1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rating EU

7 Dhjetor 2011

Agjencia e vlerësimit Standard & Poor´s i kërcënon shtetet e Eurozonës me ulje të bonitetit. Lajmi nuk vjen i papritur, mendon redaktori i Deutsche Welle-s, Henrik Böhme.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

"Çfarë po ndodh me euron?". Këtë pyetje redaksia ekonomike e Deutsche Welle-s e pati shtruar që para 11 vjetësh. Atëherë euro ende nuk ishte hedhur si mjet pagese në treg, por qarkullonte si e ashtuquajtur "valutë kontabiliteti" në tregjet financiare. Dhe që atëherë në arkivat tanë gjendet kjo fjali: "Tregjet e valutës ndiejnë fare mirë nëse politika po ndjek apo jo rrugën e duhur për forcimin e një monedhe. Pas tre javësh mbushen plot dhjetë vjet qëkurse njerëzit në Eurozonë morën për herë të parë në duar euron si mjet pagese, një jubile, i cili me siguri nuk do të festohet."

Atëherë shqetësimet e shumë skeptikëve thjesht u injoruan. Evropa nuk është ende gati për një monedhë të përbashkët, po hidhet hapi i dytë para të parit, paralajmëronin ata. Kush kërkon të jetojë me një valutë të përbashkët, duhet të ketë edhe politikë të përbashkët fiskale. "Përse ju evropianët keni një monedhë të përbashkët por 17 banka qendrore, 17 buxhete kombëtare dhe 17 ministra financash - krahas institucioneve evropiane?" Kjo është një pyetje që sot bëhet shpesh jashtë Evropës. Investuesit kinezë do të blenin me shumë dëshirë obligacione evropiane por aspak tituj borxhi të vendeve të veçanta të Eurozonës, thonte këto ditë një tregtar aksionesh në Frankfurt.

Tani vijnë fjalët e ashpra të mbikqyrësve të bonitetit, Standard & Poor's. Ende bëhet fjalë vetëm për një kërcënim, por ai ra si një bombë. Natyrisht momenti i publikimit të deklaratës është zgjedhur me vetëdije. Natyrisht politikanët dhe ata që mbajnë përgjegjësi reagojnë me refleksin e zakonshëm mbrojtës, si p.sh. shefi i eurogrupit Jean-Claude Juncker: "Agjencitë e vlerësimi nuk duhen marrë shumë seriozisht".

Gabim! Ky paralajmërim nga Standard & Poor´s nuk është surprizë, ai vjen pikërisht në momentin e duhur, pak ditë para samitit të ardhshëm evropian të krizës. Të tillë gjatë dy viteve të kaluara ka pasur gjithsej 13, pa sjellë ndonjë përmirësim të vërtetë të gjendjes. Ka ardhur koha që Evropa të kapërcejë mungesën e guximit dhe të përballet me faktet. 

Henrik BöhmeFotografi: DW

Por ka dyshime serioze dhe të përligjura, nëse zotërinjtë në ndërtesën e konferencave në Bruksel, korridoret dhe kthinat e së cilës i njohin mirë për shkak të shumë netëve plot dëshpërim, do ta bëjnë këtë vërtet.

Mjafton të shohësh të vetëshpallurën dyshe drejtuese në Evropë, Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy: para kamerave tregojnë unitet në mënyrë demonstrative, ndërsa pas kulisave zihen hidhur për rrugën e duhur. Kjo vlen sa i takon eurobondeve dhe për çështjen nëse Banka Qendrore duhet të blejë obligacione shtetërore të vendeve në krizë. Këtu Merkel e kudërshton qartë presidentin francez. Por kur është fjala për propozime të tyre, si për shembull çështja e sovranitetit të shteteve të veçanta, atëherë bien dakord në një kompromis të dobët: kështu një padi në Gjykatën Evropiane për menaxhim të keq buxheti kombëtar do të jetë e mundur, por gjykata nuk do të ketë të drejtë të anulojë buxhetet kombëtare.

Kështu Evropa nuk i ka punët mirë. Po, agjencitë e vlerësimit kanë bërë gabime në të kaluarën. Ato janë kritikuar se nuk paralajmëruan në kohë për rreziqet. Tani ato po bëjnë pikërisht këtë. Nuk ka nevojë për falenderime, por fakt është që ato e vënë gishtin në plagë. Thënia "Në politikë dhe vetëm tek ajo ekziston shansi për ta nxjerrë euron nga humnera", vazhdon të jetë e vërtetë.

Autor: Henrik Böhme

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW