1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëSpanjë

Pedro Sánchez mbetet kryeministër i Spanjës

17 Nëntor 2023

Pothuajse katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare u vendos - qeveria e majtë mbetet në pushtet. Socialisti Sánchez mbetet kryeministër.

Pedro Sanchez në Parlament duartroket
Pedro Sanchez mbetet kryeministërFotografi: Manu Fernandez/AP Photo/picture alliance

Me mbështetjen e simpatizantëve të pavarësisë së Katalonjës, socialisti Pedro Sánchez është rizgjedhur në krye të qeverisë së Spanjës. Në votimin në Parlamentin spanjoll në Madrid, Sánchez siguroi shumicën absolute prej 179 nga 350 vota, bëri të ditur presidentja e Parlamentit Francina Armengol.

Faktori vendimtar për rizgjedhjen e Sanchez në postin e kryeministrit ishte mbështetja e dy partive të Katalonjës, të cilave ai u premtoi një ligj amnistie për mbështetësit e pavarësisë katalanase.

Sánchez akuzohet për shkelje të ligjit

Seanca parlamentare e nisur të mërkurën ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar. Konservatorët (e partisë PP) dhe partia e krahut të djathtë ekstrem Vox e akuzojnë Sanchezin për shkelje të ligjit për shkak të ligjit të premtuar të amnistisë. Për javë të tëra, dhjetëra mijëra mbështetës të partive konservatore dhe të djathta kanë dalë në rrugë në të gjithë vendin në protestë.

Pedro SanchezFotografi: Alejandro Marti­nez Velez/Europa Press/ABACA/picture alliance

Lideri i PP-së Alberto Núñez Feijóo fitoi më së shumti vota nëzgjedhjete mbajtura në korrik. Por ai nuk arriti të sigurojë shumicën e duhur të deputetëve për të marrë postin e kryeministrit. Sánchez nga Partia Socialiste, nga ana tjetër, siguroi shumicën e nevojshme të votave për rizgjedhje në postin e deritanishëm, së bashku me aleancën e majtë Sumar dhe partitë rajonale katalanase dhe baske, si dhe disa deputetë të tjerë.

Puigdemont ndoshta përfiton nga zgjedhjet

Nga amnistia mund të përfitojnë veçanërisht ata aktivistë që u persekutuan nga sistemi spanjoll i drejtësisë pas përpjekjeve të dështuara të Katalonjës për shkëputje nga Spanja në vitin 2017. Nga kjo do të përfitonte edhe ish-presidenti rajonal katalanas, Carles Puigdemont, i cili mund të kthehet në Spanjë pas vitesh në mërgim në Belgjikë.

Protesta në MadridFotografi: Manu Fernandez/AP Photo/picture alliance

Për shkak të protestave masive, policia në Madrid kishte rritur praninë e saj. Në Madrid, më shumë se 1600 anëtarë të forcave të sigurisë u vendosën rreth parlamentit dhe e bllokuan ate plotësisht. Një prani e ngjashme e madhe është e zakonshme në Spanjë vetëm në futboll, në lojërat e rrezikut të lartë.