Pezullim bashkëpunimit me Rusinë
18 Mars 2014Pas fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin para dumës ruse në lidhje me pranimin si pjesë të Rusisë të gadishullit të Krimesë, që në bazë të së drejtës ndërkombëtare i përket Ukrainës dhe nënshkrimin e marrëveshjes përkatëse, politikanë të lartë të BE-së reaguan me kritika të forta ndaj Moskës dhe me pezullimin e bashkëpunimit me Rusinë.
Përfshirja e Krimesë në Federatën Ruse shkel sipas fjalëve të kancelares Angela Merkel të drejtën ndërkombëtare. Merkel tha se bisedimet për takimin e G7 me Rusinë janë pezulluar, ndërkohë që në lidhje me raporteve e mediave për përjashtimin e Rusisë nga G8, kancelarja tha se nuk ka ende ndonjë të re.
Britania e Madhe pezullon bashkëpunimin ushtarak me Rusinë
Ministri i Jashtëm britanik William Hague tha thotë se ekziston një rrezik i madh që ndonjë provokim diku tjetër në Ukrainë mund të përdoret si pretekst për përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak. William Hague njoftoi gjithashtu se Britania e Madhe pezulloi bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.
Kryeministri i Polonisë Donald Tusk tha se bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta pranojë aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Jo "luftë tranziti"
Kurse Kievi zyrtar u shpreh se Ukraina nuk do ta njohë kurrë integrimin e Krimesë në Rusi. Kurse Rusia nga ana e saj nuk pret një "luftë tranziti" me Ukrainën në lidhje me furnizimet ruse me gaz për Evropën. Kështu u shpreh ministri rus i Energjisë Alexander Novak. Rreth gjysma e eksporteve të gazit rus në Evropë kalojnë përmes gazsjellësve në Ukrainë.