1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD publikoi emrat e ministrave të qeverisë federale

6 Dhjetor 2021

Eksperti socialdemokrat i shëndetësisë, Lauterbach do të bëhet Ministër Federal i Shëndetësisë. Këtë e bëri të ditur SPD gjatë prezantimit të listës së kabinetit të tij në Berlin.

Vorstellung der SPD-Minister
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

SPD është e fundit nga tre partitë e "semaforit" që ka emëruar ministrat e saj për qeverinë e ardhshme.

Karl Lauterbach e merr postin nga politikani i CDU-së, Jens Spahn. Lauterbachu tha se do ta fitojë betejën kundër pandemisë Corona. Ai premtoi edhe fuqizim të sistemit shëndetësor.

Spahn uron

Ministri Federal i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, përgëzoi pasardhësin e tij të caktuar, Karl Lauterbach. Për këtë detyrë të rëndësishme dhe të vështirë, por edhe shumë të bukur, ai i uron suksese dhe dorë të mbarë, shkroi politikani i CDU-së në Twitter. Menaxhimi i kësaj pandemie mbetet një detyrë e përbashkët.

Për herë të parë një ministre federale e Brendshme

Ministrja e ri e Brendshme do të jetë Nancy Faeser, kryetare e socialdemokratëve për landin federal të Hessen-it. Ministër i Punës mbetet ministri aktual Hubertus Heil. Ministrja aktuale e Drejtësisë, Christine Lambrecht merr Ministrinë e Mbrojtjes. Portofolin e Ndërtimit dhe Banimit e merr Klara Geywitz, deputete e parlamentit të landit të Brandenburgut. Së bashku me Geywitz-in, Scholz-i kandidoi para dy vjetësh pa sukses për të kryesuar partinë socialdemokrate gjermane, SPD.

Olaf Scholz, Wolfgang Schmidt, Svenja Schulze, Karl Lauterbach, Nancy Faeser, Christine Lambrecht, Klara Geywitz, Hubertus Heil Fotografi: picture alliance/dpa

Ministrja e deritashme Federale e Mjedisit, Svenja Schulze do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit. Shefi i ri i Kancelarisë Federale është i besuari i Scholz-it, Wolfgang Schmidt.

Pasdite, të Gjelbrit duan të shpallin vendimin e tyre për marrëveshjen e koalicionit qeveritar. SPD dhe FDP kanë rënë dakord tashmë për të në fundjavë.

Më shumë femra se meshkuj

SPD është e fundit nga tre partitë e semaforit, që i shpall emrat e ministrave të saj. Scholz-i theksoi se e konsideronte të drejtë që SPD duhet të dërgonte katër femra dhe tre meshkuj në qeverinë e ardhshme. Gjysma e popullsisë përbëhet nga gra. Prandaj atyre duhet t'u jepet edhe gjysma e pushtetit.

aud (dpa, br, dlf)