Pikëllim në Kundus dhe Gjermani
19 Maj 2007
"Kjo është një vepër e armiqve të Afganistanit. Ky atentat ishte kundër ushtarëve gjermanë që kanë ardhur këtu për të ndihmuar popullin." Abdur Rahim, një qytetar nga Kunduzi, nuk është i vetmi me mllefin e tij kundër atentatorëve. Janë të shumtë njerëzit që e dënojnë atentatin e zhvilluar të shtunën në mënjges në një nga tregjet e qyetetit në veri të afganistanit, autorësinë e të cilit e morën përsipër talebanët, siç bëri të ditur zëdhënësi i tyre, Sabihullah Mudschahed. Në prill, talebanët kishin paralajmëruar se do t'i shtonin sulmet në veri të Afganistanit, ku janë të stacionuar ushtarët gjermanë.
Të trishtuara ishin tonet e ardhura nga Berlini. Angela Merkel, kancelarja gjermane deklaroi menjëherë pas atentatit, se kjo "vrasje e pabesë na mbush të gjithëve me përçmim dhe indinjatë". Synimi i atentatorëve ishte shkatërrimi i sukeseve të arritura në ndërtimin dhe stabilizimin e Afganistanit, ku Bundeswehri jep një ndihmesë shumë të madhe, tha Merkel.
Edhe ministri gjerman i mbrojtjes Franc Jozef Jung u tregua i indinjuar. Në një deklaratë dhënë mediave televizive ai megjithatë shtoi: "Ne do të vazhdojmë ta përmbushim misionin tonë për të ndihmuar në rindërtimin dhe stabilzimin e Afganistanit." Ministri gjerman i mbrojtjes u kthye parakohe nga një vizitë që ishte duke bërë në Kopenhagë të Danimarkës.
Reagimet e parlamentarëve gjermanë nga kampet e socialdemokratëve, unionistëve dhe të gjelbërve ishin të ngjashme. Në deklaratat e tyre, krahas indinjatës ndaj atentatit, theksohet domosdoshmëria e vazhdimit të pranisë së ushtarëve gjermanë në Kunduz. Ndërsa të majtët, që gjithmonë kanë qenë kundër misioneve ushtarake jashtë të bundeswehrit jashtë territorit gjerman, shfrytëzuan rastin për të përsëritur kërkesën e tyre për tërheqjen e trupave.
Folësi i të majtëve për politikë të jashtme, Volfgang Gehrke: "Kjo luftë nuk mund të fitohet ushtarakisht. Këtë e thonë të gjithë ekspertët, për fat të keq vetëm pas dyerve të mbyllura. Duhet të gjendet një mënyrë kuptimplotë për ta përfunduar misionin ushtarak, dhe unë do të sugjeroja kthimin e tornadove gjermane."
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Kurt Beck, në të kundërt paralajmëroi që të mos merren vendime të nxituara: "Unë nuk besoj se tani është momenti i duhur për të marrë vendime të përgjithshme. Ne e kemi ditur gjithë kohën se sa i rrezikshëm është ky mision. Unë besoj, se prania ushtarake do të jetë e nevojshme për një kohë të konsiderueshme, në shërbim të mbrojtjes së ndihmës civile."