1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti italian miraton marrëveshjen me Shqipërinë

24 Janar 2024

Parlamenti italian ka miratuar një marrëveshje që parashikon strehimin e emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe në qendrat e pritjes në Shqipëri.

Italien Giorgia Meloni und Edi Rama in Rom
Fotografi: Tiziana Fabi/AFP/Getty Images

Marrëveshja për migrimin mes Italisë dhe Shqipërisë ka hedhur një hap vendimtar: Dhoma e Deputetëve të Italisë miratoi të mërkurën në Romë një projektligj që synon ratifikimin e marrëveshjes. Për të kufizuar migrimin e parregullt nëpërmjet Mesdheut nga Afrika e Veriut në Evropë, do të krijohen dy qendra pritjeje për emigrantët në Shqipëri.

Marrëveshja ende duhet të miratohet nga Senati italian, më i vogli nga dy dhomat e Parlamentit. Rreth dy muaj më parë, më 6 nëntor 2023, kryeministrja italiane e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni dhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama nënshkruan një marrëveshje protokollare që parashikon krijimin e qendrave të pritjes. Këto qendra do të strehojnë personat që janë kapur në det të hapur nga autoritetet kompetente gjatë udhëtimit drejt Italisë.

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama e ka quajtur marrëveshjen një gjest "solidariteti” me Italinë, pasi vendi kishte lejuar mijëra shqiptarë të hynin në territorin e saj pas rënies së qeverisë komuniste në fillim të viteve 1990.

Rreth 3.000 refugjatë njëkohësisht në Shëngjin dhe në Gjadër

Sipas planeve, në qendrat e pritjes do të shqyrtohen kërkesat për azil dhe nëse është e nevojshme do të mundësohen riatdhesime më të shpejta. Qendrat do të vendosen në portin e Shëngjinit në detin Adriatik dhe në Gjadër. Rreth 3.000 vetë pritet të strehohen atje njëkohësisht. Qendrat do të menaxhohen nga Italia dhe do të funksionojnë këtë vit.

Shqipëria do të marrë pjesë në monitorimin e objekteve, por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin nga Parlamenti në fund të vitit të kaluar, pasi 30 deputetë të opozitës kërkuan që marrëveshja e migrimit me Italinë të shpallej jokushtetuese.

Megjithatë, ky pezullim nuk është përfundimtar. Rasti aktualisht është duke u shqyrtuar në gjykatë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë planifikon të nxjerrë vendimin e saj përpara datës 6 mars. Sipas disa informaciomeve vendimi pritet të hënën. Kryeministri Rama është shprehur se kishte besim se gjykata nuk do të gjente shkelje.

Fotografi: Alessandra Tarantino/AP Photo/picture alliance

Opozita italiane kritikon marrëveshjen

Gjatë debatit në parlamentin italian, politikanët e opozitës akuzuan kryeministren e krahut të djathtë Giorgia Meloni se i përdor refugjatët për "propagandën e saj zgjedhore". Ata thonë se marrëveshja do të ketë pak ndikim në numrin e emigrantëve në Itali, por do të jetë shumë e kushtueshme. Opozita vlerëson koston e marrëveshjes së migracionit gjatë pesë viteve në më shumë se 650 milionë euro.

Në Shqipëri, partitë opozitare thanë se marrëveshja shkel standardet ndërkombëtare për të drejtat e azilkërkuesve. Sipas tyre ajo do të ishte "e rrezikshme” edhe për sigurinë e vendit.

Amnesty International paralajmëroi gjithashtu për shkeljet e të drejtave të njeriut që mund të rezultojnë nga marrëveshja, veçanërisht për shkak të "ndalimit automatik dhe potencialisht të zgjatur" të migrantëve.

Von der Leyen e ka mirëpritur marrëveshjen

Italia ka kërkuar prej kohësh ndihmë nga vendet e tjera të BE-së për të strehuar dhjetëra mijëra emigrantë që mbërrijnë në vend çdo vit nga rruga e Mesdheut. Shqipëria shpreson të anëtarësohet në BE - kandidatura e saj është mbështetur fuqishëm nga Italia. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e përshëndeti marrëveshjen si një nismë të rëndësishme kundër migrimit të parregullt.

dpa/Zeit/epd