1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papandreu fiton betejen e mocionit të kabinetit të tij, por pa konsens politik dhe social

21 Qershor 2011

Papandreu pritet të sigurojë sot votimin e mocionit të besimit të kabinetit të tij të reformuar, por vetëm me votat e deputetëve të pozitës. I sigurt konsiderohet edhe aprovimi i programit afatmesëm të enjten.

Kryeministri Jorgos Papandreu
Kryeministri Jorgos PapandreuFotografi: dapd

“Të marrin memorandumin dhe të ngrihen të ikin që këtej”. Është kërkesa e përbashkët e mijëra të revoltuarve, që për të 24-tën ditë me radhë manifestojnë nëpër sheshet e qendrave të mëdha urbane të vendit kundër masave shtrënguese qeveritare dhe troikës. Simboli i protestave të këtij lloji është bërë padyshim sheshi Sintagma, ku sonte në darkë të revoltuarit do të rrethojnë sërish në mënyrë simbolike, si më 15 qershor parlamentin që në mesnatë do të votojë mocionin e besimit të qeverisë së reformuar të premten e kaluar prej Papandreut. Të mërkurën do të mbërrijnë këtu për t'i dorëzuar dhe një “mesazh ndërgjegjësimi” parlamentit të 30 të revoltuarit e nisur me këmbë të dielën nga Sparta e Peloponezit pasi të kenë përshkuar si Fidipidi i Athinës së lashtë për ti kërkuar ndihmë Spartiatëve para betejës së Maratonës një distancë prej 245 kilometrash.

I sigurt votëbesimi, shantazh i ri për të kaluar programin e kursimeve të rrepta

Leonidas Vatiqotis, analistFotografi: L. Vatikiotis

Vota për qeverinë është votë dhe për programin afatmesëm, betejë e cila pritet të fitohet patjetër prej kryeministrit, që javën e kaluar arriti në caqet e dorëheqjes, por pas një trileri politik mundi të rifitojë besimin e grupit të tij parlamentar me shumicën e 155 mandateve të tij: “Është e sigurt. Do të marrë votëbesim. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, i thotë DW Leonidas Vatiqotis, analist i mirënjohur dhe doktor i shkencave shoqërore në Universitetin Pandio të Athinës që ndërkohë shprehet tejet kritik për procedurën e ndjekur. “E gjithë kjo procedurë synon që të sherbëjë si një shantazh i ri, një presion i ri ndaj popullit grek që të pranojë programin afatmesëm të kursimeve të rrepta. Ky është synimi edhe i mocionit të besimit dhe i presioneve që ushtrohen nga BE dhe FMN-ja”.

Opinioni kundër aprovimit të memorandumit 2 me troikën

Ministri i Financave, Evangelos VenizelosFotografi: dapd

Për analistin e majtë grek vazhdimi i kursit të ndjekur përbën “shkelje të vullnetit popullor”, që shprehet kundër tij. “E çuditshmja, që pamë javën e kaluar, konsiston si më poshtë: Demonstrata e madhe ,që u bë në Athinë më 15 qershor, kishte një dhe vetëm një synim: Të mos votohet memorandumi 2, programi afatmesëm. Ajo, që kërkuan punonjësit, pensionistët dhe të rinjtë anëkënd Greqisë, ishte mosvazhdimi i kësaj politike. Por ajo, që pamë, ishte një reformim kabineti dhe skenare të bollshme politike, që kishin për synim, se si do të vazhdohej kjo politikë. Asnjë qeveri nuk legjitimohet të zbatojë këtë politikë antipopullore”, thotë analisti grek. Për këtë nuk flasim vetëm protestat në rritje, të revoltuarit nuk kanë për të braktisur shpejt sheshet, por edhe anketimet. Sipas anketimit më të fundit të shoqërisë demoskopike Kapa Research 47.5% e të anketuarve kërkojnë të hidhet poshtë memorandumi dhe vetëm 34.8% shprehet pro tij. Sa për të revoltuarit e shesheve, 83.8% kërkojnë të votohet kundër memorandumit 2 dhe vetëm 3.7% shprehen pro tij vetëm që të sigurohet transhi i 5-të prej 12 miliardë eurosh dhe paketa e re e kreditimit.

