1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perceptimi dhe njohuritë e të rinjve për kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri

25 Shkurt 2011

Një grup të rinjsh mblodhën informacione, diskutuan me intelektualë, gazetarë dhe studiues dhe përgatitën me relike dhe sende nga koha e diktaturës ekspozitën “Diktatura e përditshme".

Pamje nga ekspozita “Diktatura e përditshme"Fotografi: DW

Një 17- ose 18-vjeçar i sotëm ka një informacion minimal për historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Tregimet e prindërve, materialet arkivale që publikohen në media, botimet e historisë etj., janë një lëndë njohëse që përthithet në mënyra e nivele të ndryshme nga të rinjtë shqiptarë. Është evident fakti që tani pas dy dekadave kur Shqipëria ka lënë pas periudhën e komunizmit dhe izolimit diktatorial gjeneratat e reja kanë pak njohuri për atë periudhë.

Një grup të rinjsh që studjojnë për gjuhën gjermane në shkollën e mesme “Asim Vokshi' në Tiranë janë përfshirë prej javësh në një projekt që ka në fokus pikërisht informimin dhe perceptimin mbi diktaturën shqiptare. Nën drejtimin e mësueses së tyre të gjuhës gjermane, Magdalena Saiger, maturantët kanë punuar në mënyrë të grupuar ose individualisht. Ata kanë marrë kontakte me intelektualë, gazetarë, studiues, kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar etj. Por ata kanë bashkëbiseduar në mënyrë individuale me prindërit, të afërmit, miqtë dhe të njohurit në moshë të madhe, të cilët e kanë përjetuar rreth gjysëm shëkulli regjim totalitar në Shqipëri.

Absurditetet e komunizimit: Njollat në biografi

Klaudia Hasanllari thotë se ka mbetur mjaft e impresionuar nga vizita që ka bërë në studion e piktorit Maks Velo që është burgosur dhe përndjekur në kohën e rregjimit komunist. Dëgjuam gjëra gati të pabesueshme pqër kalvarin e njerëzve që mendonin ndryshe nga partia komuniste thotë ajo për DW.

Klaudia HasanllariFotografi: DW

“Më ka ardhur shumë keq kur kam dëgjuar shumë përvoja nga e kaluara, kur psh, shumë njerëzve i është mohuar arsimimi, mundësia për të patur një shkollë vetëm prej një biografie të keqe, apo si quhej atëhere ‘një njolle në biografi', e cila mbetej si një njollë në trup për gjithë jetën”.

Xhesi Matraku ka një argument familjar për pasojat e diktaturës. “Gjyshin tim e kanë ndalur për të shkuar në shkollë vetëm sepse ai ishte me biografi të keqe. Ndërkohë që ai ka qenë me nota shumë të mira, ishte shkrimtar, ka qënë dhe sportist, por as në aktivitete sportive nuk mund të merrte pjesë”.

Nuk mungon as nostalgjia për kohën e diktaturës

Ajo shton se gjatë kontakteve me njerëzit ka hasur dhe nga ata që kanë folur me nostalgji për kohën e diktaturës. Nga ata që ishin të kënaqur për barazinë, siç e quanin ata, për sigurinë në rrugë dhe lagje, për frymën kolektive në punë dhe jashtë saj. Por ata nuk iu përgjigjën mjaft pyetjeve për shkeljen e lirive dhe te drejtave të qytetarëve, për ndalimin e fesë, për varfërinë dhe për kontrollin e policisë së fshehtë në gjithçka bënin njerezit”, thotë Xhesi.

Fiona KopaliFotografi: DW

Fiona Kopali thotë se angazhimi me këtë projekt e ka çuar dhe në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Por nga materialet që ajo ka mbledhur mbi diktaturës ajo mendon se Muzeu nuk është një pasqyrues real i kësaj periudhe. “Pashë se diktatura nuk ishte e mirëreflektuar, nuk kishte një pamje të gjerë për ne brezin e ri që nuk e njeh diktatutën, por vetëm e ka dëgjuar”.

Frikë nga çdo gjë, nga njerëzit, nga fjalët që mund të thoje

Mësuesja e gjermanishtes në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, Magdalena Saigen nuk ka asnjë kujtim personal nga koha e ish-DDR, pasi atëhere ajo ishte vetëm 4 vjeç. Ajo jetonte në pjesën perëndimore dhe vetëm vite më pas ka marrë informacion të plotë për atë që ndodhte në pjesën komuniste. Me atë që ka mësuar gjatë kësaj periudhe nga diktatura shqiptare ajo thotë se e ka të vështirë të bëjë bilancin e pikave të ngjashme dhe ndryshimeve.

Magdalena SaigerFotografi: DW

“Ajo që mund të thuhet edhe për Shqipërinë edhe për Republikën Demokratike Gjermane ishte frika për të jetuar në atë kohë. Frikë nga çdo gjë, nga njerëzit, nga fjalët që mund të thoje. Ajo që më pëlqeu nga grupi i nxënësve në këtë projekt ishte guximi i tyre për të bërë pyetje. Është një guxim dhe lirshmëri që shfaqin, që shumë të tjerë nuk e kanë”.

Nxënësit kanë mbledhur dhe relike dhe sende tipike për periudhën e diktaturës. Këto janë materiali më domethënës për ekspozitën që ata kanë hapur në Tiranë, diku një radio e vjetër, një komplet gotash të kohës, literaturë nga propaganda komuniste, botime subversive që lexoheshin fshehurazi, foto etj.

Klaudia thotë se hapja e ekspozitës “Diktatura e përditshme” nuk është mund të konsiderohet si ndarja finale me këtë projekt. “Është një temë që vazhdon. Sepse jo vetëm Enver Hoxha, jo vetëm një diktator, por mund të ketë edhe të tjerë që bëjnë diktaturë dhe jemi ne të rinjtë, brezi i ri që duhet t'i thotë jo diktaturës në çdo lloj rrethane”.

Projekti i të rinjëve të shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë është mbështetur nga Fondacioni “Robert Bosch”, nga Ambasada Gjermane në Tiranë, Instituti “Goethe” dhe fondacioni “Konrad Adenauer”

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani