Pengjet gjermane në Afganistan
23 Korrik 2007Gazeta "Handelsblatt" që del në Dyseldorf komenton: "Talibanët radikalë-islamikë mund t´i akuzosh për shumë gjëra, por jo për mungesë nuhatjeje kur është fjala për dobësitë e kundërshtarëve të tyre. Kjo pasi rasti i rrëmbimit të dy gjermanëve, shoqëruar edhe me një viktimë tregon, se si kjo organizatë mund të luajë në mënyrë të qëllimshme me frikën.
Sulmet ndaj punonjësve të ndihmës civile i prekin në palcë kombet e angazhuara në Afganistan. Islamistët radikalë e kanë kuptuar, se arma më e fortë e Perëndimit nuk është makineria superiore ushtarake. Shumë më të efektshme janë burimet dhe know-how, që ia lehtëson jetën e përditshme popullsisë afgane dhe u ofron një perspektivë për të ardhmen njerëzve në këtë vend të varfër. Pikërisht për këtë arësye talibanët gjithnjë e më shumë po i përqëndrojnë sulmet e tyre tek puna për rindërtimin. Të arrish në përfundimin si partia e majtë, se duhet hequr dorë prej Afganistanit, do të thotë pakujdesi.", shkruan "Handelsblatt".
Ndërsa "Berliner Zeitung" thekson, se perëndimi duhet të nxjerrë mësime nga dështimet në Afganistan dhe të mos i përsëris ato në rajone të tjera: "Formula stereotipe e qeverive perëndimore
është: ne nuk lejojmë të na bëjnë presion. Ne nuk i përmbushim kërkesat politike. Edhe qeveria federale ka deklaruar: ne nuk do t´i tërheqim trupat. Ne nuk do t´i japim fund angazhimit në Afganistan. Por të paktën siç duket, qeveria e di atë që nuk do, por e di ajo se çfarë do? Cili është qëllimi konkret i angazhimit në Afganistan? Si duhet arritur ai? Si mund të kthehet në rrugë të mbarë ky zhvillim fatal?
Parrullat e rezistencës nuk mjaftojnë. Qeverisë gjermane, SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë të aleancës i mbetet vetëm, që ta pranojnë mbivlerësimin me pa të drejtë të projekteve të demokratizimit që mbeshteten nga ushtria, të analizojnë dështimin e tyre dhe sa më shpejt të nxjerrin mësimet, që mundësisht të tilla nisma të mos përsëriten p.sh. në Gazë apo në Iran.", vëren "Berliner Zeitung".
Komentatori i "Westfälischer Anzeiger" që botohet në Ham analizon: "Një burim i terrorit, që Perëndimi beson ta ketë mposhtur, por që është forcuar sërish guxon të rifillojë luftën për pushtet brenda vendit: me talibanët si trapolinë, por edhe si burim i forcës. Në këtë luftë me një lojë cinike me jetën e njerëzve kjo forcë po fiton në mënyrë perfide një rol qendror. Janë këto fate individësh, që i nxjerrin qeveritë prej anonimitetit dhe ndaj të cilave drejtohet vëmendja e opinionit të shokuar. E në këto fate individësh pasqyrohet edhe e gjithë pafuqia e një shteti.", komenton "Westfälischer Anzeiger".
Gazeta e Frajburgut "Badische Zeitung" komenton strategjinë e re të talibanëve, duke tërhequr vëmendjen, që të mos bihet në kurthin e propagandës së tyre: "Prej kohësh islamistët e kanë kuptuar, se tashmë atyre nuk u duhet më të kryejnë atentate kamikaz për të festuar sukseset kundër "të pafeve" në luftën e tyre. Mjafton që të përhapësh frikë dhe tmerr. Mjafton që t´i bësh njerëzit të pasigurt si në Afganistan, por më shumë në shtetet, që kanë dërguar ushtarët në vendin e malësive të Hindukushit për ta ruajtur atë nga një darë e re e fundmentalistëve. Çdo sulm ndaj ndihmësve civilë e dobëson rindërtimin. Strategjia e talibanëve ka për qëllim, që kotësinë e të gjitha përpjekjeve ta demonstrojë si një fakt të kryer. Por deri këtu ende nuk ka arritur puna. Ndaj askush nuk duhet të bjerë në kurthin e propagandës së helmuar.", nënvizon "Badische Zeitung".