1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pekini dhe Riadi afrohen me njëri-tjetrin

8 Korrik 2011

Në një kohë që në Gjermani bëhen diskutime të zjarrta për shitjen e tankeve gjermane Arabisë Saudite, një bashkëpunim tjetër është më pak i njohur. Kina autoritare dhe Arabia Saudite janë afruar shumë me njëra-tjetrën.

Presidenti i Kinës Hu Jintao nënshkroi më 2009 me Mbretin Abdullah një marrëveshje miliardëshe
Presidenti i Kinës Hu Jintao nënshkroi më 2009 me Mbretin Abdullah një marrëveshje miliardësheFotografi: AP

Nëse janë amerikanët apo kinezët ata që janë konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë, për këtë ekspertët kanë mendime të ndryshme. Por është e padiskutueshme, se Kina sot, krahas SHBA është kthyer në një nga klientët më të mirë të Arabisë Saudite. Një e pesta e nevojës për naftë të Kinës mbulohet nga Arabia Saudite. Arabia Saudite është kthyer në këtë mënyrë për Kinën në furnizuesin kryesor të arit të zi.

Por edhe në drejtime të tjera është zgjeruar bashkëpunimi ekonomik vitet e fundit - multimiliarderët e naftës blejnë ushqime, tekstile dhe mallra industriale në Kinë. Ndërkohë, shumica e importeve saudite mbajnë vulën "Made in China" dhe jo "Made in US". Tregtia bilaterale kap ndërkohë shumën 40 miliardë dollarë në vit.

Edhe studentë të Arabisë Saudite shkojnë gjithnjë e më shumë në Kinë, për të studiuar atje. Dhe ka edhe sheikë shumë të pasur të naftës, që zakonisht shkojnë për pazar në Nju Jork, Paris ose Londër, të cilët tani shkojnë për të blerë mobilje në Kinë.

Pa ndërhyrje në punët e brendshme

Si shumë vendeve afrikane, edhe Riadit i përshtatet që Pekini e ka parim që të mos përzihet në punët e brendshme të vendeve të tjera, që bashkëpunimin nuk e lidh me kushte politike ose nuk bën pyetje të vështira për të drejtat e njeriut. Këto pyetje kinezëve nuk u pëlqen as vetë që t'i dëgjojnë. Veç kësaj, vështrohet jo pa dëshirë që me bizneset në lindjen e Largët dobësohet varësia nga tregu amerikan.

Kinës nga ana tjetër i intereson para së gjithash plotësimi vetjak i nevojës energjitike në rritje si dhe tregu në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Kështu, në bazë të të dhënave të analistëve, rreth 90 firma kineze janë aktive në Arabinë Saudite, midis tyre shumë firma ndërtimi. 20.000 punonjës kinezë i fitojnë paratë në Gjirin Persik.

Mosmarrëveshjet janë të pranishme

Vëmendjen në medie e tërhoqi një biznes për ndërtimin e një linje hekurudhore midis qyteteve të shenjta islamike Mekka dhe Medina, me një vlerë prej 1,8 miliardë dollarësh amerikanë. Marrëveshja për konsorciumin saudit-kinez u nënshkrua në mars 2009, në prani të presidentit Hu Jintao dhe të Mbretit Abdullah dhe u festua si programi i parë i përbashkët në nivel qeveritar. Por pa kaluar shumë kohë nisi grindja. Sauditët lejojnë në Mekka vetëm punonjës myslimanë, pati probleme toke, buxhete që nuk u respektuan dhe madje edhe protesta të punëtorëve, gjë që në Arabinë Saudite është diçka e rrallë. Në fund, firma kineze e hekurudhës kërcënoi madje me padi në gjyq, për shkak të humbjeve që kishtë pësuar.

Edhe në një fushë tjetër ka arritur në kufijtë e tij bashkëpunimi midis Pekinit dhe Riadit. Kështu, SHBA mbeten furnizuesit kryesorë më të rëndësishëm me armë për sauditët. Në këtë kuadër, Kina është shumë larg së afruari vendit që kanë amerikanët. Kina nuk ka as plane që t'u ofrojë sauditëve garanci sigurie. Ndërsa SHBA kanë baza ushtarake në rajon, njëra prej tyre në vetë Arabinë Saudite.

Author: Ruth Kirchner/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW