1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paragjykimet gëlojnë nga mosnjohja - Iniciativa rajonale për Mobilitet

10 Qershor 2011

Iniciativa Rajonale për Mobilitet është një projekt i cili ka për qëllim që të angazhojë të rinjtë për zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, heqjen e paragjykimeve e tensioneve nacionaliste.

Logo - "Hope for the Future"
Pamje simbolikeFotografi: DW

Rrjeti i të rinjve nga Kroacia, Agjencia Informative e të Rinjve në Bosnje-Hercegovinë dhe iniciativat qytetare në Serbi kanë mbajtur disa herë konsultime në Zagreb, Beograd dhe Sarajevë. Qëllimi është krijimi i një fondi rajonal nga Serbia, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina, për angazhimin më të fuqishëm të të rinjve. Së shpejti projekti do t'i paraqitet zyrtarisht edhe qeverive të këtyre vendeve.

Në Serbi projekti është mbështetur parimisht nga disa ministri. Publikisht e ka mbështetur projektin edhe presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviq. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që janë përfshirë në këtë projekt, thonë se të rinjtë shumë pak e njohin rajonin ku jetojnë. Maja Stojanoviq nga Iniciativa Qytetare e Serbisë thotë për Deutsche Wellen se problemi më i madh është se të rinjtë janë të ngarkuar me stereotipe dhe paragjykime.

Nxënës në Mostar. Të rinjtë e njohin shumë pak rajoninFotografi: DW

Sistemi arsimor nuk kontribuon në heqjen e paragjykimeve

„Ne kemi mbledhur para ca kohësh një grup të rinjsh nga Serbia. Detyra e tyre ishte të vizatojnë hartën e ish-Jugosllavisë. Asnjë prej vizatimeve nuk i ngjante ish-Jugosllavisë. Por nuk është faji i tyre, fajin e ka sistemi arsimor. Kemi biseduar edhe për njohuritë e tyre për rajonin dhe për fat të keq konstatuam se ata janë përplot me stereotipe dhe paragjykime që i kanë dëgjuar në media apo prej të rriturve. Nga ana tjetër, ata nuk janë të informuar as për faktet elementare që mund të ndikonte në krijimin e një mendimi të tyre personal lidhur me rajonin."

Pengesat më të rëndësishme për një mobilitet më të madh të të rinjëve janë të natyrës ekonomike dhe politike, thotë për Deutsche Wellen, Emina Buzhinkiq, sekretare e Rrjetit të të rinjve nga Kroacia. Papunësia në rajon është shumë e lartë, që ndikon edhe në mundësitë e tyre për të udhëtuar dhe vizituar vendet tjera. Një problem tjetër shumë i rëndë janë edhe pasojat e luftës: „Në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci të rinjtë janë më të prirur që të pranojnë idetë radikale dhe ekstremiste. Janë më të prirur që të shprehin dhunë. Ne duam të japim kontributin tonë për pajtimin, eliminimin e urrejtjes dhe antipative që kemi ndaj moshatarëve tanë në vendet e tjera të rajonit. Po përpiqemi që raportet mes të rinjve të fitojnë një kualitet të ri."

Të rinj beogradasFotografi: Dana Rösiger

Të rinjtë udhëtojnë pak brenda rajonit

Emina Buzhinkiq thotë se në këtë rajon nuk ekziston shkëmbimi akademik i të rinjve. Kjo do të jetë një prej detyrave të projekteve të ardhshme. „Një këmbim i tillë gati që nuk ekziston. Të rinjtë nga Zagrebi dhe Knini nuk studiojnë në Beograd, por as të rinjtë nga Beogradi apo Novi Sadi nuk vijnë për studime në Kroaci apo Bosnje-Hercegovinë. Një numër më i madh i studentëve në Beograd vjen vetëm nga Republika Srpska, por ne duam që kjo të ndryshojë në të gjitha drejtimet.“

Sipas statistikave të fundit, numri i udhëtimeve të grupmoshave të reja në vendet e rajonit është jashtëzakonisht i ulët. Qëllimi i iniciativave më të reja është që ato të udhëtojnë më shumë, të njoftojnë vendet e rajonit, të mësojnë për zhvillimet e viteve 90-të dhe të kuptojnë se për tejkalimin e pasojave duhen vendosur kontakte të reja me të tjerët.

Autor: Ivica Petroviq/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW