ia rinovoi mandatin edhe për pesë vite të tjera. Ai njihet si një evropian i përkushtuar dhe në vitin 2024 u nderua me Çmimin Karli i Madh në Aachen për kontributin e tij në dialogun ndërkulturor dhe ndërfetar.

Në të njëjtën kohë, Goldschmidt paralajmëron vazhdimisht se Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur demokracinë. Pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, ai theksoi se ruajtja e kontakteve me komunitetet e tjera fetare dhe krijimi i mundësive të reja për dialog janë më të rëndësishme se kurrë.

Në këtë kuadër, CER njoftoi nisjen e një programi të ri trajnimi që synon përgatitjen e rabinëve për zhvillimin e dialogut ndërfetar brenda një viti. Sipas organizatës, tashmë janë identifikuar partnerë potencialë si në komunitetet e krishtera ashtu edhe në ato myslimane. Nisma synon gjithashtu të forcojë angazhimin e përbashkët për mbrojtjen e lirisë fetare.

Shpresë pavarësisht sfidave

Sir Ephraim Mirvis, kryerabini i Mbretërisë së Bashkuar, i tha DW-së se situata në vendin e tij është "e përzier”. Edhe pse antisemitizmi është në rritje dhe mbetet shqetësues, ai shprehet optimist për të ardhmen.

"Jemi plot shpresë për të ardhmen. E dimë se nuk jemi vetëm dhe kemi shumë miq”, tha ai, duke theksuar se dialogu mbetet rruga drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Edhe Gady Gronich, drejtor ekzekutiv dhe shef i stafit të presidentit të CER-it, vuri në dukje se kjo e ardhme duhet të ndërtohet në mënyrë aktive. Sipas tij, fokusi është në forcimin e komuniteteve, kultivimin e lidhjeve dhe ofrimin e mbështetjes përballë sfidave të shumta.

Megjithatë, realiteti mbetet i dukshëm: këto ditë, automjetet e policisë dhe efektivët e armatosur me armë automatike janë një prani e përhershme pranë hyrjes së sinagogës në Strasburg. Kjo dëshmon se shqetësimet për sigurinë vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së komuniteteve hebraike në Evropë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW