Pas Bin Ladenit
1 Maj 2012Ai vdiq pas një beteje 40-minutëshe mes truprojat e tij dhe njësive speciale amerikane duke u gdhirë 2 maji në qytetit pakistanez Abbottabad. Prej këtu terroristi më i kërkuar në botë dërgonte kërcënimet e veta të cilat i preokuponin, edhe pse sot ne e dimë se ndikimi i tij ishte mjaft i kufizuar. "Pra me vrasjen e Bin-Ladenit Al-Kaida ka humbur një figurë simbolike, sepse Osama bin Laden vetë nuk kishte më ndonjë ndikim në përgatitjen operative të akteve terroriste," - thotë eksperti i terrorizmit Rolf Tophoven në bisedë me DW.
Figura e humbur e drejtuesit
Pas 9/11 Bin Laden ishte kryesisht një njeri që përndiqej dhe nuk kishte vend ku të tërhiqej. Figura simbol e terrorit botëror islamik u bë e padobishme për operacionet e Al-Kaidës. Financuesi i dikurshëm i pasur nga Arabia Saudite qe kthyer në vendin ku rrinte fshehur në një rrezik, dhe gllabëronte burime të pafundme parash. Menjëherë pas vdekjes së tij, eksperti pakistanez për talibanët, Ahmed Rashid, shkruante për Berliner Zeitung: "Qindra xhihadistë do të vajtojnë sot dhe do të betohen se do të japin jetën e tyre për t'u hakmarrë për Bin Ladenin". Por vdekja e Bin Ladenit nuk pati ndonjë efekt të madh mobilizimi dhe shërbeu vetëm në mënyrë të kufizuar për legjendën e martirit. Nga perspektiva e sotme, vdekja e Bin-Ladenit është, sipas mendimit të Guido Steinberg, studiues i terrorizmit, për Al-Kaedën sidomos në një drejtim e rëndë: "Ajo që ka ndryshuar është se një lider shumë i rëndësishëm u asgjësua dhe deri tani Al-Kaida ende nuk ka gjetur ndonjë zëvendësues adekuat që të ketë karizmën e Osama bin Ladenit".
Deficiti i Al-Savahirit në karizëm
Ajo që të bie në sy është sidomos mungesa e konsiderueshme e figurave udhëheqëse të identifikueshme në krye të organizatës. Mjeku egjiptian Aiman al Zavahiri që zuri pas vdekjes së Bin Landit vendin e tij në krye të organizatës, doli vërtet shumë shpejt në skenë. Por al Zavahirit, i cili ka qenë që nga viti 1990 zëvendësi i Bin Ladenit, dhe konsiderohej edhe para vdekjes së tij si kreu strategjik i rrjetit, i mungon megjithatë karizma e paraardhësit të vet. "Osama bin Laden përfshinte edhe vetëm nëpërmjet personalitetit të tij, të mëdhenj e të rinj në botën arabe, në botën perëndimore, por edhe në Azinë Jugore. Ajman al Zavahiri nuk bën për vete askënd. Ai respektohet, por nuk është aq i dashur sa Osama bin Laden " - mendon studiuesi i terrorizmit Guido Steinberg, në intervistën për DW. Numri 2 i Al-Kaidës është faktikisht Al Libi. Por përveç mesazheve në internet vitin e kalur nuk është dëgjuar shumë prej tij.
Qendra të reja dhe të vjetra graviteti
Ekspertët besojnë se shqetësimi për sigurinë e tyre ka bërë që udhëheqja e re e rrjetit terrorist dëshiron të qëndrojë kryesisht e padukshme. Guido Steinberg tërheq vëmendjen edhe për disa kuadro kryesorë të organizatës, që janë në Iran nën arrest shtëpie, por të cilëve që nga viti 2009 u është dhënë "pak më shumë liri lëvizjeje". "Një pikëpyetje shumë e madhe për muajt dhe vitet e ardhshëm është deri në çfarë mase kjo 'udhëheqje iraniane' e Al-Kaidës mund të marrë përsipër luajë një rol", thotë Steinberg.
Ndërkohë kanë dalë disa qendra të reja graviteti për Xhihadin. Përveç Vaziristanit Verior dhe Jugor, zona të vështira për të kontrolluar në territorin e Pakistanit në kufi me Afganistanin, ku dyshohet se ka ende shumë anëtarë të bërthamës së Al-Kaidës, sipas ekspertit Rolf Tophoven gjurmët të çojnë edhe "në Irak, ku ka gjithashtu komando të Al-Kaidës, apo në Gadishullin Arabik, veçanërisht në Jemen. "Sidomos në Jemen, islamikët e armatosur po shfrytëzojnë trazirat politike dhe zhvillojnë prej muajsh beteja të ashpra me forcat e sigurisë në vend. Madje Al-Kaida arriti përkohësisht të vërë nën kontrollin e vet fshatra të tëra në jug të vendit.
Degëzimet e Al-Kaides
Pas vdekjes së Bin Ladenit po tërheqin vëmendjen edhe organizata të tjera terroriste si Boko Haram në Nigeri apo Al-Shabab në Somali. Boko Haram është një sekt radikal islamik, qëllimi kryesor i të cilit është që t'ia nënshtrojë shtetin multi-etnik të Nigerisë, me më shumë se 160 milionë banorë, ligjit islamik të Sheriatit. Lëvizja është fajësuar si përgjegjëse për vrasjen e qindra të krishterëve në Nigeri. Kurse Al-Shabab kontrollon pjesë të Somalisë dhe ka marrë në të kaluarën përgjegjësinë për disa sulme të rënda me bomba në vende të tjera afrikane.
Sipas vlerësimeve të ekspertëve edhe në Evropë është shfaqur një tip i ri terroristësh me frymëzim islamik. Mohamned Merah, i cili kishte vrarë në Tuluzë të Francës shtatë vetë, ndër ta tre fëmijë në një shkollë hebreje, e quante veten muxhahedin dhe deklaronte se ishte i afërt me Al-Kaidën. Edhe Arid Uka që vrau në në shkurt 2011 dy ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit klasifikohet prej ekspertëve në këtë kategori. Në BE mendohet se duhet të ketë rreth 400 persona që i takojnë kësaj lloj kategorie. Sipas të ngarkuarit të BE-së për terrorizmin, Gilles de Kerchove, shumica e tyre jetojnë në Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe dhe Belgjikë.
Autor: Daniel Scheschkewitz / Pandeli Pani
Redaktoi: Esat Ahmeti