1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas studimeve pasunivertare në Gjermani Gentian Rushi ka ngritur në Shqipëri një bërthamë muzikore xhazi

13 Tetor 2009

Në aktivitetet e Tetorit Gjerman 2009, protagonistët janë nga sfera të ndryshme të artit e kulturës. Pjesë e axhendës është dhe projekti "Mesaxheri i xhazit" me ideator dhe realizues Gentian Rushin.

Muzikani dhe pedagogu Gentian Rushi.Fotografi: Arben Muka

Genti e kalon pjesën më të madhe të ditës mbi tastierën e pianos, mbi partitura, por edhe duke menaxhuar aktivitetet me nxënësit dhe studentët e tij. Adhurimi i tij për muzikën xhaz nuk është më thjesht vetëm një ambicie personale. Ai kërkon që të zgjerojë gjithnjë e më shumë rrethin e fansave të këtij zhanri. Për të mos i lënë gjërat thjesht të shtyhen nga spontaniteti dhe amatorizmi. Dhe investimi i tij disavjear ka nisur të japë fryte. Muzika xhaz është tashmë pjesë e kurikulës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku pedagogu i kësaj lënde është Gentian Rushi.

Logo e tetorit gjerman në TiranëFotografi: Arben Muka

Gjithçka nisi me një bursë njëvjeçare për studime pasuniversitare në Gjermani, përmes Institutit "Gëte" dhe DAAD-it.

"Në Essen shkova për plotësuar një ëndërr timen, për të shkuar në një shkollë xhazi, për të studiuar atje. Gjëja, që më pëlqeu më shumë ishte se që kur u nisa nga Shqipëria e dija shumë mirë se çfarë do të bëja. Çfarë do të arrija në fund, sigurisht duke punuar. Plus kësaj dhe kontaktet kanë qënë shumë të mira atje. Se jo vetëm kam studiuar, por kam shkëmbyer dhe eksperienca me muzikantë, kolegë të mi, jo vetëm gjermanë, por dhe të nacionaliteteve të tjera. Ajo, që dua të nënvizoj për Shkollën e Essen-it, veçanërisht për departamentin e xhazit atje, është që niveli i artistëve, që jepnin mësim dhe niveli i studentëve, që merrnin dije, ishte vërtet në majat më të larta të kësaj muzike".

Muzikanti Gentian Rushi në pianoFotografi: Arben Muka

Genti thotë se ishte me fat që udhëheqës në kualifikimin e tij kishte prof. Thomas Hufschmidt, një pianist me karrierë ndërkombëtare me një background brilant artistik brenda dhe jashtë Gjermanisë. Prof. Hufschmidt do të vazhdonte mbështetjen e Gentian Rushit dhe pas mbarimit të kualifikimit njëvjeçar në Gjermani, duke synuar krijimin e një bërthame muzikantësh nga rradhët e nxënësve të shkollave të mesme dhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, që kishin dëshirë të afroheshin dhe të performonin muzikën xhaz. Genti ka zhvilluar mjaft workshop-e dhe kurse me muzikantët e rinj. Një rezultat i parë i projektit afatgjatë është pjesömarrja e tyre në Tetorin Gjerman me një koncert të veçantë.

Pika mbi "i" është koncerti në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, më datën 19 tetor.

Me nxënës të shkollave të mesme të muzikës, studentë të klasës së xhazit, si dhe një pjesë të muzikatëve, që luajnë këtë muzikë në Shqipëri. Plus që do të kemi dhe si të ftuar special, prof. Thomas Hufschmidt, që do të luajë bashkë me ne, si dhe do të bëjë dhe një trajnim me muzikantët e rinj", thotë Genti për DW.

Studentë të një shkolle të lartë muzikoreFotografi: Bodo Hartwig

Ai ka të hapura dhe projekte të tjera, të cilat i lidh po me Gjermaninë. Do të regjistrojë në studion e Shkollës së Essen-it albumin e tij të parë me pjesët e tij më të mira. Ky objektiv i tij përputhet në kohë me një event të jashtëzakonshëm për qytetin e Essen-it. Vitin e ardhshëm ai do të jetë kryeqyteti kulturor i Europës.

"Dua të shkoj të ndjek mjaft veprimtari, që do të bëhen atje. Unë kam përfituar shumë jo vetëm nga shkolla, por dhe nga koncertet, performancat, që organizoheshin aty. Kam parë në Essen nga artistët më të mirë të botës. Ndaj dhe vitin e ardhshëm dua të jem sërish në këtë qytet të muzikës dhe artistëve".

Eshtë dëshira e një muzikanti dhe pedagogu të talentuar që të kontaktojë dhe ballafaqohet me realizimet më të mira, që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Me synimin që gjithshka, që merr si përvojë të re personale, ta ndajë më pas në Shqipëri me studenët e nxënësit, kolegët dhe dashamirët e xhaz-it. Ashtu siç është pagëzuar dhe projekti i tij afatgjatë "Mesaxheri i xhazit".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica