110111 Linkspartei Kommunismus
12 Janar 2011Gesine Lötzsch tha se i kupton irritimet mbi debatin e shkaktuar prej saj lidhur me komunizmin. Por, ajo e ka thënë në mënyrë të qartë se objektivi i saj është socializmi demokratik. Partia "E majta" nuk është parti komuniste. Kjo thuhet edhe në artikullin që ajo ka shkruar për gazetën "Bota e re".
Gjermanolindorja, Gesine Lötzsch, e cila ndan që prej majit të vitit të kaluar postin e kryesimit të partisë me gjermanoperëndimorin Klaus Ernst, kujton se partia E majta e krijuar nga partia në pushtet në RDGJ, Partia e Unitetit Socialist, është shkëputur që në vitin 1990 nga stalinizmi dhe u ka kërkuar falje viktimave. Por Lötzsch theksoi se partia e saj lufton për një shoqëri në të cilën njerëzit të mos përjashtohen:
„Dhe kjo e përjashton që në parim stalinizmin dhe socializmin autoritar."
Kritikohet koncepti për komunizmin
Gregor Gysi, kryetar i fraksionit në parlament dhe kryetari i parë i partisë E majta pas rënies së RDGJ-së, përsërit kritikën e tij ndaj shprehjeve të Gesine Lötzsch-it për komunizmin. Ky koncept kuptohet në Gjermani në mënyra të ndryshme. Në lindje ky koncept lidhet me vizionin e një shoqërie pa klasa, si ai i parashikuar nga Karl Marx-i. Por kjo shoqëri nuk ka ekzistuar në RDGJ, tha Gysi duke iu referuar të vrarëve të murit. Në Gjermaninë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore u zhvillua një lloj antikomunizmi militant. Të gjitha këto duhet të merren parasysh:
„Pati shumë njerëz, që e quanin veten komunistë, dhe ata nuk kishin atë si synim. Ata kanë bërë shumë krime, nëse më lejohet të kujtoj Stalinin dhe Pol Potin.
Por Gysi e mbrojti Lötzsch-in ndaj akuzës se lufton për një shoqëri komuniste. Kjo është shpifje. Vetë Lötzsch-i e quajti veten në fillim të vitit politik në Berlin, si politikane që është demokrate "me mish e me shpirt". Por ajo refuzon që ta largojë fjalën komunizëm nga fjalori i saj, për t`i bërë në këtë mënyrë qejfin partive të tjera:
„Në çdo fushatë elektorale të landeve Bashkimi Kristiandemokrat dhe Kristiansocial si dhe partia e demokratëve të lirë paralajmërojnë për rreziqet e prurjes së komunizmit nga partia E majta. Shpresa, se komunizmin nuk do të na mbërrijë në vesh nëse nuk e themi me gojë, është e kotë, të dashur shokë dhe shoqe".
Koncentrim në tema të përbashkëta
Partneri i Gesine Lötzsch në krye të partisë, bavarezi Klaus Ernst, akuzoi se Partia e Majta u ka dhënë kundërshtarëve politikë shumë material viteve të kaluara. Kësaj i duhet dhënë fund menjëherë gjatë zgjedhjeve të vitit 2011:
„Në qendër të intervistave duhet të ndodhen temat tona dhe jo ato personale, të dashur shokë dhe shoqe."
Gregor Gysi, i cili akuzoi në fjalën e tij 40 minutëshe konkurencën politike për mungesë të të kuptuarit të demokracisë, shprehu përkrahje për kryetarin e partisë:
„Dhe nëse duam të fitojmë diçka atëherë duhet të organizojmë me sukses këto zgjedhje, për t`i dërguar shoqërisë një sinjal se duhet të ndryshojë. Kjo është detyra jonë politike, dhe këtë duhet ta realizojmë."
Shumë vetë mes Të majtëve besojnë se debati mbi komunizmin i ka shkaktuar dëme të rënda partisë. Nëse në zgjedhjet për landet perëndimore nuk do të arrihet futja në parlament, atëherë diskutimi për kursin e të majtëve do të shpërthejë plotësisht.
Autor: Marcel Fürstenau/Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi