1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas zgjedhjeve në Serbi

23 Janar 2007

Serbia zhvilloi zgjedhje, por kjo nuk solli aspak në një situatë të qartë politike. Kështu e analizojnë artikujt kryesorë të gazetave gjermane karakterin e dyfishtë të rezultatit të zgjedhjeve dhe shikojnë shumë pak perspektivë në Beograd

Hijet e së kaluarës
Hijet e së kaluarësFotografi: AP

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" vlerëson situatën e përgjithshme:

"Sigurisht që është e shëmtuar që partia radikale nacionaliste e Vojislav Sheshelit dhe partia socialiste e drejtuar dikur nga Sllobodan Miloseviçi kanë marrë një të tretat e votave. Por ky është rezultati i zgjedhjeve demokratike të cilat u zhvilluan pa incidente të forta. Në një shtet i cili deri para disa vitesh e kuptone rëndësinë e vet në rajon vetëm me forcën e tij shkatërrimtare, kjo nuk ka qenë e vetëkuptueshme. Testi i vërtetë për demokracinë serbe do të jetë pavarësia e Kosovës, e cila po afrohet e Kosovës", komenton Frankfurter Allgemeine.

Gazeta Kölnische Rundschau hedh një dritë në anën tjetër:

"Vërtet që Partitë demokratike në Serbi i fituan zgjedhjet, por kjo ishte larg të triumfuarit. Për triumf duhet bashkimi i atyre forcave të cilat deri tani kanë qenë në armiqësi të brendshme. Në rradhë të parë kryeministri Vojislav Koshtunica nga rradhët e partisë nacional-konservatore duhet të reflektojë dhe t´i lerë postin një njeriu të besuar të Presidentit Boris Tadiç".

Gazeta "Landeszeitung" e konsideron të pamundur një kompromis midis "demokratëve":

"Fitoret janë të dyshimta në një vend ku humbjet ushtarake janë kthyer në mite ekzistence kombëtare. Kështu edhe fitorja e kampit demokratik në zgjedhjet në Serbi përmban në vetvete helmin e humbjes. Optimizmi i ministrit të jashtën federal të Gjermanisë Frank-Valter Steinmeier, se Serbia do të futet në rrugën drejt Evropës duket paksa i çuditshëm. Megjithëse dy të tretat e serbëve votuan për partitë demokratike pro evropiane, këto janë aq në konflikt me njëra tjetrën sa një koalicion është i pamundur", nënvizon "Landeszeitung".

Gazeta e "Frankfurtit Märkische Oderzeitung" shikon një rrezik eksploziv në çështjen e Kosovës:

"Partia radikale që doli fituese e zgjedhjeve mesa duket nuk do të përfaqësohet fare në qeveri. Megjithatë çdo qeveri duhet që për çështjen e Kosovës që pritet të zgjidhet së shpejti, të marrë në konsideratë edhe parinë radikale që synon një Serbi të madhe. Sidoqoftë tema emocionale e Kosovës për të cilën çdo serb dëshiron të jetë patriot mund të kthehet shpejt në një pengesë serioze për çdo qeveri në Beograd."

Në mënyrë të ngjashme e komenton edhe gazeta "Neue Westfälische" nga Bielefeldi:

"Që në Kosovë ndodhet djepi kulturor i Serbisë është njëra anë, ana tjetër është se shqiptarëve të Kosovës duhet t´u sigurohet një lloj pavarësie. Por këtë të vërtetë të hidhur nuk guxojnë ta publikojnë as edhe vet demokratët. Pa një kompromis për Kosovën dyert e Evropës mbeten të mbyllura për Serbinë. Dhe pa Evropën vendi nuk ka të ardhme. Presidentja e radhës së Këshillit të BE-së, Angela Merkel, ka një detyrë të vështirë përpara."

Gazeta "Münchener Merkur" komenton:

"E sigurtë është, se pa një stabilitet në Serbi nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan. Por për këtë nuk mund të shpresohet nëse analizohen zgjedhjet e fundit në Serbi. Evropianët duhet të jetojnë me një vatër shumë të rrezikshme në mesin e tyre në një kohë kur pritet vendimi për statusin e ardhshëm të Kosovës. Sigurisht demokratët kanë fituar më shumë vota dhe në tërësi si koalicion kanë fituar zgjedhjet. Ky do të ishte padyshim një lajm i mirë, aq më tepër që partia e presidentit pro-evropian Tadiç
është forcuar, nëqoftëse këto forca nuk do të ishin në konflikt. Një formim i qeverisë pa probleme është i vështirë dhe një koalicion qeverisës thuajse i pamundur për momentin."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW