1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa kërkon zhdukjen e armëve bërthamore

25 Nëntor 2019

Papa Françesku ka kërkuar gjatë vizitës në Japoni heqjen e plotë të armëve bërthamore. Apeli i tij u dërgua nga Nagasaki, ku në vitin 1945 është hedhur bomba atomike. Ai u shpreh kundër "logjikës së frikës".

Japan Nagasaki Besuch Papst Franziskus
Fotografi: AFP/Vatican Media/L. Fievet

Papa Françesku ka kërkuar në Nagasaki eliminimin e plotë të armëve bërthamore në botë. Paqja dhe stabiliteti në botë nuk mund të arrihen me "logjikën e frikës dhe mosbesimit", deklaroi Papa në vendin ku në vitin 1945 është hedhur një bombë atomike. "Ky vend na shton vetëdijen, se çfarë dhembjesh dhe çfarë tmerri mund t'i shkaktojmë ne njerëzit njëri - tjetrit", theksoi Papa në parkun përkujtimor në Nagasaki. Si pasojë e hedhjes së dy bombave atomike nga forcat amerikane në Nagasaki dhe tre ditë më parë në Hiroshima, në vitin 1945 janë vrarë më shumë se 200.000 njerëz. Pak ditë më vonë Japonia ka nënshkruar kapitulimin.

Fotografi: AFP/Vatican Media/L. Fievet

Mjetet të përdoren për qëllime të tjera

Armët bërthamore dhe armët e tjera për shkatërrim në masë nuk mund të jenë përgjigje adekuate për vendosjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, theksoi Françesku. Kërcënimet me shkatërrime dhe vrasje masive nuk mund të zgjidhin problemet mes popujve. Problemet mund të zgjidhen me dialog, theksoi 82-vjeçari.

Kreu i Kishës katolike tha, se mjetet e shpenzuara për armë të shkatërrimit në masë, do të duhej të përdoren për zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e mjedisit. Papa vlerësoi si tërësisht të papranueshme që të jepen kaq shumë para për armë, ndërkohë që me miliona fëmijë dhe familje jetojnë në kushte tepër të rënda, vuajnë dhe vdesin nga uria.

Mesha në stadium

Fotografi: picture-alliance/AP Photo/G. Borgia

Më pas Papa Françesku mbajti një meshë në stadiumin e bejzbollit në Nagasaki, para dhjetëra mijëra besimtarëve. Stadiumi gjendet vetëm rreth 100 metra nga vendi ku në vitin 1945 është hedhur bomba atomike. Papa tha se Nagasaki "mban në shpirtin e tij një plagë që shumë vështirë se do të shërohet ndonjëherë tërësisht". Papa kërkoi që njerëzit të kujdesen më shumë për të sëmurët, invalidët, të moshuarit, por edhe refugjatët dhe punëtorët e huaj.

Pas meshës Papa ka udhëtuar në një takim në Hiroshima, vendi tjetër ku është hedhur bomba atomike. Ndërsa në fund të vizitës do të qëndrojë në Tokio, ku të hënën do të kujtojë viktimave e katastrofës në Fukushima (në vitin 2011). Papa do të takohet pastaj edhe me mbretin Naruhito. Në fund të vizitës në Japoni do të mbajë edhe një meshë në stadiumin "Tokyo Dome".

 

 

bc/sti/wa/haz (kna, dpa)