1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paqeruajtësit shqiptarë të vendosur në misionin e tyre

Ani Ruci14 Mars 2006

Rrjeshtimi pa hezitim i Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit nuk do të ndryshojë për shkak të një grupi shqiptarësh , të konsideruar të rrëmbyer në Afganistan.

Ushtar i një njësie speciale në Afganistan
Ushtar i një njësie speciale në AfganistanFotografi: AP

Ngjarja që hap edicionet e lajmeve të mediave të këtushme i ka dhënë rastin qeverisë së kryeministrit Berisha të pohojë qëndrimin e njohur dhe konstant të Tiranës. Ministri i Mbrojtjes , Fatmit Mediu, tha sot gjatë takimit të 14- të ministrave të Mbrojtjes së Europës Juglindore që po mbahet, këtu në kryeqytet:

„Ngjarje të tilla, tha ministri i Mbrojtjes Mediu, nuk e ulin moralin e trupave paqeruajtëse të Shqipërisë, jo vetëm në Afaganistan por edhe në Irak. Përkundrazi, i bëjnë ato me te vendosura për të realizuar misionin e tyre në rrugën pa kthim prapa të luftës kundër terrorizmit ku është rrjeshtuar Shqipëria.“

Nisur nga informacionet kontradiktore për fatin e të rrëmbyerve, nëse ata janë ende gjallë apo janë ekzekutuar, ministri i Mbrojtjes , Mediu kritikoi informacionet e deritanishme duke i quajtur ato të nxituara. Madje ai bëri thirrje për qëndrime të matura si politike ashtu edhe emocionale për ngjarje të tilla të rëndësishme, që kanë pasoja në opinionin publik, sidomos në kushtet e mungesës së të dhënave të konfirmuara.

Në fakt opinioni i këtushëm publik e ka ndjekur me shumë vëmendje dhe interesim fatin e shqiptarëve të rrëmbyer në Kandahar të Afganistanit. Autoritetet janë treguar mjaft të shqetësuara. Por preokupimi i tyre nuk ka qene bindës për opozitën e majtë. Ajo e ka kritikuar si qeverinë ashtu edhe diplomacinë e Tiranës se nuk ka bërë aq sa mundte për të negociuar dhe ndihmuar të rrëmbyerit, pavarësisht se ata nuk janë nënshtetas të Shqipërisë por kanë kombësi shqiptare, kanë vënë në dukje drejtues të opozitës. Qeveria është kundërpërgjigjur duke thënë se ka shfrytëzuar të gjitha burimet për të patur informacion sa më të plotë dhe të saktë për fatin e tyre.

Kur mbrëmë u përhap lajmi i ekzekutimit të tyre, Parlamenti i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje. Por informacionet e fundit nga Düsseldorfi e mbuluan të martën edhe me më shumë mister situatën dhe ngjallën shpresa se shqiptarët e rrëmbyer mund të jenë ende gjallë. Dhe që këtej obligimin për të bërë të pamundurën për shpëtimin e tyre edhe nga autoritetet e këtushme.