1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pesë vite nga fjalia e Merkelit - kronologjia e krizës

31 Gusht 2020

Më 31 gusht 2015, kur një numër i madh refugjatësh erdhën në Gjermani, kancelarja Merkel u shpreh me një fjali që është kthyer në simbol të periudhës së saj si kancelare. "Ne ia dalim mbanë". Si mendojnë gjermanët sot?

Deutschland Merkel Selfie mit Anas Modamani
Merkel fotografohet me një azilkërkues pas vizitës në një qendër azilantëshFotografi: Getty Images/S. Gallup

Më 31 gusht 2015 dhjetëra mijëra refugjatë kishin marrë rrugën drejt Gjermanisë, Merkel tha një fjali në konferencën tradicionale të verës lidhur me ardhjen në masë të refugjatëve. "Gjermania është një vend i fortë. Motivi, me të cilin ne duhet t'i qasemi këtyre gjërave duhet të jetë: Ne kemi arritur kaq shumë gjëra. Ne ia dalim mbarë. Dhe aty ku del gjatë rrugës një pengesë, kjo duhet tejkaluar.”

Për asnjë fjali tjetër të Merkelit nuk është debatuar kaq gjatë. Kjo fjali e vitit 2015 do të hyjë në librat e historisë. Pesë vite me radhë migracioni dhe integrimi qëndruan në fokus të politikës e shoqërisë gjermane. Një periudhë, ku pati shumë përçarje, rritje të populizmit. Po si e shohin gjermanët sot këtë fjali të Angela Merkelit?

Ende ka skepticizëm

Sipas një sondazhi të Institutit të Opinionit Publik, Civey me porosi të gazetës « Augsburger Allgemeine” të publikuar në fundjavë, më shumë se 50% e të pyeturve mbi fjalinë e Merkelit "Ne ia dalim mbanë”, thanë, se kjo është pak e saktë ose aspak e saktë. Vetëm 44% e vlerësuan atë si të saktë. 37% e shohin tërësisht si të gabuar. Për këtë sondazh u pyetën më shumë se 5000 vetë në të gjithë Gjermaninë.

Kurse vetë ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer (CSU) një nga kundërshtarët e politikës së atëhershme të Merkelit për refugjatët shprehet me tone optimiste. Ai e sheh pretendimin e atëhershëm të shprehur nga kancelarja, "Ne ia dalim mbanë” si të realizuar në pika të rëndësishme "Ne e kemi nën kontroll krizën e refugjatëve”, tha ai për gazetën Augsburger Allgemeine" në fundjavë. „Situata e sotme është ndryshe nga ajo para pesë vitesh, kur pjesërisht duhej të shihnim se si po humbisnim kontrollin." Shifrat e imigrimit janë të përballueshme. Seehofer është sot i mendimit se „kemi krijuar rregull dhe në të njëjtën kohë kemi praktikuar humanizmin». Por ai i mbetet qëndrimit të tij, se « kemi nevojë për një përgjigje europiane ndaj çështjes së migracionit. »

Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

Kronologjia e krizës

Viti 2015

Gjithnjë e më shumë refugjatë nga Siria në verën e këtij viti filluan të vinin përmes itinerarit të Ballkanit në Europë. Në qershor, Hungaria, si vend i BE mbylli kufijtë me vendin fqinj jo anëtar, Serbinë dhe filloi me ndërtimin e gardhit. Shumë refugjatë u përpoqën të shfrytëzojnë kohën që të hyjnë sa më shpejt në Europë- Në gusht Zyra Federale për Refugjatët dhe Migracionin, Bamf, pezulloi procedurën e Dublinit për refugjatët sirianë, sipas së cilës azilkërkuesit duhet të shtrojnë kërkesën për azil në atë vend të BE, ku shkelin për herë të parë. Përmes pezullimit të kësaj rregullorehe, mundësohej që të sapoardhurit nga Hungaria të qëndronin në Gjermani.

