1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e diktaturës- ballafaqimi me shtypjen dhe doktrinat

17 Tetor 2010

Trajtimin e të kaluarës diktatoriale në Shqipëri dhe shembujt e ish Gjermanisë Lindore dhe vendeve të tjera e solli në Tiranë një forum diskutimi organizuar nga Universiteti gjerman i Jenës dhe Universiteti i Tiranës.

Forumi "Pasojat e diktaturës"
Forumi "Pasojat e diktaturës"Fotografi: DW

Trajtimi dhe analizimi i së kaluarës është një çështje që evokon histori, fenomene dhe personazhe të periudhës komuniste afër gjysmë shekullore në Shqipëri. Nga ana tjetër ajo është dhe një çështje që shkakton debat, një fluks këndvështrimesh deri në esktrem, saqë të krijohet përshtypje se gjithshka në vlerësimin e kësaj periudhe kthehet në pikën fillestare.

Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” dhe dy universitetet organizatore të forumit të diskutimit “Pasojat e diktaturës, ballafaqimi me shtypjen dhe doktrinat” afruan për këtë një larmi përfaqësimi. Jo vetëm nga shtresa e ish të përndjekurve politikë të periudhës komuniste në Shqipëri, por dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, juristë, historian, eskpertë të hulumtimit të pasojave diktatoriale. Si një ilustrim faktik ishte përvoja e ish Gjermanisë Lindore në gjykimin e kohës komuniste.

Publicisti Fatos LubonjaFotografi: DW

Përqasje realitetesh

Kjo përqasje realitetesh është mjaft e dobishme për publicistin e njohur në Shqipëri, Fatos Lubonjë, ish i përndjekur politik në kohën e diktaturës. Lubonja ka patur rast që të vizitojë pak kohë më parë ish zyrat që përdoreshin nga Staasi në ish DDR. Duke marrë informacion nga komisioni i hapjes së dosjeve, Lubonja thotë për DW se ishte tronditur që numri i agjentëve të Staas-it ishte shumë herë më i madh për numrin e popullatës krahasuar me vendet e tjera ish komuniste përfshi dhe Shqipërinë. Metodat që përdorte Staasi ndaj njerëzve që bënin aktivitet kundër regjimit ishin shumë të sofistikuara. Nuk është se këta agjentë ishin të tepërt. Ata infiltroheshin për të zbutur apo për të hequr mëndjen nga ideja që kishe. Sepse dhe DDR-ja ishte si një ‘vitrine' e kampit lindor në Perëndim. Ndërkohë që në Shqipëri vepronin në numër më të pakët agjentët, por me një terror më të madh për t'i eleminuar kundërshtarët, pa asnjë metodë zbutëse, pa asnjë metodë bindëse, si të thuash, duke ndjekur thënien e Enver Hoxhës: ‘po ngitët gishtin do t'ju presim dorën, po ngritën dorën do t'ju presim kokën'.”

Qëndrimi ndaj Stalinit

Një karakteristikë tjetër sipas Lubonjës është qëndrimi ndaj Stalinit. Në një kohë që në vendet e ish Bllokut ish komunist pas vdekjes së Stalinit ,pati një lloj rishikimi të figurës së tij por dhe qëndrimit të ashpër që ai kishte për të përdorur me çdo mjet të burgosurit politikë, në punë të rënda e të detyruara ‘për ndërtimin e socializmit', në Shqipëri, sipas Lubonjës, “metodat staliniste për ti trajtuar në mënyrë kafshërore të burgosurit politikë vijoi deri në momentet e fundit të diktaturës”.

Prof. dr. Thede KahlFotografi: DW

Organizatorët kishin ndërtuar një axhendë tematike, që kishte lidhje drejtëpërdrejtë me analizën e periudhës komuniste, roli represiv i organeve të diktaturës, si Sigurimi i Shtetit në Shqipëri dhe Staasi në ish Gjermaninë Lindore, si depërtonte dhuna dhe rpesioni në art e letërsi nëpërmjet denigrimit dhe demonizimit, vështrimi i sistemeve shoqërore nga pikëpamja legjislative etj. Efektet e diktaturës në Shqipëri u panë madje dhe me punime më të detajizuara, siç ishte ai i Prof. dr Thede Kahl, mbi pakicat kombëtare nën diktaturë, duke marrë si shembull konkret arumunët.

Në praktikë gjërat ishin tjetër

Për Prof. dr Kahl nëse i hidhje një sy legjislacionit për mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të pakicave ato ishin perfekte. Këtu përfshihen, sipas tij dhe mësimi në gjuhën amtare. “Madje parashikoheshin dhe sanksione për atë që nuk respektonte këto të drejta. Por nëse gjerat fuksiononin mirë në letër në praktikë gjërat ishin tjetër” Duke iu referuar studimeve dhe hulumtimeve në terren Prof. dr Kahl solli raste të një qëndrimi të diferencuar nga rradhët e arumunëve shqiptarë, nga metodat për ti rekrutuar forcërisht të bashkëpunonin me organet e Sigurimit të Shtetit, për treguesit e rritjes së numrit të popullatës së pakicave që ishin në rrudhje, apo me simptoma asimiluese etj.´

Armand PlakaFotografi: DW

Armand Plaka, bashkëpunëtor shkencor dhe kordinator politik pranë Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri thotë se të tilla veprimtari ku evidentohen dhe analizohen pasojat e periudhës së komunizmit është nga qëllimet kryesore të Fondacionit. Kjo nuk është hera e parë që organizojmë panele diskutimi të tilla, thotë Plaka për DW.

“Risia këtë herë është se gjykohet nga këndvështrimi shkencor dhe akademik. Në panel ne nuk kishim ftuar asnje person që vjen nga sfera politike. Ndaj dhe bashkëpunimi këtë herë ishte mes Universitetit të Jenës në Gjermani dhe Universitetit të Tiranës në Shqipëri. Sjellja e përvojës gjermane në këtë aspect është shumë e vlefshme. Sepse kombi gjerman është dashur të përballet në historinë e tij me diktatura shumë të forta, siç ishte ajo naziste dhe ajo komuniste. Trajtimi is ë shkuarës, apo të themi definimi i këtij fenomeni përbën akoma një temë diskutimi në Gjermani. Ish DDR-ja ishte për shumë shqiptarë ndoshta një model duke e krahasuar me vuajtjet apo represionin, të cilin duhet ta hiqnin ata në vendin e tyre”

Armand Plaka mbron mendimin se ajo që i vlen publikut shqiptar në trajtimin e periudhës komuniste është trajtimi i së shkuarës nga këndvështrimi i së sotmes apo i të ardhmes. Duke qënë se Gjermania është para nesh në këtë aspekt, atëhere është shumë e vlefshme përvoja e tyre, zbatuar ne kontekstin shqiptar.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW