1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së premtes

25 Nëntor 2004


Kryeartikujt e shtypit të sotëm gjerman trajtojnë gjerësisht qëndrimin e Putinit ndaj rezultatit të diskutueshëm të zgjedhjeve në Ukrainë. Tema të tjera janë : konflikti për uzinën e avionëve Airbus në Hamburg dhe mosmarrëveshja e re për gastarbeiter-et, punëtorët e huaj miq, e shkaktuar nga thënia e ish-kancelarit Helmut Shmidt, se tërheqja e tyre në Gjermani ka qenë një gabim.

Por në fillim Putini për Ukrainën. Për këtë FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG shkruan:

"Nëse Putini do të ishte me të vërtetë i interesuar për një vendim të pavarur në Ukrainë për kryetarin e saj të shtetit, atëherë ai do të angazhohej për përsëritjen e zgjedhjeve nën vëzhgim ndërkombëtar, ashtu si propozoi ministri gjerman i jashtëm Fisher. Por Putini do që pas këtyre zgjedhjeve ta ruajë ndikimin masiv në Ukrainë. Qeveritë e shteteve të vjetra të BE, por edhe qeveria gjermane vazhdojnë të mos pranojnë se Rusia nën Putinin nuk ka marrë rrugën, të cilën do ta shihnin me qejf ata!"

Më shumë besim tek BE ka gazeta e Dyseldorfit HANDELSBLATT:

"BE nuk mundet dhe nuk do të tërhiqet më përballë Kremlinit, por edhe përballë SHBA, të cilat dhanë shembull me guxim të parat. Shumë gjëra janë zbukuruar në të shkuarën dhe janë mbyllur sytë, kur bëhej fjalë për Rusinë. Qoftë në rastin e Cecenisë, të aferës Jukos ose në tredhjen e të drejtave demokratike. Shumë gjëra u shpjeguan me stabilitetin, në një kohë kur bëhej fjalë për themelet e shoqërisë. Por këtë herë puna është ndryshe. Ukraina ndodhet në Evropë. Prandaj është edhe puna jonë."

FRANKFURTER RUNDSCHAU komenton shtytjen përpara që mori Gjermania për ndërtimin e pistës së Airbusit në Hamburg:


"Kjo kthesë në krye të konsorciumit evropian mund të shpjegohet vetëm me faktin se qeveria federale nuk është e gatshme të dalë sërish e humbur në garën e politikës industriale me Francën. Qeveria gjermane dhe qeveria franceze sidoqoftë kanë investuar secila nga 900 milionë euro për zhvillimin e A 380. Nga këto duhet të përfitojë edhe Hamburgu, vendi i ndërtimit të Airbusit, ku u investuan 700 milionë euro në mbushjen e vrimës së Myhlenbergut. Berlini me sa duket ia ka dalë mbanë."

Për gazetën DIE WELT që del në Berlin, diskutimi për të drejtat e banorëve pranë pistës ka shkuar shumë larg:

"Mosmarrëveshja për zgjatjen e pistës së ngritjes së uzinës së Airbusit në Hamburg thërret edhe njëherë në ndërgjegjen e publikut atë se sa lehtë është në Gjermani që të pengohen projekte investimesh ose që ato të bëhen të pamundura. Në Hamburg ndodhen tre pronarë tokash përballë mijëra vendeve të punës. Dhe padyshim gjen edhe shembuj, ku është sabotuar ndërtimi i veprave të rëndësishme vetëm prej pranisë në fushat e ndërtimit të lakuriqëve të natës dhe gjallesave të tjera. Gjermanët kanë tendencë të veprojnë në mënyrë absolute, le të bëhet fjalë për lakuriqë nate apo për mullinj ere."

Shprehja e ish-kancelarit Helmut Shmidt për gastarbeiter-et, punëtorët e huaj miq, has në rezistencën tek PFORZHEIMER ZEITUNG:

"Shmidti duket se nuk dëshiron të njohë rëndësinë që kanë për Gjermaninë Gastarbeiterët dhe brezi pasardhës i tyre- nga ana ekonomike dhe kulturore. Gjë që nuk do të thotë se nuk ka probleme. Ai që jeton këtu duhet të mësojë gjuhën dhe të integrohet në shoqëri. Kjo është edhe më e rëndësishme, meqenëse pa emigrantë nuk mund të përfytyrohen vetëm dekadat e kaluara, por edhe ato të ardhme."


Gazeta berlineze TAGESSPIEGEL kujton pikënisjen e debatit:

"Zhvillimit të hidhur në Hollandë ne i dedikojmë një shans: që para konflikteve të mos mbyllim më sytë, por që t'i zgjidhim ato, përpara se të na kenë palosur. Thënia fiktive e Helmut Shmidtit për gastarbeiter-ët hapi një debat kontrovers, tek i cili të gjithë të prekurit turren sërish me zell të qartë tek qëndrimi i vjetër parimor. Kjo është e rehatshme. Dhe kushton shumë më pak guxim se sa pyetja e thjeshtë se kush është përgjegjës për faktin se vajza gjashtëvjeçare, që kanë lindur në Berlin dhe në Frankfurt, flasin kaq keq gjermanisht sa nuk kanë shanse për të avancuar që prej vitit të parë të shkollës."