1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

230211 Papandreou Merkel

23 Shkurt 2011

Kancelarja Angela Merkel u takua në Berlin me kryeministrin grek Jorgos Papandreu, për të diskutuar mbi reformën në buxhetit shtetëror grek

Konferenca e shtypit në Berlin e kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit grek Jorgos Papandreou (22.02.2011)Fotografi: dapd

Jorgos Papandreu ka qenë në Berlin edhe një vit më parë. Atëherë Greqia ndodhej në prag të falimentit shtetëror. Papandreu erdhi me lutjen për ndihmë. Kancelarja Merkel u shpreh atëherë e rezervuar, dëshironte të shmangen ndihmat për Greqinë, nëse do të ishte e mundur. Në fund kjo rezultoi e pashmangshme, evropianët dhe FMN-ja ofruan një paketë shpëtimi prej 110 miliardë eurosh. Sidoqoftë tani kancelarja Merkel prezantohet dukshëm më e qetë. „Qeveria greke ka ndërmarrë një sërë masash, të cilat kanë bërë që Greqia të ketë tashmë një kurs shumë më të përparuar. Por masat përmbanin edhe reforma të dhimbshme për popullin grek. Mendoj se kryeministri grek dhe qeveria e tij kanë dëshmuar një vullnet të fortë politik, për ta rikthyer Greqinë në shtegun e qendrueshmërisë dhe kjo meriton mirënjohjen tonë."

Çështje kredibiliteti - Papandreou: „nuk jemi barrë për taksapaguesit gjermanë"

Për ndihmat e BE-së Greqia është zotuar të ndërmarrë reforma të gjera. Shpenzimet buxhetore u shkurtuan dukshëm, është reformuar sistemi i pensioneve, janë ulur rrogat e punonjësve të sektorit publik. Në të njëjtën kohë shteti po vepron më fort kundër evazorëve fiskalë. Papandreou: „Ne jemi zotuar të rregullojmë punët në shtëpinë tonë, të ndërmarrim ndryshime, të cilat duheshin bërë prej kohësh. Ne kemi pasur rezultate, kemi ende dhe do të vazhdojmë të kemi.“

Në Gjermani paketa e shpëtimit ishte tejet jopopullore, shtypi për muaj me radhë shfrynte kundër ndihmave për Greqinë, të cilat konsistojnë pjesërisht në kredi e pjesërisht në garanci të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera të eurozonës. Papandreou: „Unë dua të them qartë se ne nuk jemi barrë për taksapaguesit gjermanë. Ne kemi marrë një kredi dhe atë do ta shlyejmë bashkë me interesat, kur programi të përfundojë. Kjo është për ne çështje kredibiliteti. Bëhet fjalë për të krijuar besimin e nevojshëm me partnerët tanë në BE, por edhe më gjerë në botën ekonomike."

Greqia ende me borxhe duke e tejkaluar kufirin e 3 % të Produktit të Brendshëm Bruto

Megjithatë Greqia ende vazhdon të bëjë më shumë borxhe nga sa lejon pakti evropian për stabilitetin dhe rritjen ekonomike. Borxhi vjetor i shtetit është ulur nga 16% në 9% të Produktit të Brendshëm Bruto, por kjo kuotë është shumë më e lartë se kufiri prej 3 %, për të cilin kanë rënë dakord vendet e eurozonës. Papandreu pranoi se mbetet ende shumë për të bërë. „Problemi në Greqi nuk ishte edhe aq buxheti. Ekonomia greke kishte humbur aftësinë konkurruese, ne thjesht kemi blerë më shumë nga sa kemi shitur. Për këtë arsye shumë nga reformat synojnë ta bëjnë ekonominë tonë më konkurruese."

Tani më e rëndësishmja është të transformohet ekonomia, në mënyrë që të rriten të ardhurat. Kancelarja Angela Merkel la të kuptohet se ka gadishmëri për t'i dhënë Greqisë më shumë kohë për arritjen e këtij synimi. Paketa e shpëtimit për Greqinë ka një afat prej tri vjetësh. Merkel tha se është e mundur që ky afat të zgjatet.

Autor: Mathias Bölinger / Eliana Xhani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora