1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Besimi

Papa pritet me entuziazëm në Ditën Botërore të Rinisë

4 Gusht 2023

Në paraqitjen e tij të parë publike në Lisbonë papa Francesku u prit me brohoritje nga qindra mijëra të rinj nga e mbarë bota. Kreu i Kishës Katolike përshëndeste masën e të rinjve nga automjeti "Papamobil".

Lisbonë: Papa përshëndet masën e të rinjve nga automjeti i posaçëm papal, i ashtuquajturi Papamobil.
Lisbonë: Papa përshëndet masën e të rinjve nga automjeti i posaçëm papal, i ashtuquajturi Papamobil.Fotografi: Miguel A. Lopes/AP Photo/picture alliance

Në paraqitjen e tij të parë publike në kryeqytetin e Lisbonës me rastin e Ditës Botërore katolike të Rinisë papa Francesku u brohorit me entuziazëm nga të rinjtë si të ishte një rockstar.

Gjatë takimit të kreut të Kishës Katolike me pjesëmarrësit në qendër të Lisbonës mbizotëronte një frymë e çlirët dhe të rinjtë valëvisnin flamujt e vendeve nga kishin ardhur. Dhjetra mijëra pelegrinë kishin pritur me orë të tëra mbërritjen e papës. Shumë pjesëmarrës kërcenin e këndonin nën shoqërimin e muzikës që buçiste nga altoparlantët. Autoritetet portugeze bëjnë fjalë për rreth 500.000 pjesëmarrës.

Papa Francesku takon viktimat e abuzimeve

Dita Botërore e Rinisë në Portugali Fotografi: picture alliance / ASSOCIATED PRESS

Në fillim të Ditës Botërore katolike të Rinisë në Portugali papa takoi 13 të mbijetuar nga dhuna e abuzimeve seksuale prej etërve shpritërorë. Papa, sipas Vatikanit, "ka dëgjuar me intensitet rrëfimet e tyre" Sipas një raporti të komisionit të pavarur në Portugali që nga viti 1950 janë abuzuar nga pjesëtarët e kishës, kryesisht nga priftërinjtë, të paktën 4815 fëmijë.

Sipas "Vaticannews" në fjalën e tij në këtë takim papa ka theksuar, se britmat e dhimbjes së viktimave duhet të dëgjohen gjithmonë.

Portugali: Pika e parë e programit të papës ishin të mërkurën (02.08) bisedimet politike me presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de SousaFotografi: Gregorio Borgia/AP/dpa/picture alliance

Në Ditën Botërore të Rinisë, eventi më i madh katolik në botë, priten rreth një milionë pjesëmarrës, kryesisht të rinj. Programi gjashtë ditor përmban veprimtari të shumta kulturore dhe diskutime si dhe orë lutjeje dhe mesha.

Në programin e papës 86 vjeçar gjatë këtij eventi madhështor janë rreth 20 dalje publike dhe takime. Papa u takua edhe me 15 të rinj nga Ukraina, të cilëve ai u siguroi se do t'u qendrojë pranë, sikurse vë në dukje Vatikani.

Në një fjalim përpara studentëve, papa u bëri thirrje akademikëve të rinj për angazhim shoqëror.

Të shtunën (05.08) kreu i Kishës Katolike do të vizitojë vendin e shenjtë Fatima në veri të Lisbonës. Të dielën papa do të mbajë në një park në periferi të Lisbonës meshën përmbyllëse të Ditës Botërore të Rinisë

ust/se/qu/ww (epd, kna, afp)