Perëndimi i paralizuar, Kina dhe India ndjekin në Birmani interesat e tyre
27 Shtator 2007Thirrjet e perëndimit tingëllojnë të pavendosura dhe perëndimi nuk duket se është në gjendje të ndërhyjë me efikasitet në ngjarjet në Birmani. Marko Bynte, ekspert për Birmaninë në Institutin për çështjet aziatike pranë Universitetit të Hamburgut sqaron: "Mianmari është lënë në hije prej perëndimit dhe konsiderohet si shtet kopuk. E gjithë bashkësia ndërkombëtare ka vënë sanksione kundër Birmanisë. Për shembull ekziston një embargo armësh dhe madje edhe puna e organizatave humanitare dhe e Bankës Botërore janë të kufizuara. Kontakti i vetëm me botën e jashtme janë shtet aziatike, si Kina, India dhe disa vende të ASEAN-it. Vendet e ASEAN-it kanë probleme me politikën birmaneze, por Kina si fuqi e madhe e ka marrë Birmaninë në të kaluarën shpeshherë në mbrojtje."
Sipas opozitarëve birmanezë në mërgim ndikimi i Kinës ndaj pushtetmbajtësve në Mianmar është shumë i madh. Njëri prej tyre thotë:"Kina, protektore e ushtarkëve në Birmani është e përqëndruar për momentin tek lojërat olimpike të 2008. Regjimi birmanez nuk ka skrupull dhe qëllon kundër murgjëve dhe njerëzve që duan demokracinë në vendin e tyre. Presioni ndërkombëtar nga perëndimi dhe lindja ekziston, por regjimi birmanez merr parasysh vetëm Kinën."
Shpresat e opozitës birmaneze, se Kina mund ta përdorë ndikimin e saj ndaj pushtetmbajtësve, u shuajtën shumë shpejt.
Qeveria e Pekinit nxitoi të deklaronte se Kina nuk përzihet në punët e brendshme të shteteve të tjera. Pas këtyre deklaratave, fshihen inetresa për zonat e influencës. Marina kineze ka të stacionuara në Birmani stacione përgjimi me të cilën spiunon ushtrinë e Indisë. Po ashtu ka kohë që diskutohet se përmes Birmanisë mund të kalojë një gaz- dhe naftësjellës, me anë të të cilit Kina shpreson që të bëhet e pavarur prej Indonezisë dhe Malajzisë.
Eksperti Bynte thekson: "Për momentin duket se kemi një garë se kush ndikon më shumë në Mianmar. Si diplomatët indianë dhe ata kinezë, janë përpjekur vitet e fundit për të forcuar kontaktet me regjimin ushtarak të Birmanisë, për të zgjeruar në këtë mënyrë ndikimin në Azinë juglindore. India dëshiron ta shfrytëzojë Birmaninë si portë për Azinë Juglindore kurse Kina dhe Birmania kanë një kufi të përbashkët, i cili është mjaft i gjatë. Kjo do të thotë, që zhvillimet në Birmani ndikojnë edhe në provincën kufitare kineze të Junanit. Kina është e interesuar që në Birmani të ketë stabilitet. Unë besoj, se ky është shkaku përse Kina nuk ushtron presion të madh ndaj regjimit ushtrak, sepse sipas këndvështrimit kinez, ky regjim është edhe garanci për stabilitetin e vendit."