220811 Ferienschule Migranten
24 Gusht 2011Për përkrahje individuale në shkollë mbetet shumë pak kohë. Për këtë shkak, Instituti për Gjuhën Gjermane dhe Letërsinë në Këln së bashku me Zyrën Rajonale për përkrahjen e fëmijëve dhe të rinjve nga familjet e emigrantëve, si edhe me Qendrën për Shumëgjuhësinë dhe integrimin, këtë sivjet organizojnë për të nëntën herë shkollën verore. Nxënësit zgjerojnë aty njohuritë e gjuhës dhe në të njëjtën kohë studentët e pedagogjisë fitojnë praktikë.
"Këtu ke qejf dhe dëshirë të mësosh!"
20 nxënës nga klasa e pestë dhe e gjashtë punojnë me zell në makinat llogaritëse mekanike. Nxënësit i kalojnë pushimet e verës në shkollën verore të Këlnit dhe vizitojnë këtë ditë muzeun e Aritmetikës në Bonn, një muze, i cili shpjegon të gjithë historinë e llogaritjes matematikore. Në shkollën e verës ata përmirësojnë jo vetëm njohuritë e gjuhës, por në të njëjtën kohë mësojnë në formë loje edhe matematikë, si për shembull gjatë vizitës në muze:
Sarah thotë: "Jam këtu sepse dua të mësojë mirë matematikën. Aty kam ca vështirësi. Shkolla verore nuk është ashtu si shkolla që kemi përditë. Këtu ke qejf dhe dëshirë të mësosh ."
Edhe Sarah ndjek shkollën verore për fëmijët emigrantë, e inicuar nga Universiteti i Këlnit. Si fëmijët e tjerë në këtë shkollë, ajo e ka gjermanishten gjuhë të dytë. Prindërit e Sarës vijnë nga Kongoja. Fëmijët, të cilët nuk dinë të flasin mirë, shkojnë në kurse gjuhe. Ndërsa nxënësit si Sarah, që dinë të flasin mirë gjermanisht, marrin pjesë në kurse, ku krahas gjermanishtes ofrohet edhe mësimi i matematikës.
Në klasat e kësaj shkolle verore japin mësim 55 studentë të pedagogjisë të Universitetit të Këlnit, dhe Institutit për Gjuhë dhe Letërsi. Ata e organizojnë shkollën verore. Oferta nga viti në viti është gjithnjë e më e kërkuar. Këtë verë marrin pjesë 250 nxënës nga klasa e 5-të deri në të 10-ën, shpjegon mësuesja Katharina Hermkes. "Nevojë ka. Ka shumë fëmijë që kanë probleme me gjuhën, dhe që nuk trajtohen individualisht në sistemin normal shkollor."
Njohuri përtej zhargonit të përditshëm
Më shumë se 25% e të rinjve nën 25 vjeç në Gjermani kanë prejardhje të huaj. Tek familjet e nxënësve ku flitet pak ose aspak gjermanisht kjo mund të kthehet në problem, veçanërisht në lëndën e matematikës, ku kërkohen edhe njohuri gjuhësore që dalin përtej njohurive të zhargonit të përditshëm. Për këtë në shkollën verore është bërë si rregull që krahas mësimit të gjermanishtes, të jepet edhe mësimi i matematikës, i cili kombinohet me lojëra dhe punë kreative të nxënësve.
Tolga, një nxënës thotë: "Në vend që të rri në shtëpi gjithë ditën shkoj përditë në shkollën verore. Aty jo vetëm që mësojmë, por luajmë çdo ditë dhe kam njohur shumë vetë që banojnë direkt në lagjen time."
Prindërit e Tolgas janë me origjinë nga Turqia. Ai vetë flet shumë mirë gjermanisht, por në matematikë ka probleme. Në shkollën verore ai e ka më kollaj mësimin.
Studentët e pedagogjisë fitojnë praktikë pune
Por nuk janë vetëm fëmijët ata që mësojnë, por edhe vetë studentët- mësues të ardhshëm përfitojnë nga një praktikë e tillë. Për ta ky angazhim është një variacion ndryshe nga e përditshmja e universitetit, thotë studentja, Hannah Landen. "Vërtet që kemi praktika të detyrueshme, por tek ato ulesh në fund dhe shikon se çfarë bëjnë të tjerët. Këtu duhet të planifikosh katër orë matematikë në ditë, të vrasësh mendjen se si duhet t'ua transmentosh nxënësve dijen, sepse pikërisht puna me gjuhën nuk është në plan të parë në matematikë."
Të koordinosh punën me një grup fëmijësh të moshave të ndryshme dhe nga kultura të ndryshme - nuk është një detyrë aq e lehtë, shpjegon Hannah Landen. Por për shkak të grupeve të vogla, puna është intensive për secilin nxënës. Kush nuk kupton ndonjë problem në matematikë e ka më vështirë në shkollë, sepse nuk i tregohet aq vëmendje, këtë e pohon edhe Tugay nga Turqia. Për të mësuar këtë verë madje ai ka sakrifikuar pushimet në Turqi. Por në shkollë me fëmijët e tjerë ai ndjehet shumë mirë.
Krahas mësimit, fëmijët vizitojnë muzeume apo ndjekin aktivitete të tjera kulturore. Mbasdite ata shkojnë në kurse teatri, eksperimentimi, apo kërcimi. Larmia kulturore, kthehet në avantazh, kur secili nxënës sjell kulturën e vendit të tij në këto kurse.
Autor: Nina Treude/Lindita Arapi
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi