1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parashikimet u konfirmuan: fitimet e Porsches stabilizohen

3 Gusht 2026

Kompania Porsche AG ka arritur të stabilizojë fitimet e saj. Megjithatë, kjo ende nuk përbën lehtësim të vërtetë për prodhuesin e automobilëve sportivë.

Porsche 911 Turbo S në IAA Mobility 2025 - automjet i hapur dhe njerez qe e shohin e fotografojne
Porsche 911 Turbo S në IAA Mobility 2025Fotografi: Frank Hoermann/SvenSimon/picture alliance

Fitimet e prodhuesit të automobilëve sportivë dhe SUV-eve Porsche AG  janë stabilizuar në gjysmën e parë të vitit. Fitimi pas taksave arriti në 1070 milionë euro midis janarit dhe qershorit, ka raportuar kompania. Kjo shumë është gati 50 për qind më e lartë se në gjysmën e parë të vitit 2025. Ndër arsyet për këtë janë, ndër të tjera, menaxhimi rigoroz i kostove dhe çmimeve.

Fitimi operativ gjithashtu u rrit me një të tretën, duke arritur në gati 1350 milionë euro. Në të njëjtën kohë, xhiroja e kompanisë me bazë në Zuffenhausen ra me pak më shumë se 5 për qind në gjysmën e parë të vitit, në rreth 17230 milionë euro. Shifrat që lidhen me performancën operative ishin publikuar tashmë në fund të javës së kaluar nga  kompania mëmë e Porsches, Volkswagen. 

Rezultate të forta falë reduktimit të kostove

Pavarësisht kësaj, Porsche aktualisht po përballet me krizën më serioze në vite. Shkaqet kryesore janë rënia e madhe e biznesit në Kinë, politika tarifore e SHBA-së dhe kërkesa e dobët për modelet elektrike.

Rritja aktuale i detyrohet kryesisht eliminimit të kostove të jashtëzakonshme, përfshirë ato që lidhen me ndryshimin e  strategjisë për automjetet elektrike  dhe ristrukturimin e grupit. Sipas shifrave, në gjysmën e parë të vitit 2026 kostot e ristrukturimit strategjik të bijës së VW arritën në rreth 400 milionë euro, krahasuar me afërsisht 800 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2025. Këtë vit, ka qenë një lehtësim që një pjesë e madhe e këtyre kostove mund të kompensohej përmes negociatave me furnizuesit; si pasojë, shpenzimi përfundimtar u vendos në rreth 100 milionë euro. Kjo do të thotë se, pa rezervat e liruara, situata e Porsches nuk do të ishte shumë më e mirë se ajo e vitit të kaluar.

Porscheplatz në Zuffenhausen, selia e PorschesFotografi: Arnulf Hettrich/imageBROKER/picture alliance

Për më tepër, kostot e ristrukturimit të grupit pritet të vazhdojnë të rëndojnë mbi kompaninë në muajt në vijim: sipas ekipit drejtes, kostot e njëhershme që rrjedhin nga reduktimi i mëtejshëm i 5000 vendeve të punës mund të arrijnë një shifër tre-shifrore në miliona euro si këtë vit ashtu edhe vitin e ardhshëm. Porsche kishte njoftuar për reduktimet të hënën. Në plan afatgjatë, Drejtori Financiar Jochen Breckner vlerëson se potenciali vjetor i kursimeve qëndron te qindra miliona euro, siç deklaroi ai në një konferencë me analistët. Megjithatë, kursimet e para neto nuk priten deri në vitin 2028.

Parashikimi konfirmohet

Pavarësisht kësaj, Porsche AG po i sheh me optimizëm muajt në vijim: "Menaxhimi rigoroz i kostove dhe strategjia jonë 'vlera mbi sasinë' po fillojnë të japin fryte, kështu që edhe pse mjedisi i tregut mbetet sfidues, ne po konfirmojmë parashikimet tona për të gjithë vitin," shpjegoi Drejtori Financiar, Jochen Breckner.

Në bursë, shifrat tremujore të Porsches u pritën mirë: aksionet, të cilat janë të listuara në MDAX, u rritën me më shumë se 1.6 për qind në tregtimet e hershme në Frankfurt.

aud  (tgsch, ag)

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW