Parandalimi i dhunës familjare dhe mbrojtja e viktimave në Kosovë
22 Tetor 2011
“Shtëpia e Sigurt”, në Gjakovë është njëra ndër të gjashtë Strehimoret për Viktimat e Dhunës në Familje dhe të Trafikimit në Kosovë. E aktivizuar në vitin 2000 ajo ka një kapacitet pranimi prej 15 shtetërish me mundësi zgjerimi, ngaqë si strehimore e tipit të hapur, viktimave iu lejohet vazhdimi i punës dhe i shkollimit. Sakibe Doli drejtoreshë e kësaj strehimoreje thotë se: “Aktualisht i kemi 15 raste në strehimore dhe të gjitha janë të dhunës në familje, me përjashtim të një ish-viktime të trafikimit, e cila ka kaluar në dhunë familjare si dhe një tentim incesti, i cili ende nuk është vërtetuar në gjykatë”, thotë drejtoresha Doli, sipas së cilës përveç strehimit dhe akomodimit, viktimave ju ofrohet mbështetje psiko-sociale, këshillime, ndihmë juridike si dhe shërbime shëndetësore.
Me zhvillimin e shoqërisë ndryshojnë edhe arsyet e dhunës
Sipas Vaxhide Sopjanit, sociologe, ndër arsyet kryesore që ndikojnë në çrregullimin e marrëdhenieve familjare gjatë kohës së tranzicionit në Kosovë mbetet baza materiale. Mirëpo, me zhvillimin e shoqërise ndryshojnë edhe arsyet thotë z.Sopjani: “Procesi i transformimit të familjeve të mëdha në të vogla, shkalla e pabarabartë e arsimimit; mospërballja e lehtë me ndryshimet në shoqëri, prurja e kulturave të ndryshme me të cilat nuk jemi mësuar, janë disa nga arsyet." Por, faktorë mund të jenë edhe mosha e tretë të cilët në të shumtën janë prezent në familje dhe kur është fjala për konflikt gjeneratash, ai konflikt drejtpërdrejt prek edhe personin e caktuar. Në raste të tilla më së shpeshti viktima është gruaja por edhe fëmijët, thekson sociologja.
OKB mbështet rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave në Kosovë
Rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave të dhunës është një problem tjetër në vete, i cili kërkon angazhim më të madh dhe qasje profesionale. Për këtë pritet të ndihmojë programi i lançuar nga pesë agjenci të Kombeve të Bashkuara, i cili synon adresimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë përmes fuqizimit të zbatimit të Ligjit Kundër Dhunës në Familje, Planit Kombëtar të Veprimit dhe Strategjisë Kundër Dhunës në Familje 2010-2013.
Sipas Flora Maculës, këshilltare për qeverisje dhe paqe në Organizaten e Kombeve të Bashkuara, “UN Women”: “Dhuna është një çështje shumë e ndjeshme, e cila i prek të gjitha viktimat gra dhe është e përhapur në të gjithë botën dhe në të gjitha klasat e shoqërise. Mirëpo, puna jonë është që të ndihmojmë, ndërsa punën kryesore e kanë partnerët tanë qeveritarë dhe shoqëria civile. Programi në vlerë prej 800 mijë eruosh do të zbatohet në nivelin lokal në tri komuna të Kosovës: në Dragash, në Gjilan dhe në Gjakovë.
Por, do të preken edhe politikat në nivelin qendror dhe mendoj që së bashku do t ia arrijmë të paktën të zvogëlojmë dhunën në familje”.
Ngritja e vetëdijes si masë parandaluese
Sipas sociologes Sopjani, në zbutjen e dhunës në familje më së tepërmi mund të ndikojë vetëdijësimi i vetë personave të prekur. “Nuk jam për atë që gruaja të durojë çfarëdolloj dhune, sepse dhuna po eskalon dhe po përfundon me përdorimin e forcës dhe edhe marrje jetësh. Raste të tilla kemi pasur, madje me një shkalle të lartë të arsimit. Por, jo për hiçgjë gratë të referojnë raste. Gruaja duhet të përpiqet të marrë rolin e pajtueses brënda familjes dhe ta bind bashkëshortin, e jo të përdor një fjalor konfrontues sepse kështu ajo vetëm e rrit problemin dhe vijë deri në një situatë kur nuk ka tjetër zgjidhje përvec shkurorëzimit”, thotë z.Sopjani sipas së cilës, zgjidhja më e mirë në raste të tilla do të ishte mbrojtja e gruas nga gjykata me Urdhërin Mbrotjës. Gruaja gëzon të drejtën të qëndrojë në shtëpi e pranë fëmijëve, por nuk është e obliguar të bashkëjetojë me bashkëshortin.
Në familjet kosovare, largimi i ushtruesit të dhunës nga familja i papranueshëm
Por edhe pse Kosova tashmë e ka një ligj të mirë kundër dhunës në familje, me fillimin e aplikimit të tij shihen edhe mangësitë, thotë z.Macula. “P.sh., në ligj kemi një klauzolë ku thuhet se “ushtruesi i dhunës largohet nga shtëpia”. D.m.th, nuk do të jetë si përpara që zakonisht gruan me fëmijë e largon policia në strehimore, por largohet ushtruesi i dhunës. Por familjet i kemi në bashkësi dhe ju mund ta paramendoni çfarë mund të ndodh nëse policia e largon djalin nga prindërit, ndërsa nusja mbetet aty si fajtore që ka shkaktuar një problem shumë të madh për atë familje. Të gjitha këto probleme duhen rregulluar dhe mendoj se duhet specifikuar, në çarë rastesh mund të largohet ushtruesi i dhunës nga shtëpia?”
Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e para të këtij viti, janë lajmëruar 412 raste të dhunës në familje.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi