1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas jo-së se francezëve dhe holandezëve Britania e Madhe shtyn pa afat referendumin për kushtetutën e BE-së

7 Qershor 2005

Vendimi i qeverisë britanike për ta shtyrë për një periudhë pa afat referendumin e planifikuar për kushtetutën e BE-së është sot një nga temat më të komentuara në shtypin gjerman.

Fotografi: dpa

E përditshmja "Die Welt" shkruan: "Britanikët po e mbrojnë plot dinjitet imazhin e tyre si realistë. Në një kohë që një sërë kryeministrash bashkë me ekipin përreth Presidentit të Komisionit të BE-së Barrozo jo-së së francezvë dhe holandezëve po i kundërpërgjigjen me gjysmë zëri dhe me një shprehje të thënë nga e keqja se "do të vazhdojmë kështu", Londra deklaron fare esëll atë që sheh: dy vende kyçe evropiane e kanë refuzuar kushtetën. Pikërisht Britania e Madhe, demokracia më e vjetër, jeton qysh prej kohësh pa kushtetë. Madje ky vend as që e kupton, se përse një situatë e tillë duhet të jetë e papranueshme për BE-në. Urgjente do të ishte që t´i përkushtohesh asaj çka ke. ... Parisi dhe Berlini nuk mund ta besojnë seriozisht, se do të mund të vazhdojnë të përcaktojnë fatet e Evropës nëpër raunde ekskluzive. Këtë duhet t´ia kujtojë Shrëderit vendimi i Londrës."

Në mënyrë të ngjahsme komenton edhe "Shtutgarter Nachrichten": "Sikur të mos kishte non të francezëve dhe as nee të holandezëve, Shrëderi dhe Shiraku, kërkojnë të vazhdojë ratifikimi kombëtar për kuhstetutën e BE-së. Kjo nën moton: zgjedhësit nuk e dinë se ç´është mirë për ta, ndaj ne e injorojmë vullnetin e tyre. Se si mund të behët ndryshe këtë e tregon Toni Bler. Kryeministri britanik e vlerëson si duhet situatën dhe zbaton me ndjenjë të hollë vullnetin e bashkëatdhetarëve të vet. Kjo i hap atij shanse, që të mund të prezantohet si një ndërmjetësues i ndershëm midis interesave: një kryetar shteti që i thotë po Evropës, por që edhe i vlerëson me seriozitet shqetësimet e kundërshtarëve të saj. Në këtë mënyrë si kryetare e radhës së këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti Londra mund t´i çojë përpara në mënyrë të besueshme reformat e nevojshme."


E Përditshmja "Kölnische Rundschau" konstaton: "Edhe nëse disa nuk duan ta besojnë: kushtetuta e BE-së nuk ka marrë fund. Britania e Madhe do ta shtyjë procesin e ratifikimit. ... Më shkoqur kjo presupozon që ekziston vullneti për t´i lënë pak kohë Gjermanisë dhe Francës që të ambjentohen me atë që ishte e pashmangshme. Megjithatë s´ka dyshim se nga perspektiva britanike çështja nuk qëndron më: se si mund ta shpëtojmë kushetutën, por se si do të jetë orientimi i ardhshëm i Evropës? Pikërisht këtu ndahen mendimet."

Edhe gazeta "Ostthüringer Zeitung" hapin e Britanisë së Madhe e konsideron si fundin e kushtetutës: "Britania e Madhe e varrosi kushtetutën. Dheu mbi varr u hodh me kortezi, por kjo nuk ndryshon asgjë në rezultat. Të shtyshë nuk do të thotë asgjë tjetër veçse lamtumirë përgjithmonë. Në ishull duket se nuk shtrohet më çështja e shqyrtimit parimor të idesë evropiane. Disa përpjekje të kontraktuara në Bruksel për ta intepretuar disi votën e dy vendeve themeluese të BE-së çon vetëm ujë në mullirin e skeptikëve të BE-së."

Ndërsa për komentatorin e "Badischer Neuseten Nachrichten" vendimi i britanikëve është si një goditje çliruese: "Me refuzimin e tij të kamufluar Bleri ka vrarë dy miza me një të goditur: në politikën e jashtme dhe në atë të brendëshme. Një plebishit mbi temën Evropa, gjatë të cilit pothuajse skajshëm do të përqëndrohej vëmendja tek teksti i vështirë i kushtetutës, në stadin aktual Bler do ta kish humbur padiskutim. Ndërkohë ishulli ngrohet në diellin e bumit që po përjeton, ndërsa në Gjermani dhe në Francë motorri i ekonomisë është bllokuar, e kjo është vendimtare."

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Thüringer Allgemeine": "Toni Bler i bëri bisht punës. Momenti ishte i përshtatshëm. Ndonëse kryeministri britanik ashtu si edhe të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së premtuan se do ta ratifikojnë kushtetutën, jo-ja e francezëve dhe e holandezëve shkaktoi turbulli. Presidenti Shirak është goditur rëndë dhe ka humbur autoritetin e nevojshëm për të mbrojtur çështjen evropiane. Kancelari Shrëder ndodhet vetëm me një këmbë në pushtet. E pikërisht tani Bleri ua e lë punën të tjerëve paçka se referendumi do të organizohej pas një viti. Atij i ish ngarkuar detyra më e vështirë që përkundër skepticizmit tradicional të ishullit të shpëtonte kushtetutën e BE-së. Por shmangia ndaj detyrimeve me një burracakëri të tillë e kthen Evropën shumë prapa."