1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pentagoni pranon përdhosjet e Kuranit në burgun Guantanamo Bay

Martin Wagner27 Maj 2005

Deri tani qeveria amerikane i kishte hedhur poshtë njoftimet e mediave për përdhosjet e kuranit prej ushtarëve amerikanë në Guantanamo Bay. Tani qeveria amerikane pranoi se në këtë burg librat e Kuranit nuk ishin trajtuar me korrektësi. Ushtria amerikane tha se pesë prej 13 rasteve të dyshuara janë vërtetuar.

Martin Wagner Pamje nga burgu Guantanamo Bay
Martin Wagner Pamje nga burgu Guantanamo BayFotografi: AP

Pentagoni i hodhi poshtë me forcë në një konferencë shtypi akuzat sipas së cilave në kampin Guantanamo një ushtar amerikan kishte hedhur në tualet një libër Kurani dhe kishte shtypur sifonin e ujit për ta shpëlarë. Gjenerali Xhei Hud tha: "Nuk ka dëshmi të besueshme se një prej pjesëtarëve të trupave ushtarake të SHBA-ve ka hedhur në tualet një libër Kurani."

Megjithatë përdhosje të Kuranit ka pasur, tha gjenerali, pra raste kur ushtarët amerikanë nuk e kanë trajtuar me respektin e duhur librin e shenjtë të muslimanëve. Deri tani janë identifikuar 13 raste, 10 prej rojeve dhe tri gjatë marrjes në pyetje. Hud nuk u shpreh konkretisht se ç'kuptonte me formulimin "trajtim jokorrekt i Kuranit" dhe se çfarë do të ndodhë me personat që mbajnë përgjegjësi për përdhosjen e tyre. Hetimet vazhdojnë tha ai. Hud u përbetua se sjellja jokorrekte me Kuranin ka qenë e rastësishme dhe e paqëllimshme.

Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe zëdhënësi i Pentagonit Lorenc Di Rita: "Në Guantanamo Bay në Kubë ne kujdesemi në çdo moment për të respektuar ndjenjat fetare të të burgosurve."

Sipas përfaqësuesve të ushtrisë amerikane i burgosuri që kishte deklaruar fillimisht se një ushtar e kishte hedhur Kuranin në tualet, e kishte tërhequr më pas këtë deklaratë.

Hud tha se Pentagoni ishte njoftuar për përdhosjet e Kuranit prej Kryqit të Kuq. Me shpjegimet e tij të thukta Hud duke pranuar përdhosjet e Kuranit hodhi poshtë pretendimet se një gjë e tillë ishte praktikë e zakonshme në Guantanamo Bay.