Policia hungareze lejoi një numër të madh refugjatësh të kalojnë tranzit. Vetëm në fundjavën e parë të shtatorit Gjermania pranoi më shumë se 10.000 refugjatë. Në stacionin e trenit në Mynih ata u pritën me duartrokitje. Pak kohë më vonë, Gjermania vendosi kontrolle kufitare me Austrinë. Pjesërisht për një kohë të caktuar, qeveria gjermane nuk e dinte numrin e refugjatëve që kishin ardhur në vend. Komunat u mbingarkuan tej mase me valën e refugjatëve. Presioni ndaj Merkelit filloi të rritej  gjithnjë e më shumë. Pasoja: Ligji për azilin ashpërsohet.

Ngjarjet e vitit 2015 sollën edhe rritje të racizmit në Gjermani. Në vitin 2015, Zyra Federale e Kriminalistikës llogariti më shumë se 1000 sulme ndaj qendrave të azilit.

Fotografi: picture-alliance/dpa/B. v. Jutrczenka

      2016

Në natën e Vitit të Ri, një numër i madh djemsh të rinj, ngacmuan seksualisht shumë vajza. Tek shumë të dyshuar binin në sy refugjatët. Këtë ngjarje partia populiste AfD ta e përdori për të shtuar elektoratin - në zgjedhjet pasuese në lande ajo arrin nivele rekord.

Në mars të vitit 2016, BE dhe Turqia arritën marrëveshjen e refugjatëve: Ankaraja bie dakord të pranojë refugjatët e rinj që kanë ardhur në ishujt grekë. Për secilin sirian të dëbuar, do të pranohej një sirian tjetër që ndodhej ndërkohë në Turqi nga vendet e BE. Turqia merr po ashtu ndihma të mëdha nga BE për refugjatët. Zbatimi i marrëveshjes u kthye shpesh në mollë sherri mes BE dhe Turqisë. Edhe brenda Gjermanisë grindja vazhdoi, sidomos mes CDU dhe CSU-së. Partia Kristiansociale simotër kërkoi rregulla më të ashpra në politikën e refugjatëve, dhe një kufi maksimal për refugjatët, që Merkel e refuzoi. Në nëntor ajo nuk merr pjesë në kongresin e CSU-së.     

      2017

Në maj të këtij viti, Bundestagu miratoi një ligj tjetër ashpërsues për azilin. Dëbimet, me këtë ligj, do të jenë më të lehta për t'u kryer, përveç kësaj, Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët marrin të drejtën të vlerësojë edhe të dhënat e refugjatëve në telefonat celularë. Refugjatët kthehen në temën qendrore në fushatën zgjedhore të këtij viti për zgjedhjet e Bundestagut. Unioni e ka të vështirë të gjejë një linjë të përbashkët, kurse AfD arrin të hyjë në Bundestag si forca e tretë me 12,6%.

      2018

Në verën e këtji viti arriti kulmin konflikti mes CDU dhe CSU-së. Kreu i CSU-së, Horst Seehofer ofroi dorëheqjen si ministër i Punëve të Brendshme, Në fund ai arriti të gjejë një ujdi me kancelaren Merkel. Ndërkohë BE bie dakord për një kurs më të ashpër në politikën e refugjatëve. Gjermania nënshkroi me vende të tjera të BE marrëveshje kthimi të refugjatëve, në ato vende, ku ata kanë qenë fillimisht të regjistruar.

Pllakat i AfD-së kundër politikës së Merkelit për refugjatët (tetor 2015)Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Bockwoldt

      2019

Në verën e këtij viti, koalicioni me bazë të gjerë miratoi paketën e migracionit. Ajo parashikon ndër të tjera edhe rregulla të reja për lehtësimin e ardhjes së fuqisë së kualifikuar punëtore në Gjermani , por lehtëson edhe më tej dëbimet për ata pa të drejtë qëndrimi.     

      2020

Pesë vite pas pikës kulmore të ardhjes së refugjatëve në Gjermani, shumë organizata bëjnë një bilanc pozitiv në lidhje me integrimin, veçanërisht në tregun e punës. Por theksohet, se ka shumë për të bërë në drejtim të mbështetjes së tyre në rrugën e integrimit, si për shembull mbështetjen e grave refugjate. Megjithë arritjet, ende tema e refugjatëve ndez debatet më të forta në Gjermani.

 

 

 

 

 

la/afp,epd