Papandreu: Është në dorën e grekëve, që të ndryshojnë gjërat

Protestues kundër masave të qeverisëFotografi: AP

Kjo nevojë jetike për para, me qëllim evitimin me çdo kusht të fajlimentimit, ishte edhe argumenti i Papandreut në mocionin e tij në linjën e konstatimit të të jatit të tij, Andreas Papandreu, që në vitin 1993 tha se “ose kombi do të zhdukë borxhin ,ose borxhi do të zhdukë kombin”. “Borxhi dhe defiçitet përbëjnë problem kombëtar. Ky problem po na vë në një status pengmarrjeje të veçantë”, tha Papandreu dhe shtoi se “është në dorën e grekëve, që të ndryshojnë gjërat” dhe se zgjidhja nuk është tek dëbimi i “troikës dhe i partnerëve”, siç kërkohet nëpër sheshe. Por opozita i tregoi edhe një herë krahët, që nga ajo e djathta e Andonis Samaras, që thotë “dakord me synimet, por jo me mënyrat” dhe deri te ajo e majtë, që e quan kabinetin e ri “qeveri të kompletimit të falimentimit të kontrolluar”. Të gjithë kërkojnë “zgjedhje të parakohshme, si të vetmen dalje nga qorrsokaku”. As nacionalistët e partisë Alarmi Ortodoks Popullor ofrojnë votën e tyre, me gjithë tonet dramatike që përdorin. “Greqia do të shpetojë me një skemë ikumenike, jo me grindje, jo me denoncime. Kemi një Evropë, që thotë iu jap para, që të shpëtoni dhe ju nuk pranoni t'i merrni. Le të tregohemi seriozë, se Greqia ka vajtur tek s'mban më, nuk ka durim tjetër”, deklaroi kreu i tyre Jorgos Karaxhaferis.

“Vetmia” politike e Papandreut

Papandreu do ta përshkojë vetë “kalvarin” e zbatimit të memorandumit. Nuk siguron konsensusin kombëtar, por edhe social, që siç thotë edhe ministri i tij i ri i Financave Venizellos “shtrohet si premisë bazë nga të huajt, kur duhet të ishte instikt bazë i mbijetesës së kombit”. Papandreu i kupton rreziqet e kësaj “vetmie” dhe duke u zgjatur dorën akoma edhe të revoltuarve, “pavarësisht se shumë herë shigjetat e tyre pa të drejtë drejtohen kundër parlamentit”, sikurse tha, propozoi ndryshimin e kushtetutës dhe mbajtjen e referendumit popullor në shtator, për të cilin do të ngrihet dhe një komision personalitetesh nga të gjitha shtresat shoqërore. “Unë të paktën me të gjithë sa flas, nuk i beson njeri. As do të bëhet një gjë e tillë. Thjesht kërkon të mashtrojë popullin”, thotë një grua nga radhët e të revoltuarve. Një krizë jo vetëm ekonomike, por edhe besimi pra.

Sheshi, ose “Dhoma e poshtme e parlamentit”, voton kundër

Papandreu në parlamentFotografi: picture-alliance/dpa

Problemi i socialistëve grekë në këto momente nuk është pra dominimi mbi kundërshtarët e tyre politikë, që në thelb nuk lakmojnë “pozitën e pushtetarëve”. Është sheshi, që kreu i së majtës Aleksis Cipras e cilësoi si “Dhomën e poshtme të parlamentit, që demokracia greke përftoi këto 25 ditët e fundit të protestave. Nuk është vetëm Dhoma e sipërme. Këtu do ia dilni mbanë, do të fitoni kohë, grupet tuaja parlamentare do iu japin votëbesim. Por Dhoma e poshtme, shoqëria në ankth nuk iu jep votëbesim”, tha kreu i së majtës, që akuzohet së bashku me partinë e tij si nxitës të ekceseve kundër politikanëve.

“Sa më shumë zbatohet memorandumi, aq më shumë afrohet falimentimi

Qeveria e Papandreut mund të shpresojë në “lodhjen e të revoltuarve”, por nuk do të jetë aspak e urtë, për t'i injoruar “këta jakobinë të revolucionit grek”, siç parapëlqehet të quhen protestuesit. “Sa më shumë zbatohet memorandumi, aq më shumë afrohet falimentimi. Falimentimi nuk evitohet, thjesht shtyhet për më vonë”, thotë Vatiqotis. Ashtu siç mund të ndodhë dhe me konfliktin me të revoltuarit, që po kthehen në katalizator të zhvillimeve politike në vend.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë