Partia socialdemokrate fiton zgjedhjet parlamentare në landin e Meklenburg-Pomeranisë
4 Shtator 2011Kristiandemokratët (CDU) dalin të humbur, ndërsa të partia "E Majta" ka shënuar një fitore të lehtë. Për herë të parë në parlamentin e landit në Shverin do të jenë të përfaqësuar edhe ekologjistët, ndërsa liberal-demokratët nuk e arritën pragun e përfaqësimit parlamentar. Në Meklenburg-Pomerani të dielën u zgjodh një parlament i ri. 1,4 milionë zgjedhësve u ishte bërë thirrje të jepnin votën për të zgjedhur krahas parlamentit edhe kuvendet komunale si dhe këshillat bashkiake të landit. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 53,5%. Në bazë të rezultateteve preliminare fituese e qartë është SPD-ja me 36,8 %.
Rezultatet paraprake
CDU-ja humbet me një kuotë prej 23,8 %. Partia "E Majta" shënon një ritje të lehtë me 17,2%. Të gjelbërit e arritën përfaqësimin në parlament me 8,4 %. Liberal-demokratët (FDP)me 3,1% nuk e kaluan dot kuotën e 5%, që është e detyrueshme për përfasqësimin parlamentar. Eshtë ende e paqartë, nëse NPD-ja me 5,5% do t'ia dalë të futet në parlament. Rezultatet përfundimtare priten në mbrëmje vonë.
Erwin Sellering mbetet kryeministër
Fituesi i zgjedhjeve, kryeministri i landit Erwin Sellering (SPD), qëkurse dha votën në mëngjes në kryeqytetin e landit Shverin u shpreh optimist. Qëllimi i tij është, ta bëjë partinë e tij fraksionin më të fortë, e kësaj tani ai ia ka arritur. Ai nuk është shprehur ende lidhur me koalicionin e mundshëm qeveritar, nëse do të vazhdojë të bashkëqeverisë me kristiandemokratët, apo do të hyjë në koalicion me ekologjistët dhe të majtët. 61 vjeçari Sellering tha, se SPD-ja pesë vjet resht ka bashkëqeverisur landin me kristiandemokratët, ndërsa më parë ka qenë për tetë vjet resht në koalicion me të majtët (ish-partia PDS).
Për 71 mandatet në parlamentin e landit veri-lindor të Gjermanisë ishin në garë 341 kandidatë. Numri i partive në garën elektorale ishte 16.
Autor: V. Filaj-Ballvora(dpa)