Parlamenti turk vendos marshimin e mundshëm të trupave ushtarake turke në Irak
18 Tetor 2007Votimi në parlamentin turk rezultoi ashtu siç pritej. 507 deputetë votuan për një ofensivë të mundshme ushtarake dhe 19 kundër. Përpara votimit, deputetët turq diskutuan në parlament mbi 2 orë. Zëdhënësi i qeverisë Xhemil Çiçek tha se ndonëse nuk e dëshiron marshimin e Turqisë në Irak, mundësia ekziston:
"Vendimi për të cilin flasim diskutohet nga opinioni publik si mënyra e vetme për të luftuar terrorizmin. Ky interpretim shkakton keqkuptime. Por është gjithashtu e vërtetë se nuk ekziston ende një zgjidhje për këtë problem. Sidoqoftë një ofensivë ushtarake është njëra nga mundësitë për ta luftuar problemin e terrorit."
Partia kurde, DTP ishte e vetmja parti kundër këtij vendimi. Kjo parti ka hyrë në parlament pas zgjedhjeve parlamentare në verë të këtij viti dhe shumë turq kanë shprehur shqetësimin e tyre se kjo parti ka marrëdhënie të mira me partinë e ndaluar kurde, PKK.
Deputeti i kësaj partie Selahetin Demirtas: "Një mision ushtarak përtej kufijve turq do të përkeqësojë ndjeshëm situatën në rajonet përkatëse. Një mision i tillë do të shkaktonte më shumë varfëri, më shumë papunësi dhe më pak liri. Parlamenti duhet të përqëndrohet më shumë tek masat e sigurisë. Parlamenti duhet të krijojë shpresën se do vërtet zgjidhje paqësore. Për këtë arsye ne do të votojmë kundër kërkesës për ndërhyrje ushtarake."
Aprovimi i deputetëve në Ankara nuk do të thotë në mënyrë automatike se parlamenti dha urdhërin për marshim. Ky vendim i lejon kryeministrit që të përdorë ushtrinë në rast domosdoshmërie, e ta dërgojë atë drejt Irakut. Por sidoqoftë mbetet ende hapur nëse ushtria turke do të marshojë vërtet drejt vendit fqinj për të luftuar rebelët e partisë kurde PKK. Vendimi i parlamentit turk mund të kuptohet fare mirë si një sinjal se populli turk qëndron i bashkuar dhe është i vendosur.
Ndërkohë zëvendëspresidenti irakian, Hashemi, i cili ndodhet ende në Turqi për të zhvilluar biseda dipolamtike, u shpreh se është i bindur që Turqia nuk do t´i dërgojë trupat e saj ushtarake në Irak. Vendi i tij do ta luftojë vetë PKK-në. Por Iraku ka nevojë për më shumë kohë, tha ai. Grupi separatist kurd PKK vlerësohet si nga Turqia, ashtu edhe nga Iraku, SHBA-s dhe BE-ja si organizatë terroriste.