1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Françesku: Thirrje për paqe në Lindjen e Mesme

25 Dhjetor 2023

Lufta në Gaza vazhdon, megjithatë Papa Françesku në meshën tradicionale të Krishtlindjeve në Romë drejtoi apel urgjent për paqen. Papa lutet që të ndalen operacionet ushtarake me pasoja të tmerrshme.

 Papa Françesku ka bërë thirrje për paqe të menjëhershme në Gaza
Papa Françesku ka bërë thirrje për paqe të menjëhershme në GazaFotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

Në mesazhin e tij të Krishtlindjeve, Papa Françesku ka bërë thirrje për paqe të menjëhershme në Rripin e Gazës dhe kthim në tryezën e bisedimeve. Papa kërkoi fundin e luftës në Lindjen e Mesme. "Unë ju lutem që të ndalen operacionet ushtarake me pasoja të tmerrshme të kthimit në viktima të civilëve të pafajshëm", tha kreu i kishës katolike në sheshin e Pjetrit në Romë para dhjetëra besimtarëve të mbledhur. Papa tha në meshën e tij se, "dhuna dhe urrejtja nuk nxiten më tej, por zgjidhet çështja palestineze, me një dialog të drejtë dhe këmbëngulës mes palëve, që mbështetet nga një vullnet i fortë politik dhe me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare." Në të njëjtën kohë Papa kërkoi nga Hamasi lirimin e të gjitha pengjeve. Sulmin e Hamasit më 7 tetor, Papa e cilësoi "të neveritshëm."  Kurse nga Izraeli kërkoi të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza. Kreu i kishës katolike bëri thirrje për paqe edhe në rajone të tjera ku luftohet, si në Ukrainë, Siri dhe Afrikë.

Fotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

Në fjalën e tij Papa, një kundërshtar i njohur i abortit, është shprehur kundër tij dhe duke vendosur edhe një paralele mes luftës dhe abortit. "Sa shumë masakra ka tek të pafajshmit në botë; në barkun e nënës; në rrugët e të dëshpëruarve, që janë në kërkim të shpresës; në jetën e kaq shumë fëmijëve, fëmiijëria e të cilëve shkatërrohet nga lufta." Edhe vitin e kaluar mesha e Krishtlindjeve u errësua nga lufta, atëherë Papa iu referua luftës në Ukrainë, vuajtjes së njerëzve atje dhe kërkoi ndalimin e saj. Pas fjalimit të tij, Papa shpërndau mesazhin e njohur Urbi et Orbi - Për botën e Qytetërimin.

Që në meshën e Natës së Krishtlindjeve, Papa Françesku kishte kujtuar vuajten e njerëzve në Lindjen e Mesme. Në Bethlehem këtë vit për shkak të luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit islamist festimet janë shumë të kufizuara. Në Bethlehem gati nuk gjen më turistë. Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i kishës katolike në Bethlehem në predikimin e tij në meshën e Krishtlindjeve ka kujtuar vuajtjen e izraelitëve pas sulmeve të Hamasit por edhe të palestinezëve. Nuk mjafton vetëm armëpushimi, ka thënë ai. "Ne nuk duam armëpushim, ne duam që të marrin fund armiqësitë. Përfundimisht dhe përhershëm." Sipas patriarkaut "dhuna krijon dhunë të re" dhe nuk duhet të vazhdojë kjo gjendje.

la/dpa/tgsch

 

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë