1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pistorius do ta bëjë shërbimin e rezervistëve të detyrueshëm

16 Tetor 2026

Bundestagu shqyrton „Ligjin për forcimin e rezervës“. Ai synon të ndihmojë rritjen e numrit të rezervistëve në 200.000 deri në vitin 2033. Nga bota e biznesit vijnë kritika.

Ushtarë të Bundeswehrit të rreshtuar me automatikë në duar
Ushtarë të BundeswehritFotografi: Noah Wedel/picture alliance

Në fund të shtatorit, pranë Stendalit në landin Saksoni-Anhalt, rreth 200 ushtarë e ushtare të  Bundeswehr-it (Forcat e Armatosura Gjermane)  stërviteshin në hapësira publike. Detyra e tyre ishte të ruanin një infrastrukturë kritike, konkretisht një urë të autostradës A14. Stërvitja përfshinte kryesisht rezervistë, domethënë njerëz që zakonisht punojnë në një profesion civil dhe thirren për disa ditë ose javë në vit në ushtri. Një prej tyre është specialisti i informatikës dhe ushtari me gradën Hauptgefreiter, Benny P.

Shkaku që e shtyu Benny-n të regjistrohet si rezervist ishte pushtimi rus i Ukrainës. Atëherë ai e pyeti veten çfarë mund të bënte vetë për të dhënë një kontribut. Përgjigjja: „Rruga ime ishte t'u bashkohem forcave të armatosura, sepse mendoj se Gjermania ia vlen të mbrohet."

Aktualisht mbi 60.000 rezervistë janë të përfshirë në mënyrë të qëndrueshme në planifikimin e Bundeswehr-it. Deri në vitin 2033 ky numër duhet të arrijë 200.000: rezerva do të rritet, njësoj si gjithë Bundeswehr-i, siç shpjegoi në verë  ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius. „Një demokraci moderne duhet të jetë në gjendje ta mbrojë lirinë e vet. Për këtë na duhet një rezervë që është shpejt e disponueshme, e stërvitur mirë dhe e lidhur ngushtë me trupën aktive." Rreth 200 ushtarë të Bundeswehr-it u stërvitën në fund të shtatorit në hapësira publike.

Deri tani, stërvitjet janë vullnetare

Por aktualisht është në fuqi i ashtuquajturi „vullnetarizëm i dyfishtë": si rezervistët, ashtu edhe punëdhënësit e tyre mund të refuzojnë thirrjen kur Bundeswehr-i i thërret në stërvitje. Dhe kjo ndodh vërtet, tregon rezervisti Alexander, ushtar i lartë, gjatë ushtrimit në Saksoni-Anhalt: „Problemi kryesor është që punëdhënësi të të lejojë. Diçka ka ndryshuar prej luftës në Ukrainë, por duhet thënë qartë se shumë punëdhënës ende nuk i lënë njerëzit për stërvitje ushtarake."

Me ligjin e ri shërbimi rezervist duhet të bëhet i detyrueshëm. Edhe punëdhënësit mund të kundërshtojnë vetëm në raste të caktuara, kur njerëzit e tyre thirren në kazermë. Kritikat vijnë nga bota e biznesit. Rainer Kambeck i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë thekson se e mbështet synimin për ta forcuar rezervën, por detyrimin e quan të gabuar. „Ne do të ishim për ta nisur fillimisht me vullnetarizmin. Këtë e bëmë edhe me ligjin për modernizimin e shërbimit ushtarak. Çështja është t'i bindim sa më shumë ndërmarrje dhe t'i fitojmë në strategjinë e përgjithshme."

Ministri i Mbrojtjes Pistorius dëshiron që ligji të miratohet po këtë vitFotografi: Christophe Gateau/dpa/picture alliance

Herbstreuth: „Shërbimi në rezervë duhet të mbetet i planifikueshëm"

Politikania e CDU-së (Bashkimi Kristiandemokrat) Diana Herbstreuth, ushtarake profesioniste dhe anëtare e komisionit të Mbrojtjes, kërkon që nevojat e të prekurve të merren parasysh edhe në të ardhmen. Heqjen e „vullnetarizmit të dyfishtë" e quan të drejtë, sepse kush duhet të jetë gati në situatë të jashtëzakonshme, duhet të stërvitet rregullisht. Megjithatë, shërbimi rezervist duhet të mbetet i planifikueshën si për rezervistët, ashtu edhe për punëdhënësit e tyre. „Në procedurën parlamentare do të shohim me shumë kujdes dhe, nëse duhet, do ta saktësojmë më tej."

Vogtschmidt: „Shërbim ushtarak i detyrueshëm nga dera e pasme"

Se cilin rezervist mund ta thërrasë shteti në të ardhmen dhe për sa kohë, kjo është e shkallëzuar sipas kohës që ka shërbyer dikush aktivisht në Bundeswehr. Për shembull, kush ka shërbyer deri në një vit, sipas projektligjit mund të thirret deri në tri javë në vit. Për të gjithë rezervistët vlen që në të ardhmen mund të refuzojnë vetëm në kushte të caktuara.

Për grupin parlamentar të partisë E Majta (Die Linke) në Bundestag, kjo i afrohet një „shërbimi ushtarak të detyrueshëm nga dera e pasme", thotë Donata Vogtschmidt, anëtare e komisionit të Mbrojtjes. „Kush dëshiron ta forcojë rezervën, duhet të përmirësojë kushtet për angazhimin vullnetar, në vend që të kufizojë të drejtën e të prekurve për të vendosur vetë. Pikërisht në kohë paqeje, vullnetarizmi duhet të mbetet parimi."

Bundestagu e shqyrtoi të enjten (15.10.) në shqyrtimin e parë projektligjin për forcimin e rezervës. Ministri i Mbrojtjes dëshiron që ligji të miratohet po këtë vit.

aud (K.Aue/ARD)

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW