1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasoja të rënda nga tërmeti në Zelandën e Re

23 Shkurt 2011

Të paktën 75 vetë të vdekur pas tërmetit në qytetin Christchurch. Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme në nivel kombëtar.

Pamje pas tërmetit në qytetin ChristchurchFotografi: picture alliance / dpa

Qyteti Christchurch në Zelandën e Re brenda pesë muajsh është goditur për herë të dytë nga një tërmet i fuqishëm. Kanalet televizive lokale treguan pamje të shtëpive dhe rrugëve të shkatërruara si dhe njerëz të kapluar nga paniku. Tërmeti i fuqisë 6,3 ballë Richter ka ndodhur në orët e mesditës kur zyrat dhe dyqanet si dhe restaurantet dhe kafeteritë ishin të mbushura përplot me njerëz. Shumë shtëpi janë rrëzuar në mesin e tyre edhe një katedrale në qendër të qytetit. Në disa vende ka shpërthyer zjarri.

Sipas të dhënave të kryeministrit John Key si pasojë kanë humbur jetën të paktën 75 vetë. Kjo mund të jetë ora më e errët e Zelandës së Re, sqaroi Key. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të kabintetit qeveritar ai ka udhëtuar për në rajonin e goditur nga tërmeti. Pritet që numri i viktimave të rritet edhe më shumë. Mëse 300 vetë kondsiderohen të humbur, shumë prej të cilëve mund të kenë mbetur ende nën gërmadhat e godinave të shembura. Christchurch, i cili shtrihet në pjesën jugore të ishullit të Zelandës së Re që nga tërmeti i shtatorit të vitit 2010 me një forcë prej 7,1 ballësh është goditur nga qindra tërmete të tjera me intensitet më të ulët.

Autor: Esat Ahmeti (dpa, ap, reuter)

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora