1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paralajmërim prej digave të mëdha

16 Nëntor 2011

Digat e lumejve mund të parandalojnë përmbytjet, të ndihmojnë që bujqësia të mos vuajë nga thatësirat dhe të ndihmojnë për prodhimin e energjisë ekologjikisht të pastër. Por ato shkaktojnë dhe dëme mjedisore.

Das Bild hat uns unser Korrespondent Mojtaba Mohammadi am 25.07.2011 aus Helmand geschickt. Alle Rechte gehören der DW.
Fotografi: DW

Kërkesa në rritje për energji dhe furnizimi i pasigurt i bujqësisë me ujë ka bërë që në mbarë botën të ngrihen diga. Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Digat e mëdha, ICOLD, me seli në Paris, tani në botë ka më shumë se 45.000 projekte për ndërtim digash nëpër lumenj, gati gjysma e tyre në Kinë.

Diga e tri grykave është shembulli më i qartë për projektet e mëdha kineze për ndërtimin e digave. Ajo u ndërtua pas një pune 17 vjeçare. Argumenti kryesor për ndërtimin e kësaj dige ishin përmbytjet e shekullit me mijëra viktimat që shkaktonte rregullisht lumi Jangce. Asokohe thuhej se furnizimin me energji elektrike vinte në vend të dytë. Por sot shihet se maksimizimi i mundësive për prodhimin e energjisë është prioritar në krahasim me mbrojtjen nga përmbytjet. Hidrocentrali që lidhet me këtë digë ka një kapacitet prej 18.200 Megawatt. Fuqia e ujit prodhon çdo vit aq energji elektrike sa rreth 9 centrale bërthamore së bashku dhe kursen rreth 160 milionë tonë qymyr në vit pra edhe emisionet përkatëse të CO2. Liqeni i hidrocentralit shtrihet në mbi 600 kilometra.

Probleme të paparashikuara

Por ndër anët negative të bilancit bëjnë pjesë rreth 1.3 deri 2 milionë vetë që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të ndërtuar liqenin artificial. Të kërcënuar nga humbja e mjedisit të tyre natyror janë më shumë se 2500 specie bimore dhe 330 lloje peshqish, plus 22 lloje që janë tashmë në Listën e Kuqe. Dëmi mjedisor nuk dihet se deri ku mund të shkojë. Kjo do të bëhet e qartë në rrjedhën e viteve. Sot për sot askush nuk e di nëse sedimentet e lumit që dikur përmbytnin fushat nuk do të mungojnë, sepse ato shërbenin edhe si pleh natyror. Po ashtu probleme do të ketë edhe me vetëpastrimin e ujit të lumit që bëhej për shkak të niveleve të ndryshme të ujit.

Fotografi: picture-alliance / dpa

Një problem tjetër që nuk u mor në konsideratë janë plehrat, të cilat përbëjnë një tjetër problem për digën. Rreth 150 milionë njerëz i hedhin një pjesë të madhe të mbeturinave në lumë, sepse nuk kanë alternativa tjetër. Po ashtu edhe fabrikat e sapokrijuara i derdhin një pjesë të mbeturinave toksike në lumë. Qeveria kineze ka pranuar tani që planifikuesit dhe konstruktorët nuk kanë marrë sa duhet parasysh problemet që i shkaktohen mjedisit dhe ekonomisë.

Probleme të ngjashme ka edhe në Egjipt me digën e Asuanit. Për këtë euforia e dikurshme për digat e mëdha që lidhej me prodhimin e pastër të energjsë dhe me sigurimin e rezervave ujore është flashkur. Në shumë vende banorët protestojnë kundër projektesh të tilla dhe një sërë qeverish kanë hequr dorë prej planeve të tyre për ndërtimin e digave gjigante.

Autor: Helle Jeppesen / Pandeli Pani
Redaktoi: E. Xhani