Parlamenti gjerman debaton mbi misionin gjerman në Afganistan
21 Shtator 2007Qeveria gjermane kish kërkuar ta zgjaste këtë mandat në një vit, por partia opozitare e majtë e kundërshtoi këtë kërkesë. Vendimi përfundimtar mbi zgjatjen e mandatit do të merret më datën 12 tetor, por deri atëherë kërkesa e qeverisë do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse.
Angazhimi në Afganistan sukses kundër terrorit
Ministri gjerman i mbrojtjes Franz-Josef Jung, po kritikohet aktuliasht ashpër për qëndrimin e tij në luftimin e terrorizmit: Ai e quajti angazhimin ndërkombëtar në Afganistan një sukses kundër terrorit. Dhe një sukses për popullin afgan: "Ne e çliruam këtë vend nga terrori i Talibanit. Atje ka tani një kushtetutë. Ka një parlament të zgjedhur. Sot ka deputetë në Afganistan, madje edhe deputete dhe ky është një sukses për politikën tonë."
Të gjitha vajzat duhet të shkojnë në shkollë
Por kryetari i partisë së majtë Gregor Gysi kundërshtoi: "Një ndër pesë vajza shkon në shkollë në Afganistan. Pas 6 vitesh një ndër pesë vajza. Ky është sukses për ju? Unë mendoj se ky është turp. Çdo vajzë duhet të shkojë në shkollë." Ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier kujtoi gjatë fjalimit të tij se arsyeja e misionit ushtarak në Afganistan ishin sulmet terroriste të 11 shtatorit. Sot duhet patur kujdes që terroristët të mos kthehen dot më në vend. Qeveria gjermane po angazhohet në shumë mënyra për këtë gjë: " Ne u japim njerëzve në Afganistan një perspektivë të re, një shpresë të re. Ne i mbështesim ata që të rindërtojnë vendin e tyre. Ne u japim mundësinë që ta marrin vetë në duar të ardhmen e vendit të tyre si edhe sigurinë e vendit të tyre."
Kritika ndaj qeverisë gjermane
Por, Gregor Gysi nguli këmbë se qeveria gjermane nuk ka sukses me misionin e saj në Afganistan: "Ju thoni këtu se doni të trainoni policinë dhe ushtrinë. Por ç´po bëi qysh prej 6 vitesh? Përse nuk ekziston ende një polici e pavarur në Afganistan? Përse nuk ka një ushtri? Asnjë hap serioz nuk është marrë në këtë drejtim." Por ndryshe nga fraksioni i majtë i Gysit, Të gjelbërit nuk e kundërshtojnë çdo mision ushtarak. Shefi i tyre Fritz Kuhn, shpjegoi se ka një ndryshim mes luftës amerikane kundër terrorit "Operation Enduring Freedom" - OEF -, misionit të trupave të NATO-s, ISAF, dhe tornadove të ushtrisë gjermane në Afganistan: "Ne vendosëm gjatë kongresit tonë se jemi për misionin e ISAF-it, jemi kundër dërgimit të tornadove tona dhe për këtë arsye nuk do të marrim pjesë në votim. Kërkesa që u shtrua gjatë kongresit të partisë sonë për tërheqjen e menjëhershme të ISAF-it nga Afganistan, u miratua vetëm nga 10 përqind e antarëve të partisë, pra nuk u aprovua." Por Kuhn theksoi se Të gjelbërit kanë një qëllim të përbashkët: Të angazhohen më shumë për rindërtimin civil në Afganistan.