1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë shqiptare të përçara në prag të zgjedhjeve në Maqedoni

Fatos Musliu5 Maj 2011

Intensifikohet në Maqedoni aktiviteti i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Formimi i koalicioneve parazgjedhore në kampin shqiptar ka dështuar edhe në këto zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshmeFotografi: AP

Partitë politike maqedonase në disa vitet e fundit janë të ndara në dy blloqe duke formuar koalicione të mëdha parazgjedhore, gjë që nuk mund të thuhet për partitë shqiptare. Iniciativat e shumta për unifikimin e votës shqiptare përmes formimit të koalicioneve parazgjedhore kanë dështuar edhe për këto zgjedhje.

“Jemi përpjekur të ndërtojmë ura komunikimi me partitë shqiptare dhe me komunitetet tjera. Të gjitha këto kanë mbetur në nivel të bisedimeve, në nivel të mirëkuptimeve për të vazhduar bashkëpunimin pas zgjedhjeve sipas numrave dhe forcës që ato do ta kenë pas zgjedhjeve”, është shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Mungesa e emancipimit

Analisti politik Artan Sadiku është i mendimit se mosformimi i koalicioneve parazgjedhore tek blloku i partive politike shqiptare ndodhë për shkak të mosprofilizimit të asnjë force politike si më e fuqishmja. Të gjitha partitë politike shqiptare pretendojnë të jenë parti kryesore të cilave duhet tu' bashkangjiten partitë tjera.

Liderët e shqiptarëve të përçarë.Fotografi: DW

“Prej këtu rrjedhimisht asnjë prej liderëve nuk donte të ishte i dyti apo gjysma e liderit në një koalicion të tillë ndërpartiak. Gjitmonë ata kanë tentuar të jenë liderë kryesorë, me qëllim që mos ta humbin primatin e të qenit i pari dhe lider kryesor i një partie politike”, vlerëson Artan Sadiku.

Për mosformimin e koalicioneve parazgjedhore në kampin e partive shqiptare ka ndikuar mungesa e emancipimit politik të garniturave udhëheqëse partiake, të cilat kanë edhe mungesë të kapaciteteve demokratike , thotë analisti Naser Ziberi.

“Profilizimi i karakterit politik i partive shqiptare nuk është kryer asnjëherë dhe kjo ndarje majtas - djathtas nuk egziston. Partitë politike shqiptare ende politikisht dhe ideologjikisht janë të paprofilizuara”, shprehet Ziberi.

Rëndësia e votës së unifikuar

Unifikimi votës shqiptare para ose pas zgjedhjeve është i domosdoshëm me qëllim që pas zgjedhjeve të kushtëzohet mandatari i qeverisë së ardhshme me plotësimin e kërkesave të shqiptarëve. Kështu do të ndërtohet një pozicion i fuqishëm politik të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament dhe në qeveri, vlersojnë analistët politikë.

Kujt do t'i shkojnë votat?Fotografi: AP

“Në një situatë të tillë ku të gjitha partitë garojnë kundër njëra tjetrës, më së shumti pësojnë qytetarët sepse atyre u turbullohet zgjedhja eventuale që mund ta kenë me paraqitjen e ofertave të ndryshme, të cilat janë në të shumtën e rasteve divergjente me njëra tjetrën”, shprehet Artan Sadiku.

Mungesa e bashkëpunimit në prag të zgjedhjeve ndikon në uljen e numrit të deputetëve shqiptar në parlament, thotë Naser Ziberi. “Numri i deputetëve shqiptarë sigurisht që për dy apo tre vende do të jetë më i vogël, si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe kalocionit parazgjedhor”, shpjego ai. Afati përfundimtar për paraqitjen e listave dhe koalicioneve parazgjedhore skadon me 6 maj.