1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Ligj dhe drejtësiGjermani

Dënim pas 50 vjetësh për plumbin tinzar pranë Murit

15 Tetor 2024

Një ish-oficer i Stasit, sigurimit të shtetit të RDGJ vrau një burrë në pikën kufitare të RDGJ në Friedrichstrasse, rreth 50 vjet më parë. Gjykata e landit të Berlinit e dënoi tani me dhjetë vjet burg.

Procesi gjyqësor kundër ish-oficerit të Stasit, pamje nga gjykatësit dhe i pandehuri me kurriz
Procesi gjyqësor kundër ish-oficerit të StasitFotografi: Sebastian Gollnow/dpa/picture alliance

Një ish-agjent i Stasi-t,  sigurimit të shtetit të RDGJ, është dënuar me dhjetë vjet burg nga Gjykata e Landit të Berlinit për një vrasje në pikëkalimin kufitar të stacionit Berlin-Friedrichstraße në vitin 1974.

Të hënën, gjykata e konsideroi të provuar se tashmë i dënuari, 80-vjeçari, kishte qëlluar një shtetas polak gjatë një operacioni të Stasi-t në zonën e tranzitit të stacionit të trenit. Ky është dënimi i parë për vrasje ndaj një ish-punonjësi të Stasit. Prokuroria kishte kërkuar më parë dymbëdhjetë vite burg.

Komisionerja e Brandenburgut për Pasojat e Diktaturës Komuniste, Maria Nooke, e përshëndeti vendimin. Është në përputhje me vlerësimin historik të rastit, tha Nooke. Gjyqi tregon rëndësinë e rivlerësimit ligjor dhe shoqëror të padrejtësisë së RDGJ deri sot.

Në vitin 1974, polaku Czesław Kukuczka u qëllua për vdekje në pikën kufitare Friedrichstraße, me sa duket nga një agjent i Stasit.

Czesław Kukuczka u qëllua për vdekje në pikën kufitare FriedrichstraßeFotografi: AIPN, Kr 010.1975

Hetimet nuk përparuan për një kohë të gjatë

Sipas aktakuzës, togeri i atëhershëm e qëlloi viktimën 38-vjeçare në shpinë nga një distancë prej dy deri në tre metra në pikën më të ngarkuar kufitare midis Lindjes dhe Perëndimit më 29 mars 1974. Në momentin e krimit, i akuzuari i përkiste një grupi operacional të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit të RDGJ-së dhe ishte ngarkuar të "neutralizonte" polakun, pasi ai u përpoq ta arratisej përtej Murit të Berlinit duke kërcënuar me një bombë.

Avokati mbrojtës i të dënuarit gjerman kishte kërkuar pafajësinë. Burri kishte qëndruar i heshtur gjatë gjyqit. Avokati i tij mbrojtës fillimisht kishte deklaruar se ai i mohonte akuzat. Hetimi i çështjes nuk eci për shumë vite. Sipas prokurorisë së Berlinit, vetëm në vitin 2016 doli një e dhënë vendimtare për identitetin e mundshëm të qitësit nga dosjet e Stasit. Megjithatë, autoritetet fillimisht supozuan se ishte një vrasje pa paramendim. Në një rast të tillë, krimi do të ishte parashkruar. Në fund, megjithatë, prokuroria vlerësoi se kriteri i vrasjes me paramendim plotësohej.

I pandehuri i mohoi akuzat në fillim të gjykimit

Sipas aktakuzës, viktima ishte një burrë, i cili më parë kishte hyrë me një bombë të rreme në ambasadën polake në Berlinin Lindor të atëhershëm, për të imponuar që ta dërgonin në Perëndim. Forcat e ndërhyrjes të sigurimit të shtetit i kishin dhënë atij përshtypjen se se do ta lejonin të largohej nga vendi. Por mesa duket ata kishin vendosur ta vrisnin 38-vjeçarin.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, i cili atëherë ishte 31 vjeç dhe anëtar i të ashtuquajturit grup operativ të Stasit, i kishtë zënë pritë, në zonën e tranzitit të pikës së fundit të kontrollit i fshehur dhe e kishte qëlluar viktimën pas shpine nga distanca pak më pak se dy metra. Në fillim të procesit gjyqësor në muajin mars, i pandehuri 80-vjeçar e mohoi akuzën.