1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papunësia te të rinjtë në Gjermani - problem afatgjatë

13 Gusht 2010

Para 11 viteve Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli 12 gushtin si ditë ndërkombëtare e të rinjve në mbarë botën. Kjo pjesë aq e rëndësishme e popullatës mbetet shumë e prekur nga kriza globale ekonomike.

Nje dore prek logon e zyres se punes ne Hamburg
Fotografi: dpa Zentralbild

Në studimin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) thuhet se niveli i papunësisë tek të rinjtë ka arritur nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore. Në fund të vitit 2009 ishin 81 milionë të rinj nga mosha 15 deri 24 vjeç të pa punë. Në bazë të të dhënave nga studimet shkencore të sociologut Klaus Hurrelmann (Shell Studie 2006) 69 % e të rinjve në Gjermani kanë frikë se mund ta humbasin vendin e punës, apo të mos gjejnë fare një profesion të përshtatshëm. Shkalla e pesimizmit vlerësohet e lartë dhe vazhdon të rritet edhe më tepër. Kjo shkakton shpesh sjellje të pakontrolluara dhune, si dhe përdorim të drogës dhe alkoolit. Në vit regjistrohen afër 20.000 raste të rinjsh, të moshës mes 10 dhe 20 vjeçare që përdorin alkoolin në masë të pakontrolluar. Raste këto ku është e domosdoshme edhe ndërhyrja mjekësore.

Maksimiliani kërkon punëFotografi: DW

Në zyrën e punës në Këln takuam bashkë me shumë të rinj të tjerë 20 vjeçaren Miriam Becker, e cila nuk gjen dot vend për të mësuar dhe ushtruar zanatin e saj të preferuar.

"Kam aplikuar në shumë vende, por deri tani kam marrë vetëm refuzime. Asnjë reagim pozitiv. Nuk jam e vetmja, njoh shumë vajza dhe djem te tjerë nga gjenerata ime që ndodhen në të njëjtën situatë."

Këtë fat e ndajnë edhe mijëra të rinj të tjerë në Gjermani. Në statistikën vitin e kaluar ishin të regjistruan 10,5 %, që mbetën pa punë. Ndërsa supozohet se ky numër në realitet është më i madh.

Kriza ekonomike vështirëson gjetjen e vendeve të punës

Zhvillimet ekonomike të viteve të fundit e kanë vështirësuar për shumë të rinj perspektivën e së ardhmes. Papunësia e shtuar krijon një atmosferë pasigurie dhe frike për shumë të rinj, të cilët pas përfundimit të shkollës shpresojnë të hyjnë në jetën profesionale.

Agjensia e punës KëlnFotografi: DW

Mungesa e vendeve të punës është problemi kryesor, sipas Dr. Schier nga Instituti Federal Gjerman për Zhvillim dhe Arsimim të rinjëve. Ky institut mban kontakt të pandërprerë me Ministrinë e Arsimit dhe këshillon liderët politik në lidhje me ndërtimin e strukturave të përshtatshme të arsimit për të rinj.


"Problemi kyç qëndron në plan të parë tek numri i kufizuar vendeve të lira të punës: vendet që janë vakant në disa degë janë shumë më të pakta në krahasim me numrin e konkurruesve. Nga ana tjetër, ka disa zanate si për shembull ai kasapit, i muratorit apo i bukëpjekësit, që e kanë humbur atraktivitetin e tyre. Të rinjtë kanë sot dëshira më specifike. Sa i përket jetës profesionale ata kanë një botëkutpim krejtësisht tjetër krahasuar me atë të viteve 70-të apo 80-të, kur biografitë e të rinjëve përcaktoheshin nga prindërit e tyre."

Kjo dukuri shihet qartë edhe te Miriami, e cila e gjen vetveten në degën e mediave. Ajo beson në prirjen saj për këtë degë. Ndërsa këshilltarët nga zyra për punësim (Arbeitsamt) i sugjerojnë alternativa të tjera.

"Këshilltarja më thotë duhet të marr ndonjë drejtim tjetër profesional. Por kjo nuk e zgjidh problemin tim. Ëndra ime ka qenë prej kohësh të punoj në media. Më pëlqen posaçërisht montazhi si dhe dizajni grafik. Dhe nuk dua ta ndërroj profesionin. Nuk dorëzohem."

Dr. Schier nga Instituti Federal Gjerman për Zhvillim dhe ArsimimFotografi: DW

Nga të rinjtë kërkohet fleksibilitet

Zëdhënësja e Zyrës së Punësi, Claudia Zimmermann ndonëse e vlerëson pozitivisht këmbënguljen e të rinjve thekson se kjo nuk mund të jetë zgjidhje e problemit.


"Të rinjtë duhet të jenë fleksibël dhe të mos ngulin këmbë vetëm në një profesion. Në Gjermani ka mbi 300 zanate të ndryshme, shumica e të rinjve njohin vetëm 10 % të tyre. Ne mundohemi që sa më herët të kontaktojmë me të rinjtë dhe t'u ofrojmë atyre më tepër alternativa."

Ekspertët vështrojnë me optimizëm drejt së ardhmes. Ata parasiokojnë se nga viti 2015 në Gjermani do të ndihet efekti i lëvizjes demografike. D.m.th. fakti që ka më shumë popullatë të moshuar se sa të re, do ta rrisë dukshëm shansin për të rinjtë që të gjejnë një vend pune, apo një vend për kualifikim profesional. Por pyetja se sa do të përputhen ofertat me kërkesat e të rinjve mbetet e hapur.

Autor: Ibrahim Akipi

Redaktoi: Auron Dodi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW