1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parada Gej: Shqipëria para thyerjes së tabuve?

4 Prill 2012

Stuhi reagimesh në Tiranë pas vendimit të komunitetit të LBGT (lesbikët, biseksualët, gejt dhe transgjinorët) për të zhvilluar më 17 Maj 2012 një paradë në Tiranë. Reagimet prekin edhe nivelet e larta të politikës.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: AP

Pas disa qëndrimeve të ashpra kundërshtuese ndaj paradës së komunitetit LBGTqë mbajti një zëvendësministër në qeveri dhe pas deklaratave kundërshtuese të menjëhershme të kryeministrit Sali Berisha në mbështetje të paradës, indiferent nuk ka qëndruar dhe faktori ndërkombëtar i akredituar në Shqipëri.

Përfaqësitë e OSBE-së dhe BE-së në akord të plotë kanë bërë thirrje që të respektohen liritë dhe të drejtat e këtij komuniteti njësoj si për të tjerët, “për të qenë më të ndjeshëm ndaj të drejtave të të gjithë njerëzve, pavarësisht racës, gjinisë apo orientimit të tyre seksual”. OSBE dhe BE e shikon bashkëpunimin e Avokatit të Popullit me organizatat e shoqërisë civile me një produkt më të mirë në mbrotjen e të drejtave të njeriut, si një nga kushtet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Shqipëria e papërgatitur për një paradë gejsh?

Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, GSHDNJ, është një nga organizatat joqeveritare në Shqipëri që është investuar prej vitesh në sensibilizimin e opinionit për trajtimin me tolerancë dhe në bazë të standardeve dhe konventave ndërkombëtare të komunitetit LBGT. Elsa Ballauri, drejtore ekzekutive e GDSHNJ-së, mendon se publiku shqiptar nuk është i përgatitur akoma për të patur një shfaqje tepër të dukshme, siç është një paradë homoseksualësh në qendër të qytetit.

Elsa Ballauri, drejtore ekzekutive e GDSHNJ-sëFotografi: DW/Arben Muka

Është plotësisht e drejtë e komunitetit LBGT për të organizuar veprimtari të tilla, për të protestuar për problemet dhe vështirësitë e shumta që has dhe për të cilat autoritetet dhe vetë shoqëria duhet të jetë më e ndjeshme dhe të punojë për zgjidhjen e tyre, thotë Ballauri për DW. “Problemi me homoseksualitetin në Shqipëri duhet parë si një proces. Si një proces që ka vite që ka filluar. Ka qenë më i zbehtë se tani, por me diskutimin që u bë mbi ligjin antidiskriminim hapi një portë tjetër të mundësive që komuniteti homoseksual mund të ketë."

Ballauri vlerëson faktin që ky proces ka nisur, dhe se ai sigurisht ka nevojë për kohën e vet. Sipas saj edhe vend të tjera kanë pasur nevojë për këtë proces, madje dhe vendet më të zhvilluara demokratike. "Ne shqiptarët e kemi shumë të lehtë ta mbyllim procesin shumë lehtë. Mendoj se duhet maturi e kujdes që në këtë rast të bëjmë të mundur që informacioni që duhet të shkojë tek ata persona që nuk e njohin fenomenin të jetë siç duhet dhe të asimilohet siç duhet” shprehet Ballauri.

Kujdes me mediatizimin e çështjes!

Duke u nisur nga fakti se evente të tilla bashkëshoqërohen dhe me një mediatizim të madh ne duhet të jemi të kujdesshëm me vetë komunitetin LBGT, që asnjë prej anëtarëve të tij të dëmtohet, shprehet për DW Elsa Ballauri. Ajo e shikon fushatën ndërgjegjësuese për opinionin e gjerë si një mekanizëm që ndërtohet mbi një komunikim të besueshëm, që zhvillohet në kushtet konkrete të vendit tonë, të traditës dhe vetë veçorive socio-psikologjike në këtë periudhë tranzicioni.

“Duhet të ketë diskutime të mirëfillta shumë serioze, filozofike, sociale, psikologjike, duhet të flasin më shumë ekspertët e jo vetëm personat e apasionuar dhe në këtë rast media duhet të luajë një rol të rëndësishëm ekuilibrues e të mos e bëjë çështjen thjesht një show. Sepse në vetëvete çdo tabu është një show. Por kjo nuk duhet të ndodhë, sepse në këtë rast dëmtojmë jo vetëm veten tonë si shoqëri, sepse mbetemi në një ngërç të mospranimit të së ndryshmes, gjë që na dëmton psikologjikisht, që transmeton tek brezat e rinj mungesën e tolerancës, transmeton egërsi, negativizëm, acarim. Nga ana tjetër dëmtojmë njerëz, sepse persoat e komunitetit homoseksual kanë jetën e tyre, familjet e tyre, kanë privacinë e tyre, e për këtë arsye duhen respektuar.”

Një çift homoseksualëshFotografi: AP

Elsa Ballauri, drejtore e GSHDNJ-së shikon një aktor të fuqishëm në ndërgjegjësimin e opinionit dhe vetë shoqërinë civile. Sipas saj në disa raste dhe organizatat joqeveritare që përfshihen në diskutimet publike janë jo gjithmonë të mirëinformuara, ose e drejtojnë vëmendjen në elementë krejt sipërfaqësorë të fenomenit që bëhet objekt debati. “Debatet janë shumë të rëndësishme, por ama në to duhet të përfshihen dhe përfaqësues të komunitetit, sepse pa ata debati është i mangët dhe mbetet virtual dhe vetëvetiu njerëzit nuk besojnë në atë që thonë, ose nuk e besojnë tjetrin. Kur mungon rasti konkret, kur mungon përfqësuesi i komunitetit, që shpjegon jetën e tij, për problemet e dilemat e tij, është shumë e vështirë të perceptohet realiteti."

Ballauri i jep rëndësi sistemit të edukimit, ndërgjegjësimi i shoqërisë është shumë i rëndësishëm, roli i medias po ashtu, por edhe aktivitetet konkrete të shoqatave dhe individëve janë të domosdoshme. Unë kam menduar gjithmonë se në fund të fundit vetë komuniteti LBGT është ai që duhet të angazhohet, por ama komuniteti ka nevojë për sakrifica dhe ato duhet ti bëjë, ashtu siç dhe ka ndodhur në çdo vend të botës.”

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi