Parlamenti grek aprovoi planin afatmesëm të kursimeve të rrepta
29 Qershor 2011Pas një diskutimi të stuhishëm triditor dhe ankthit të votimit të tij plani afatmesëm i kursimeve të rrepta prej 28 miliardë eurosh deri në vitin 2015 mori sot aprovimin nga parlamenti grek. Plani hap rrugën për livrimin e transhit të 5-të prej 12 miliardë eurosh, por edhe për kreditimin e mëtejshëm shumëvjeçar. Plani kaloi vetëm me 155 vota, nga te cilat 154 te pozitës socialiste dhe 1 të opozitës së djathtë. Vetëm një deputet socialist votoi kundër.
Përleshje të reja me policinë
Sot në ditën e dytë të grevës së përgjithshme sheshi u kthye sërish si dje në shesh beteje. Protestuesit përballë përdorimit masiv të lëndëve kimike dhe tymuese të policisë, por edhe vandalizmave të autonomëve me maska, pak para fillimit të votimit, u tërhoqën në pjesën e poshtme të sheshit. Policia, që sot dyfishoi kontigjentet e saj, akuzohet për “manovra te rrezikshme represive” kundër protestuesve.
Manifestime deri në darkë
Konfrontime të ashpra me dhjetra të plagosur, që u dërguan në spital, pati edhe sot paradite, kur të “revoltuarit” tentuan të pengojnë kalimin e deputetëve për në parlament. Qendra e Athinës vazhdon të mbetet e bllokuar në një distance të madhe përreth parlamentit të rrethuar edhe nga një gardh i hekurt. Sot pasdite mbahen dhe dy manifestime të tjera, manifestuesit e të cilave do të përfundojnë vonë në darkë para parlamentit.
Autor: Niko Anagnosti/ Athinë
Redaktoi: Auron Dodi