Bilanc i përzier
31 Dhjetor 2012Vetëm para pak javësh vëmendja e opionit botëror ishte përqendruar tek forumi i lartë i OKB-së. Në diskutim ishte çështja, nëse Palestina do të njihet si vend jo anëtar me stausin e vëzhguesit. Gjermania abstenoi në këtë çështje kaq të rëndësishme për konfliktin e Lindjes së Mesme – ajo u lëvdua prej shumë vëzhguesve për këtë vendim.
Në fund të vitit Republika Federale Gjermane pas rotacionit të antarësisë dyvjeçare në Këshillin e Sigurimit, si vend me anëtarësi jo të përhershme, largohet nga ky forum duke u kthyer në pozicionin e anëtares së thjeshtë në OKB. Por krahas fjalëve të mirënjohjes Gjermania ka marrë edhe kritika lidhur me qëndrimin e saj ndaj çështjes së Libisë.
Kritika ndaj abstenimit për Libinë
Zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate të Gjermane (SPD), Rolf Mützenich, në intervistë për DW bën këtë bilanc për kontributin e Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit: "Unë besoj, se qeveria federale është përpjekur të vendosë të rend të ditës tema, të cilat zakonisht nuk janë në fokus, veçanërisht sa i përket çështjes së fëmijëve në luftë. " Ambasadori gjerman në OKB Peter Wittig dhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle kanë futur në rend të ditës edhe politikën ndaj klimës dhe janë përpjekur për një politikë moderne ndaj Afganistanit.
Është hera e pestë në historinë e OKB-së, që Gjermania ka mundur të bashkëvendosë për paqen botërore dhe sigurinë ndërkombëtare. Megjithatë pushteti i saj ishte i kufizuar, sepse anëtarët jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit nuk kanë të drejtë vetoje dhe pas dy vjetësh atyre u duhet të largohen nga ky forum. Forcën e vërtetë të vendimmarrjes e kanë anëtarët e përhershëm: Britania e Madhe, Franca, Rusia, Kina dhe SHBA-ja.
Gjermania abstenon
Dy vendime e karakterizojnë bilancin për Gjermaninë. Më 17 mars 2011 Këshilli i Sigurimit votoi për Libinë. Rezoluta synonte të nxiste rrëzimin e diktatorit Muammar al-Gaddafi. Ndërsa të gjithë aleatët perëndimorë të Gjermanisë votuan për sulmet nga ajri, Republika Federale abstenoi – bashkë me Rusinë, Kinën, Brazilin dhe Indinë.
"Unë besoj, se vendimi i qeverisë federale, për të abstenuar duke u bashkuar me qëndrimin e vendeve si Rusia apo Kina, nuk ishte i dobishëm“, thotë Mützenich. "Ky qëndrim nuk korrespondon as me çështjen e përgjegjësisë së Gjermanisë në këtë konflikt dhe as me zhvillimin e mëtejshëm të një çështjeje të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, që është mbrojtja e individit.“
Zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të kristiandemokratëve / kristiansocialëve, Philipp Mißfelder, pavarësisht komenteve negative nuk sheh arsye për shqetësim: "Unë mendoj, se në përgjithësi ia kemi dalë shumë mirë, që ta korrigjojmë këtë defekt të vogël. Nuk ka asnjë dyshim, që Gjermania u përgjigjet detyrimeve të saj në aleancë, vlen të theksoj këtu rastin me sistemin e raketave Patriot për Turqinë. Ne jemi një partner besnik në aleancë."
Vendimi në OKB bazuar tek politika e brendshme
Profesori në shkencat politike nga Mynsteri, Sven Bernhard Gareis, thotë, se vendimi për abstenim ka të bëjë edhe me moskoordinimin e qartë. "Interpretimi im është: Ne natyrisht përpara këtij debati dhe para marrjes së këtij vendimi, kishim përcaktuar se as që shtrohet çështja e pjesëmarrjes me mjete ushtarake dhe se nuk do të angazhoheshim për një zgjidhje ushtarakisht të kësaj çështjeje.“
Deri në fund dukej, sqaron Gareis, sikur edhe SHBA do të mbante këtë qëndrim. Ndryshimi i mendimit tek amerikanët erdhi vetëm një natë para marrjes së vendimit. "E në këtë drejtim Gjermania natyrisht që e kishte përcaktuar në politikën e brendshme qëndrimin e saj. Unë mendoj, se paskëtaj, sa kishte të bënte me politikën e brendshme, nuk dëshirohej një kthim prapa“, thotë për DW profesor Gareis.
Solidaritet dhe kritikë
Krahas çështjes së Libisë imazhin publik e dominoi edhe vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për pranimin e Palestinës si një vend jo anëtar me statusin e vëzhguesit. Me këtë vendim Berlini mundi të bëjë të qartë solidaritetin me Izraelin duke mos votuar për këtë. Por njëkohësisht Gjermania nuk votoi me Jo, gjë që mund të kuptohet si kritikë ndaj politikës izraelite të ngulimeve.
"Kundrejt Izraelit është dhënë sinjal i qartë, po ne shohim këtu një detyrim krejt të veçantë, ne shohim këtu një miqësi të ngushtë me shtetin e Izraelit dhe popullin izraelit“, vë në dukje politologu Garais. "Por gjithashtu u bë e qartë, se nuk pranohet politika e ngulimeve, që ndjek ndërkohë qeveria nën kryeministrin Netanjahu. Kjo politikë shihet nga qeveria federale si një pengesë e madhe në rrugën e një zgjidhjeje me dy shtete."
Antarësimi i përhershëm i pamundur
Pas disa vjetësh Gjermania sërish mund të bëhet anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit. Por një anëtarësim i përhershëm, sipas mendimit të ekspertëve është i pamundur. "Unë u them gjithmonë studentëve të mi: Në kohën sa unë jam aktiv nuk do ta përjetoj, që të ketë një reformë të Këshillit të Sigurimit, në fund të së cilës të ketë anëtarë të rinj të përhershëm, kushdo qofshin këta anëtarë të përhershëm“, thotë Garais.
Krahas shumicës së dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme duhet që një kartë e re e OKB-së të ratifikohet edhe nga dy të tretat e të gjithë vendeve anëtare. Gjithashtu ajo duhet ratifikuar edhe nga të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Në rast se qoftë edhe njëri prej tyre është kundër, i gjithë procesi bllokohet.