200409 Nordzypern Wahlen
20 Prill 2009Parashikimet për zgjedhjet parlamentare ishin të sakta. Në përputhje me to, në "Republikën Turke të Qipros Veriore", pati të dielën një zhvendosje të pushtetit nga e djathta. Partia e djathtë konservatore e Unitetit Kombëtar (UBP), e udhëheqësit të opozitës Dervis Eroglu, arriti me 44 përqind të votave një fitore të qartë. Partia e moderuar liberale Republikane -Turke (CTP), e të ashtuquajturit drejtues të grupit popullor, Mehmet Ali Talat, e cila ishte deri tani në pushtet, merr rreth 30 përqind të votave. Fituesja e zgjedhjeve UBP është për një zgjidhje me dy shtete, dhe kështu kundër një ribashkimi të ishullit të ndarë definitivisht, që prej 25 vjetësh.
Megjithë pozicionin e forcuar të UBP-së, mendohet se hë për hë nuk do të ndryshojë asgjë në procesin e afrimit me jugun grek. Këtë ia tha presidenti Talat, i cili pranverën e ardhshme përballet me konfirmim ose jo në post, studios së ARD-së në Stamboll: "Unë nuk besoj se negociatat do të ndikohen nga rezultati i zgjedhjeve. Negociatat, kryhen nën drejtimin e presidentit dhe kështu jam unë përgjegjës për to. Në këtë mënyrë, zgjedhjet nuk kanë ndikim në to, por vetëm indirekt, pra ndikim jo me rëndësi të madhe."
Bisedimet për ribashkimin, të cilat Talati i zhvillon me homologun e tij greko-qipriot Dimitris Christophias, kanë filluar shtatorin e kaluar. Por ndërkohë ato kanë ngecur në vend, jo së fundi sepse nuk janë shtruar për diskutim dy çështjet më të rëndësishme: ajo e tërheqjes së shumicës së mbi 30 mijë ushtarëve turq në veri dhe ajo e një sistemi të ardhshëm politik. Këtu grekët janë për një lloj shteti federal, në një kohë që turqit janë më tepër për një konfederatë shtetesh. Megjithëse bisedimet filluan me eufori të madhe, që tani është e parashikueshme që mundësitë e ribashkimit janë të kufizuara.
Pjesa e izoluar ndërkombëtarisht e Qipros Veriore konsiderohet që prej vitit 1983 shtet i pavarur, në territorin e të cilit Turqia, mban të stacionuara më shumë se 30 mijë ushtarë dhe ka shpërngulur dhjetëra mijëra vetë nga Anadolli.
Autor: Ulrih Pik / Auron Dodi
Redaktoi: Aida Cama