1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektiva e bujqësisë organike në Shqipëri

13 Dhjetor 2011

Edhe në Shqipëri bujqësia organike ka shënuar përparime. Një ndihmesë të rëndësishme ka dhënë projekti SASA, i cili ka krijuar një infrastrukturë që mbështet zhvillimin e mëtejshëm të kësaj industrie.

I suksesshëm në tregun evropian - vaj ulliri bio nga Shqipëria
I suksesshëm në tregun evropian - vaj ulliri bio nga ShqipëriaFotografi: FiBL

Projekti SASA nisi nga puna në Shqipëri në vitin 2001, në kuadër të mbështetjes së qeverisë zviceriane për Shqipërinë në fushën e bujqësisë. SASA është shkurtimi i "Sustainable Agriculture Support in Albania", mbështetja për bujqësinë e qendrueshmë në Shqipëri. Implementuesi i projektit është instituti kërkimor zvicerian FiBL. FiBL është instituti i parë kërkimor i cili merret me bujqësinë organike. Ai ka filluar nga puna në vitin 1973 në Zvicër. Objekti i punës së instituit janë bazat e bujqësisë organike, por edhe aspekti këshëllimor, pra përcjellja e njohurive shkencore tek fermerët. Sot instituti e ka shtrirë rrezen e aktivitetit në të gjithë globin.

Projekti SASA nisi nga puna me mbështetjen e shoqatës shqiptare të fermerëve organikë, Bioadria. Në vitin 2006, shënohet një tjetër etapë e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri: krijimi i trupës së inspektim-çertifikimit, Albinspekt. Ky institut i mundëson të gjithë fermerëve organikë në Shqipëri kryerjen e procedurave të inspektim-çertifikimit, duke krijuar kështu vlerë të shtuar të produktit nëpërmjet një çertifikate.

Vaj ulliri organik në supermarketin Mercator në Shqipëri.Fotografi: FiBL

Projekti SASA, i cili e përqëndroi akvitetin e tij deri në 2009 në produktet organike, ndihmoi në rritjen e cilësisë së produkteve, dhe në transferimin e njohurive tek aktorët e ndryshëm të agro-biznesit, si teknikat dhe teknologjitë e reja, procedurat e inspektim-çertifikimit dhe zhvillimin e tregjeve, si në kuadër të tregut të brendshëm ashtu edhe për ato të eksportit.

Meqenëse tregu i produkteve organike ka një karakter të theksuar sezonal, në vitin 2009 SASA aplikon një tjetër metodologji, duke vënë në fokus në fokus orientimin e fortë ndaj kërkesave të tregut.

Këtu bëhet fjalë jo vetëm për kërkesën në tregun e brendshëm, por edhe ato të eksportit. Një nga aktivitetet promovuese, për tregjet e eksportit është panairi BioFach në Nyremberg të Gjermanisë.

Aksesi në tregun evropian, për prodhues nga vende jashtë BE-së, nuk është gjithnjë i mundur për shkak të mungesës së çertifikimit të produkteve bio. Në këtë aspekt projekti SASA, ka punuar me intensitet, duke themeluar fillimisht trupën shqiptare të inspektimit Albinspekt, çertifimi i së cilës shërben kryesisht për tregun e brendshëm.

Sipërmarrësja Shpresa Shkalla (majtas) në fabrikën e saj.Fotografi: SASA

Nga ana tjetër SASA ka ndihmuar eskportuesit e prodhimeve organike nga Shqipëria të çertifikohen nga organizma si BioSwiss, apo instanca çertifikimi të BE-së.

Implementuesi i projektit, instituti kërkimore FiBL ka dhënë këtu kontributin e tij. Drejtori i këtij instituti, Prof. Urs Niggli shpjegon për programin tonë: "Çertifikimi është si të thuash bileta e hyrjes për tregjet në Evropën Qendrore. Kjo do të thotë se institutet e çertifikimit luajnë një rol shumë të rëndësishëm, për eksportet e produkteve organike. Këto institute çertifikimi duhet të ndjekin plotësisht normat e BE-së por edhe vendeve të tjera ku shkojnë produktet, si Zvicra apo SHBA. Trainimi dhe mbështetja profesionale e këtyre instancave kanë si synim pikërisht respektimin e këtyre normave."

Megjithëse eksportet e produkteve organike nga Shqipëria janë kryesisht lëndë e parë, nuk mundojnë edhe rastet kur produkte organike shqiptare destinohen për tregun evropian. Një rast i tillë i suksesshëm është vaji organik i ullirit "Shkalla".

Ndriçim Duli, pronar pemësh ullinjsh, Ramazan Duli, punëtor, dhe Musa Xhaka, agronom dhe trainues në kuadër të projektit SASA.Fotografi: FiBL

Por një problem mbetet: raporti sasi - kosto transporti. Këto kosto në disa raste janë shumë të larta dhe i ngarkohen pjesërisht çmimit të produktit përfundimtar. Kështu, edhe pse produkti është shumë cilësor, ai mund të bëhet jo konkurues për shkak të çmimit të lartë.

Në këmbim përvoje më prodhues të tjerë organikë, u identifikua si një mundësi për uljen e kostove, diversifikimi i prodhimit. Kështu sipërmarrja Shkalla ka filluar edhe prodhimin e një vaji ulliri special, me lule basani. Pas hedhjes me sukses në tregun shqiptar, ai do të prezantohet në panairin e ardhshëm BioFach në Nyremberg.

Shqipëria ofron potenciale shumë të mira për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë organike, thekson drejtori i institutit kërkimor FiBL, Prof. Urs Niggli: "Në rastin e Shqipërisë shohim se vendi ofron një diversitet të pabesueshëm, në strukturat agrare por edhe sa i takon natyrës, mjedisit. Besoj se këtu bujqësia agrare ka një potencial gjigant nëpërmjet ruajtjes së këtij diversiteti. Por ky duhet të ndërthuret edhe me një proces krijimi vlerash, pra që fermerët nëpërmjet këtij diversiteti të kenë mundësinë të rrisin të ardhurat e tyre .

Iris Kazazi, koordinatore e projektit SASA, në panarin BioFach në Nyremberg, 2011.Fotografi: DW

Projekti SASA ka ngritur një infrastrukturë e cila i shërben bujqësisë organike, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për ato të eksportit. Iris Kazazi, koordinatore e SASA-s shpjegon se kjo infrastrukturë do të vazhdojë të ekszistojë edhe me përfundimin e projektit në fund të vitit. Këtu bëjnë pjesë trupa e çertifikimit, shoqatat e bujqësisë organike, dhe njësia që organizon aktivitete të ndryshme promovuese. Për të gjashtin vit radhazi po pregatitet stenda shqiptare në panairin BioFach, në Gjermani. Projekti gjatë gjithë ekzistencës ka patur një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së konsumatorit, në Shqipëri. Një grup pune i ngritur pranë kësaj ministrie po merret me përmirësimin e ligjit për bujqësinë organike.

Autor: E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama