1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

28 Shtator 2004

Shumë artikuj kryesorë të të përditshmeve gjermane trajtojnë rrjedhojat politike të zgjedhjeve lokale në landin Rini Verior, Vestfalia dhe anoncimet pas takimit të nivelit të lartë gjermano-polak në Berlin mbi marrëdhëniet midis dy vendeve.

Citojmë fillimisht gazetën SÜDDEUTSCHE ZEITUNG, e cila përballë rezultateve të zgjedhjeve në Rin dhe Ruhr kërkon që të kihet parasysh kjo:

"Natyrisht që politikanët kontribuojnë vetë që gjithmonë e më shumë njerëz ta perceptojnë politikën në radhë të parë si llafollogji të ritualizuar larg jetës së tyre. E tëra kjo zë fill me rregullimin e qëllimshëm të vlerësimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe nuk përfundon me faktin që në kushtet e mbizotërimit të një ngjyrimi politik në dhomën e ulët dhe të tjetrit në dhomën e lartë të parlamentit nuk realizohen zgjidhje të arsyeshme, sepse asnjëra palë nuk e dëshiron suksesin e palës kundërshtare. Ritualizimi është aq zemërues saqë disa kokëshkretë besojnë se duhen ndëshkuar të gjithë duke zgjedhur një parti, kryetari i së cilës e konsideron Hitlerin një burrë shteti të madh gjerman.

Edhe gazetës MANNHEIMER MORGEN nuk i besohet dot se si i vlerësojnë humbjet e partive të tyre politikanët drejtues gjermanë:

"Le t'ua rrisin fuqinë autokombajnave të frazave oratorët që i zbukurojnë faktet në partinë socialdemokrate dhe atë kristiandemokrate; dy partitë e mëdha janë humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Kush i interpreton gjërat ndryshe e kujton budalla opinionin publik. Arsye për tu kënaqur kanë vetëm liberalët dhe të gjelbërit, pra partitë e vogla. Por për t'u shprehur me fjalët e ish-trajnerit të kombëtares së futbollit Sepp Herberger: pas zgjedhjeve është si përpara zgjedhjeve. Ky trajner i zoti u bë të paktën kampion bote në disiplinën e tij futbollin, por jo në dërdëllitje."

Gazeta e Dyseldorfit HANDELSBLATT trajton para së gjithash pasojat e mbrëmjes së zgjedhjeve për bashkimin kristiandemokrat-kristiansocial:

"Me kursin tuaj radikal, dëgjohet hapur nga Mynihu kristiansocial, nuk mund të fitojmë zgjedhje. Kryetarët lokalë kristiandemokratë Georg Milbradt në Saksoni dhe Jürgen Rüttgers në Rinin Verior, Vestfali e barazuan çështjen sociale dhe atë të drejtësisë me programin e reformave të njohur me emrin Hartz dhe ranë brenda. Milbradt pati një rezultat të dobët, Rüttgers pati një të keq. Lëkundja është virtyt i njerëzve pa taban - dhe ndëshkohet. Këtë e di kryetarja e Partisë Kristiandemokrate Angela Merkel, por duhet t'ua mësojë edhe njerëzve të partisë së vet. Për këtë koha nuk pret më aspak.

Gazeta berlineze TAGESSPIEGEL bën një bilanc të përgjithshëm:

"Pra ky ishte superviti zgjedhor. Diagnozat e zymta ankohen për abstenim zgjedhor në rritje, krizën e dy partive të mëdha, sukseset ekstremistëve të djathtë, rimëkëmbjen e re të Partisë së Socializmit Demokratik. Pas zgjedhjeve lokale në Rinin Verior, Vestfali publiku përballet vetëm me fitues. Duhet të ketë ndodhur vërtet diçka kur minusi i partisë tjetër shënoka kthesën drejt përmirësimit për partinë e vet. Po çfarë? Superviti zgjedhor nuk tregon tendencën për zgjedhjet parlamentare në rang vendi, por ai tregoi pamje dramatike të një vendi që fillimisht i zemëruar me çdo zgjedhje që përfundon e kupton se sa i duhet të ndryshojë."

Ndërrojmë temë: Gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU merret me qëndrimin e kancelarit Gerhard Schröder në konfliktin mbi kërkesat për dëmshpërblim të të përndjekurve gjermanë ndaj Polonisë:

"Pra impulset historiko-politike të kancelarit gjerman mbështeten në mendime pragmatike. Schröder-i i vendos ato në kontekstin e pajtimit dhe tërheq vëmendjen tek cilësia e marrëdhënieve me Poloninë, të cilës nuk i duhen irritimet nga një pakicë të përndjekurish. Kancelari ka pa dyshim një nuhatje për gjestet dhe për zgjedhjen e çastit kur duhen bërë ato."

Gazeta BADISCHE TAGBLATT e Baden-Baden-it shtron pyetje parimore:

"Në të dyja vendet regjistrohen përkatësisht publikisht vetëm provokimet, zërat e matur fshihen. Në këtë mënyrë përforcohen anasjelltas paragjykimet. Fakti që deklaratave të mirëmenduara iu vihet pak veshi tregon që raportet gjermano-polake janë shumë më pak të shtensionuara sesa për shembull ato gjermano-franceze. Por pajtimi midis gjermanëve dhe polakëve ka rëndësi elementare për Evropën. Atij duhet t'i kushtojnë më shumë vëmendje të dyja palët."