Parlamenti polak do të riorganizojë mediat e vendit
21 Dhjetor 2023Një javë pas ndryshimit të pushtetit në Poloni, Parlamenti ka miratuar një rezolutë që synon të rivendosë paanshmërinë e medias publike.
Ai thotë, për shembull, se në tetë vitet e fundit, transmetuesit publikë dhe agjencia e lajmeve PAP ishin bërë media partiake nën qeverinë nacional-konservatore të PiS. Këta kishin "kryer qartazi detyra propagandistike”. Ministria e Pjesëmarrjes Shtetërore, e cila ndërhyn në transmetuesit përmes organizatave pronësore, duhet të marrë tashmë masa korrigjuese.
Pas seancës parlamentare, në orët e vona të pasdites shumë deputetë të PiS-it u mblodhën para selisë së televizionit polak TVP, për ta "mbrojtur”, siç deklaruan në rrjetet sociale.
Riorganizimi i medias, prioriteti i Tuskut
Rezoluta nuk është befasi: riorganizimi i radios dhe televizionit publik është një nga prioritetet e mëdha të qeverisë së re proevropiane të Donald Tuskut. Kritikat drejtohen veçanërisht ndaj kanalit televiziv TVP.
Në zgjedhjet e 15 tetorit, një aleancë e tre ish partive opozitare të udhëhequra nga Tusk fitoi shumicën e qeverisë. PiS, në pushtet që nga viti 2015, humbi pushtetin.
OSBE: PiS "favorizohet qartë” në raporte
Organizatat ndërkombëtare kishin kritikuar prej kohësh mbulimin e njëanshëm të fushatës zgjedhore nga mediat publike. "Media publike është shndërruar plotësisht në një krah propagandistik të PiS në pushtet dhe shërben jo vetëm për të nxitur interesat e partisë, por edhe për të sulmuar dhe denigruar kritikët e saj”, thuhet në një raport të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), financuar kryesisht nga Komisioni Evropian.
Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE-së kritikoi transmetuesin publik për "favorizimin e qartë të PiS në raportimin e tij dhe në të njëjtën kohë duke treguar armiqësi të hapur ndaj opozitës". Ngjarjet sociopolitike u prezantuan sistematikisht në mënyrë të shtrembëruar dhe të njëanshme.
Zëvendësimi i krerëve të shërbimeve sekrete
Qeveria e re polake ka zëvendësuar gjithashtu krerët e shërbimeve sekrete të vendit dhe agjencisë kundër korrupsionit. Këtë e bëri të ditur dje edhe kryeministri Tusk. Krerët e mëparshëm të autoriteteve kishin shërbyer nën qeverinë e mëparshme populiste dhe euroskeptike të krahut të djathtë të partisë PiS.
Në një konferencë për shtyp, Tusku tha se pret një bashkëpunim "shumë të mirë, besnik dhe të disiplinuar" me shefat e rinj, të gjithë me përvojë të madhe në specialitetet e tyre.
Shefja e re e inteligjencës ushtarake do të jetë Dorota Gawecka. Agnieszka Kwiatkowska-Gurdak do të drejtojë Zyrën Qendrore Kundër Korrupsionit. Rafal Syrysko është emëruar kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës, Pawel Szot kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme dhe Jaroslaw Strozyk kreu i shërbimit të kundërzbulimit ushtarak.
ard