Parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën për dialog me Serbinë
10 Mars 2011Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën e mbështetë dialogun për çështje praktike me Serbinë me 63 vota për dhe 49 kundër. Tri partitë politike opozitare nuk e mbështetën tekstin e rezolutës së propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në pushtet. Opozita pohon se me këtë rezolutë nuk përfshihen propozimet e saj, të cilat janë si një përkufizim i vijave të kuqe për qeverinë e Kosovës, për temat të cilat nuk mund t'i bisedojë me Serbinë.
Sipas Adem Grabovcit, shef i grupit parlamentar të PDK-së, rezoluta i jep të drejtë Kuvendit që në çdo kohë të mbikqyrë bisedimet Kosovë-Serbi.
“Përkrahim këtë projekt rezolutë e cila do t'i jep parlamentit të Kosovës të drejtë që të mbikqyrë, përcjellë rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojë sqarime në parlamentin e Kosovës”, tha Adem Grabovci.
S'ka bisedime për statusin
Vija e kuqe për të cilën qeveria e Kosovës nuk do të bisedojë me Serbinë është statusi i Kosovës dhe sovraniteti dhe integriteti i vendit. Që nga fillimi i javës kur u hap debati në parlament për bisedimet me Serbinë, partitë politike opozitare, këto bisedime i cilësuan të ngutshme, madje pati propozime që Serbia të kushtëzohet për sërë çështjesh para së Kosova të pranojë të hyjë në këto biseda.
Forca e tretë politike në Kuvend lëvizja Vetvendosja, e cila paraqiti një rezolutë të veten, sipas Visar Ymerit nga kjo parti, konsideron se rezolutat e paraqitura në kuvend janë dy dokumente që nuk mund të bashkohen mes vete, sepse në thelb janë të ndryshme.
“Rezoluta e lëvizjes Vetvendosja thërret që negociatat me Serbinë të ndërpriten dhe ato të mos ndodhin pa u plotsuar katër parakushte kryesore të cilat duhet t'i shtrohen Serbisë. Ndërkohë, që rezoluta e PDK-së thërret që këto negociata të fillojnë dhe që të definohen pikat për të cilat do të diskutohet”, thotë Visar Ymeri.
Kushtet e Vetvendosjes
Rezoluta e Vetvendosjes parashikon që bisedimet me Serbinë mund të fillojnë vetëm atëherë kur Serbia ta njoh realitetin politik e faktik të Kosovës, të ndryshojë kushtetutën e saj, e cila e konsideron Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë dhe ta tërheq përkrahjen politike dhe financiare për strukturat e ilegale serbe që e cenojnë drejpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Edhe LDK-ja, sipas shefit të grupit parlamentar të kësaj partie Ismet Beqiri, konsideron se bisedimet me Serbinë janë "të ngutshme dhe jo transparente".
Sidoqoftë, qeveria e Kosovës e cila është e ngarkuar që të zhvillojë negociata me Serbinë, sipas kryeministit Hashim Thaçi, deshiron që çdo bisedë me Serbinë të jetë transparente dhe të ketë mbështetjen e Kuvendit. Në të kundërtën Kushtetuta e Kosovës i lejon qeverisë që të zhvillojë negociata për çështje praktike me Serbinë, pa e pyetur Kuvendin.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Bahri Cani