1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petersen ndahet nga Kosova

29 Qershor 2006

Kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen,porositi udhëheqësit politik që të respektojnë të drejtat e pakicave, ndërsa, serbëve të Kosovës u bëri thirrje që të integrohen në shoqërinë kosovare. Petersen mbajti një fjalim para deputetëve të kuvendit të Kosovës, në ditën e tij e fundit në cilësinë e shefit të UNMIK-ut.

Søren Jessen Petersen
Søren Jessen PetersenFotografi: AP
Shefi i UNMIK-ut, në largim, Soren Jessen-Petersen, porositi udhëhqesit e institucioneve të Kosovës që ta vazhdojnë rrugëtimin e nisur për arritjen e qëllimit final, ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumetnike duke përqafuar vlerat evropiane. Petersen ju drejtua me një fjalim deputetëve të kuvendit të Kosovës për herë të fundit në cilësinë e kryeadministratorit të Kosovës. Ai tha se e ka përjetuar si shumë të vështirë vendimin për tu larguar nga Kosova pas dy vjet të punës së tij në Kosovë vite këto që sipas tij kanë qenë shumë dinamike dhe janë arritur suksese së bashku më udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Në këtë linjë përmendi fillimin e bisedave për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndër sukseset e arritura gjatë mandatit të tij, Petersen përmendi zgjedhjet e fundit parlamentare ku për herë të parë në Kosovë u vendosën pozita dhe opozita. Ai përmendi poashtu vendimin e ish kryeministrit Ramush Haaradinaj për të dhënë dorëheqje dhe për tu vetdorëzuar në Tribunalin e Hagës. Në këtë linjë e vlerësoi qetësinë dhe maturinë e treguar të qytetarëve të Kosovës. Përmendi krijimin e Grupit Negociator të Kosovës me të gjitha forcat kryesore politike që shënon edhe unitetin politik në Kosovë. Një moment tjetër të vështirë Petersen përmendi vdekjen e presidentit Rugova, ndërsa, vlerësoi qasjen dhe shpejtësinë e institucioneve për të zgjedhur udhëheqësit e rinj që menjanoi vakumin institucional. Petersen u shpreh i bindur se statusi përfundimtar i Kosovës do të përcaktohet brenda këtij viti dhe këtë e argumentoi më faktin që sipas tij shumë diplomat perendimor janë të bindur se zgjidhja e statusit të sjellë stabilitet në rajonin e ballkanit. Ai porositi udhëhqësit e institucioneve të Kosovës dhe qytetarët e saj që të respektojnë pakicat, ndërsa, serbëve u tha që të inkuadrohen në proceset në Kosovë dhe të pranojnë realitetin e ri. Danezi Soren Jesen Petersen, nga deputet e kuvendit të Kosovës u cilësua si njëri nga administratorët më të sukseshëm të UNMIK-ut. Kryeadministratori i deritashëm i Kosovës, Soren Jesen Petersen, do të largohet nëser nga Kosova duke i dhënë fund misionit të tij dy vjecar në Kosovë. Tash për tash akoma nuk është bërë i njohur emri i diplomatit që do ta zëvëndësojë danezin Petersen, mirëpo deri në emërimin e kryeadministratorit të ri, këtë detyrë do ta ushtrojë zëvëndësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shok.
Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW