Pas ndihmave për Irlandën: Çfarë do të ndodhë më tej?
30 Nëntor 2010
BE-ja vazhdon të ketë frikë për stabilitetin e euros, por premisat e ekonomisë duket se po përmirësohen. Komisioni i BE-së përmirësoi parashikimet e tij për rritjen e ekonomike në krahasim me prognozën e pranverës, pjesërisht madje dukshëm. Kështu pritet të ulen deficitet, papunësia po reduktohet ngadalë, dhe inflacioni pritet të mbetet në nivele të moderuara. Pritjet për rritjen ekonomike do të dobësohen disi vitin e ardhshëm, por rritja edhe gjatë 2011-s do të jetë më e mirë nga sa parashikohej në pranverë. Megjithatë ky parashikim është vetëm një mesatare për 27 vendet anëtare. Zhvillimi në vendet e veçanta aktualisht është shumë i ndryshëm, thotë komisioneri i BE-së për politikën monetare Olli Rehn:
"Duhet pranuar se kemi një ndarje në Evropë. Në radhë të parë Gjermania ka dalë shumë e fortë nga kriza. Kjo vlen edhe për disa vende anëtare nga Evropa Qendrore dhe Veriore. Në të njëjtën kohë vendet në jug të Evropës dhe Irlanda kanë vështirësi të qarta, kryesisht për shkak të problemeve në konsolidimin financiar".
Rritja ekonomike e Gjermanisë gëzon BE-në
Për rritjen në Gjermani Rehn nuk gëzohet vetëm për faktin që kështu ajo merr rolin e lokomotivës në BE. Komisioneri theksoi gjithashtu, se në Gjermani është në rritje edhe kërkesa e brendshme. Kjo lidhet me shpresën, që disbalancat e mëdha në bilancet tregtare në Evropë, të reduktohen ngadalë.
Rehn shpjegoi edhe njëherë ndihmën për Irlandën, pasi tregjet nuk kanë reaguar si pritej, pas vendimeve të ministrave të financave të dielën (28.11.).
"Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për të siguruar stabilitetin financiar të Evropës. Si gjithmonë, duhet kohë për të rifituar besimin e humbur. Për këtë na duhen një mënyrë veprimi shumë konsenkuente dhe e vendosur në disa fusha. Ne e dimë këtë dhe do ta bëjmë", theksoi Rehn.
Rehn ka besim se Irlanda do të dalë nga kriza
Sipas komisionerit të BE-së, ekonomia irlandeze është në të vërtetë e shëndoshë:
"Irlanda ka të dhëna bazë ekonomike shumë të forta. Kjo bazë e qendrueshmë, e gërshetuar me zbatimin me vendosmëri të programit të konsolidimit, pritet të ndihmojë, që vendi të rikthehet në shtegun e rritjes së fortë dhe të qendrueshme ekonomike, duke ruajtur njëkohësisht kontekstin social".
Për situatën në Portugali, Rehn deri tani nuk ka thënë fjalë kaq të qarta. Shumë druhen se Portugalia do të jetë vendi i ardhshëm, që do t'i drejtohet ombrellës së shpëtimit të BE-së.
Autor: Christoph Hasselbach, Eliana Xhani
Redaktori: Mimoza Cika-Kelmendi