Parandalohen sulme terroriste në Gjermani
5 Shtator 2007
Është hera e dytë që në Gjermnni shmanget rreziku i atentateve terroriste. Hera e parë ishte në korrik të vitit 2006, ku dy valixhe me bomba në trenat rajonalë në Nordrhein Vestfallen, nuk kishin mundur të shpërthenin.
Një vit më parë, kishte qenë diletantizmi i atentatorëve, ai që solli parandalimin e së keqes, këtë radhë ishte fryti i bashkëpunimit të të gjitha organeve përgjegjëse për sigurinë, siç bëri të ditur Monika Harms, kryeprokurorja e përgjithshme e Gjermanisë, pak më parë në një konferencë shtypi në Karlsruhe: "Ndryshe nga një vit më parë, këtë radhë nuk ishte vetëm fati, por edhe një survejim i gjatë prej disa muajsh që na bëri të përjashtojmë mundësinë e rrezikut për popullsinë."
Gjithsej janë kapur tre persona, kundër njërit prej të cilëve, është lëshuar tashmë urdhër arresti. Paralelisht me ndalimin dje pasdite në Sauerland të Gjermanisë Perëndimore, janë bërë edhe kontrolle të befasishme në mbi 30 banesa dhe objekte në të gjithë Gjermaninë. Të ndaluarit janë dy shtetas gjermanë dhe një turk, të cilët mendohet të jenë anëtarë të Unionit të xhihadit Islamik, një organizate terroriste nga Uzbekistani.
Presidenti i Zyrës federale kundër Krimit, Bka, Jërg Cierke: "Motivi kryesor i grupit në Gjermani është urrejtja kundër shtetasve amerikanë. Caqet e mundshme për atentate ishin institucionet amerikane në Gjermani, por edhe vende të frekuentuara nga publiku, si diskoteka restorante dhe bare."
Ndërsa ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung në një intervistë në televizion, se ka ekzistuar një gjendje vërtet kërcënuese: "Dua të theksoj në rradhë të parë se forcat tona të sigurisë kanë punuar mirë, u arrit të kryhej ndërhyrja. Dhe tregon për një situatë kercënimi konkret. Dhe lutem për mirëkuptim që nuk mund të them asgjë tani për këtë situatë."
Njëri prej personave ishte vënë re që në dhjetor të vitit të kaluar duke bërë hetime në bazën amerikane në Hanau. Po në atë periudhë, sipas kryeprokurores Harms ishte krijuar celula gjermane e unionit të xhihadit islamik, e cila kishte për qëllim të rekrutonte dhe anëtarë të rinj në Gjermani dhe të zhvillonte atentate simultane me autobomba. Policia ka konfiksuar lëndë kimike, prej të cilave mund të krijohet 550 kilogram eksploziv, për nga efekti të ngjashëm me TNT.